Iris Elezi prezanton kinematografinë shqiptare në Austri

Iris Elezi prezanton kinematografinë shqiptare në Austri

Kultura mars 14, 2019 - 09:42
Lexo më shumë detaje

 

Festivali i filmit “Crossing Europe”, që mbahet në Linz të Austrisë në datat 25 – 30 prill 2019, në bashkëpunim me Muzeun Austriak të Filmit ka përzgjedhur për programin “Spotlight” kineasten Iris Elezi. Regjisorja shqiptare është përzgjedhur si një nga personalitetet e spikatur femëror të kinematografisë evropiane dhe për punën e saj shumëvjeçare për ruajtjen dhe për promovimin e trashëgimisë filmike shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Iris Elezi do ta prezantojë kinematografinë shqiptare në një nga institucionet më të rëndësishme botërore, Muzeun Austriak të Filmit në Vjenë. Krahas arritjeve të saj me filmin “Bota” dhe evidentimit të angazhimeve me detyrën si drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, në programin e kuruar prej Elezit do të shfaqen edhe filma të tjerë për të dhënë një panoramë sa më të gjerë të kinematografisë shqiptare për publikun që ndjek festivalin e filmit “Crossing Europe”.

Regjisorja Iris Elezi është personalitet i shquar në kulturën bashkëkohore të kinematografisë evropiane. Ajo studioi teori dhe kritikë filmi, antropologji, studime gjinore dhe produksion filmi. Elezi bën përpjekje aktive për konservimin e filmave dhe është pedagoge me eksperiencë, producente, autore, regjisore, si dhe një prej “emisareve” më të pasionuara të kinematografisë shqiptare jashtë vendit. (Jurij Meden, Muzeu Austriak i Filmit).

Përzgjedhja e filmave për Carte Blanche të saj është ndarë midis filmave të prodhuar në të kaluarën dhe prodhimeve më të reja. Krahas tre filmave artistikë të viteve ’70-a nga regjisorja Xhanfise Keko, programi historik përfshin gjithashtu një komedi të dashur e realizuar pas vdekjes së Hoxhës nga njëri prej figurave qendrore të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Pjesa e programit me filma të prodhuar rishtazi ofron një prezantim ideal në universin e kinemasë shqiptare me dokumentarin-ese të kritikut Mark Cousins. Kjo pjesë e programit plotësohet me dy filma të tjerë, “Bota” nga Iris Elezi, dhe prodhimi më i fundit dhe shumë i suksesshëm që u shfaq në festivale të shumta ndërkombëtare, “Nëntori i ftoftë” nga Ismet Sijarina.