Dëmtohen muret e Kalasë së Novobërdës, askush s’merr përgjegjësi

Dëmtohen muret e Kalasë së Novobërdës, askush s’merr përgjegjësi

Kultura mars 14, 2019 - 09:38
Lexo më shumë detaje
Image

Vetëm një vit pas përfundimit të rindërtimit të Kalasë së Novobërdës - Artanës, muret e saj kanë filluar të shemben. Për këto dëmtime në Kalanë e Novobërdës ka reaguar edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. “Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë pas dëmtimeve të fundit në Kalanë e Novobërdës - Artanës, pjesë e Listës së Përkohshme si pasuri i trashëgimisë kulturore me zonë të veçantë të mbrojtur. Shkatërrimi dhe dëmtimi i kësaj prone ka një histori të gjatë, për të cilën KKTK-ja ka raportuar dhe ka reaguar në vazhdimësi. Në kuadër të raportit për gjendjen e trashëgimisë kulturore që KKTK-ja ka prezantuar në dhjetor të vitit 2018, projekti i Kalasë së Novobërdës – Artanës është pasqyruar si rast që ka tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe gjendja e saj pas intervenimeve mbetet e keqe, me çarje muresh dhe me dëmtime të tjera strukturale”, shkruhet në komunikatën për medie.

Po ashtu theksohet se as ky projekt, sikurse projektet e tjera nuk është dorëzuar për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore siç parashihet me Nenin 5.2 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Sipas KKTK-së nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush e ka vlerësuar këtë projekt, kush ka qenë institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve dhe kush ka bërë pranimin e punimeve, që tanimë është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të rrënohet.

Tutje thuhet se kompania “Koto” nga Serbia që ka kryer punimet në këtë pronë të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e licencuar siç e parasheh Neni 4.16 i Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Sipas KKTK-së, rezultat i gjithë këtij dëmi është neglizhenca e institucioneve. “Neglizhenca e institucioneve, mungesa e kontrollit dhe e llogaridhënies janë disa nga faktorët kryesorë që po çojnë në shkatërrimin dhe në dëmtimin e trashëgimisë kulturore. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore u ofron bashkëpunim të të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe palëve të interesit për ruajtjen e saj. Prandaj kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës e që ndaj personave përgjegjës të iniciohen procedurat e parapara ligjore”, përfundon kështu reagimi i tyre.

Kontraktuesit, përfaqësuesit e kompanisë me bazë në Beograd "Koto" dhe "Izol Prom", nuk e kanë komentuar dëmin e fundit.

Pasi ky monument hyn në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në Republikën e Kosovës, gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë edhe drejtoreshën për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit Vjollca Aliun, por ajo nuk ka dhënë përgjigje për rastin në fjalë. Siç mësohet, restaurimi i mureve të kalasë ishte iniciuar nga UNESCO-ja.

Një përfaqësues i “Koto”-s nga Beogradi, i cili ishte përgjegjës për rindërtimin, Slobodan Radovanoviq, për “Kosovo Sever Portal” nuk donte të komentonte mbi rënien e shtresave të materialit nga muret. Ai ka thënë se nuk mund të bëjë deklarata pa lejen e UNESCO-s.

Pronari i kompanisë Jovica Kolic, në një bisedë joformale, për portalin e veriut në Kosovë ka treguar se si nga pjesët e kalasë së Novobërdës filloi të bjerë llaçi. Ai beson se rënia e llaçit ka ardhur nga acari dhe ka mohuar se muret u shembën. Sipas qytetarëve, muret patën filluar të bien dy muaj më parë, por vetëm vizitat kohëve të fundit u ndaluan. "Ne kemi vërejtur rrëmujën e mureve dy deri në tre muaj më parë në një vend. Por për turistët u mbyllën dhjetë ditë më parë vizitat, për shkak të rrezikut të ndonjë gjëje. Turistët po vijnë, por nëse kjo nuk funksionon, turizmi do të zvogëlohet pasi ata vijnë këtu vetëm për të vizituar kalanë", tha qytetari Faik Navodalija.

Problemet që kanë lindur pas rindërtimit njihen në vetëqeverisjen lokale. Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Sinisha Dimiq, ka thënë se kjo Komunë nuk ka përgjegjësi për restaurimin dhe se ajo punë po kryhej nën kujdesin e BE-së. "Sa i përket kompetencës së Komunës së Novobërdës, nuk kemi pasur ndonjë juridiksion, asgjë lidhur me restaurimin, gjithçka është bërë nën kujdesin e BE-së. Na u tha se do të bëheshin punime, do të punonin nga disa faza. Një pjesë e projektit ka mbaruar, por duhet të vazhdojë. Për çfarë arsye nuk është vazhduar ne nuk kemi këtë informacion", thotë Dimiq.

Sipas Dimiqit, pasi kalaja ndodhet në territorin e komunës së Novobërdës, ka një ndikim të madh në zhvillimin e turizmit rural. "Është në interes të komunave dhe të qytetarëve tanë të bëjnë gjithçka për të mos vazhduar dëmi. Ne shpresojmë se në të ardhmen të gjithë ata që kanë qenë përgjegjës për restaurimin do ta zgjidhin problemin", tha Dimiq.

Punimet për rindërtimin e Kalasë në Novobërdë me iniciativën e UNESCO-s kanë filluar në korrik të vitit 2015 dhe kanë përfunduar vitin e kaluar. Rreth dy milionë euro janë shpenzuar për rinovimin e këtij thesari kulturor, sipas disa raporteve të medieve.

Kalaja e Artanës ose Kalaja e Novobërdës ndodhet në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës. Është një kala mesjetare e monument i kulturës në Novobërdë dhe daton nga shekulli XIII-XIV. Kalaja ka pasur funksion të mbrojtjes gjatë periudhave të ndryshme. Mirëpo shpjegimet dhe supozimet teorike për vjetërsinë e kalasë janë endur midis mesjetës dhe antikitetit.

Image