Libri që shpalos esencat e lëvizjeve politike kombëtare

Libri që shpalos esencat e lëvizjeve politike kombëtare

Kultura March 13, 2019 - 08:16
Lexo detajet!

(LIBRI I LUFTËS, autor: Nuhi Bytyçi, botoi "Armagedoni")

Prof. Dr. Haqif Mulliqi

Momentet më të “mira” për gazetarinë janë ato të kohës kur një popull e ka më së vështiri. Dhe, besoj se mu këtë u përpoq të na e dëshmojë në rastin e tij, gazetari dhe publicisti, Nuhi BYTYÇI madje duke e sjellë këtë ide, që në vetë titullin e librit të tij me memoare: LIBRI I LUFTËS, të cilin sot mund ta ketë në duar lexuesi shqiptar. Në gazetari, thuhet se, raportimi nga lufta është kulmi i profesionit tonë.

Po ashtu edhe ajo se, lufta është tregimi më i madh dhe më sfidues që mund të ndodhë në jetë ngase ajo “i jep gjithçka” një gazetari për t’u dëshmuar në profesionin e tij. Mirëpo, për ta dhënë kontributin e vetë, të nevojshëm si profesionist, gazetari i luftës, para së gjithash, duhet të shkojë tek ajo luftë për të raportuar, mu ashtu siç e bëri miku ynë, Nuhi Bytyçi, detajet e odhiseiadës së të cilit, si gazetar i guximshëm, profesionist dhe i përkushtuar, si kronist i një kohe, i mësojmë në lundrimin tonë si lexues, nëpër të dymbëdhjetë kapitujt e librit të tij mbi luftën dhe paqen e gënjeshtërt, që përfshin një hark kohor prej, më se, katër dekadave.

Një zë i rrallë dhe i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare LIBRI I LUFTËS është libër ku kuptohet se, vetëm për një gazetar dhe një publicist të mirë, raporti i tij me njerëzit dhe me ngjarjet, në fakt, është, vetë, një luftë e vazhdueshme. Në bazë të një parimi etik mbi dilemat njerëzore të raportit ndërmjet jetës dhe vdekjes, (kjo është doktrinë që mësohet në filozofinë e gazetarisë) thuhet se: nuk ekzistojnë ndonjë ngjarje për të cilën ia vlen që dikush ta lë kokën.

A thua është kështu?! Është e dëshmuar, tashmë, se, te një reporter i mirëfilltë lufte, gjithmonë ekzistojnë një duzinë ngjarjesh, motivesh dhe kauzash për të cilat ia vlen që të rrezikohet, por, edhe të mbijetohet, disi, ashtu, brenda ndjeshmërisë së asaj që e thotë edhe At Zef Pllumi, pra: të rrnohet vetëm për me tregue. Ndoshta vetëm për këtë, më së shumti. Ky, në fakt, është mision i një gazetari të mirë siç është Nuhiu. Nuhi Bytyçit që rrezikoi aq shumë në profesion, gjatë luftës sonë çlirimtare. Pse? Ngase, për të, raportimi më i mirë nga lufta është, në thelb, një raportim kundër vetë luftës. Ai është një raportim për paqe. Një raportim për liri dhe për të ardhmen. Një raportim për t'i rrëfyer ngjarjet dramatike të atilla siç ishin.

Një raportim që është më shumë se kaq - një kauzë për të cilën ia vlen të rrezikohet aq shumë sa edhe vetë jeta. Nëse, përmes LIBRIT TË LUFTËS, analizohet puna e Nuhi Bytyçit si gazetar krizash, reporter luftash dhe pjesëmarrës i ngjarjeve të mëdha historike në Kosovë, dhe jo vetëm, e që do të ishte një analizë pragmatike, megjithatë, mendoj se, nuk është e nevojshme që të parashtrohen pyetje dhe të krijohen dilema mbi atë se: a thua, e tëra kjo punë e rrezikshme, me kaq sfida, ndodhi dhe adrenalinë, nga autori u bë për shkak të profesionit apo, mbase, edhe, për shkak të kënaqësisë që krijon ky profesion prej reporterit të luftës, kënaqësi kjo të cilën mund ta krijojë gazetaria si asnjë profesion dhe asnjë art tjetër që njohim dhe idealet e gazetarit.

Unë, sinqerisht, mendoj se, tek Nuhiu, në fakt, që të dyja këto komponentë ishin të binjakzuara dhe të pandara gjatë gjithë kohës në të cilën raportoi, gjithandej. Ndaj dhe, mund të thuhet se, LIBRI I LUFTËS na e tregon se, zëri i Nuhi Bytyçit është një zë i rrallë dhe i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në përgjithësi. Thjeshtë, një prej zërave më të veçantë që pati gazetaria shqiptare deri më sot. Është zë që e tipizon një gazetar të mirë.

Që e portretizon atë duke e shkëputur, thjeshtë, nga mediokriteti në profesion. Gazetari që, me punën e tij lë gjurmë të pashlyera në jetën e njerëzve. Tregim përmes të cilit ushqehet funksionaliteti shpirtëror i një kombi Siç e shohim në këtë libër voluminoz të Nuhi Bytyçit, kjo që na solli ai, është, një zë kujtimesh i cili tingëllon aq qartë në mjedisin nga i cili buroi dhe të cilit i përket plotësisht sa që, nganjëherë, lëvizë si ndonjë kaleidioskop, ku, të gjithë ne mund ta gjejmë veten tonë, qoftë si protagonist apo edhe antagonist ngjarjesh.

Zëri i N. Bytyçit është një zë i pamëdyshur dhe i pa ngulfatur nga kushdo që e mëtoi ta bëjë këtë gjë dhe i cili u dha dhe u jep jehnonë të tëra atyre ngjarjeve, atyre ndodhive dhe bartëstve të tyre për kohën e caktuar si dhe për brezat që do të vijnë më pas. Kështu, Nuhiu e shkroi historinë e atyre që janë dhe historinë e atyre që nuk janë (K. Trebeshina). Thjeshtë, LIBRI I LUFTËS i Nuhiut është dëshmia më e mirë e asaj, siç e tha me një rast baca Adem Demaçi, se, secili zog këndon me zërin e vetë, e që, në rastin konkret, është vetë zëri i NUHIUT.

Ky libër i Nuhi Bytyçit është një kronikë e ngjarjeve dramatike të çerekut të fundit të shekullit XX në Kosovë, që u përcoll me ndryshime të fuqishme të të menduarit dhe të të vepruarit të shoqërisë shqiptare në ish-Jugosllavi. LIBRI I LUFTËS, shpalos esencat e lëvizjeve politike në Kosovë, sidomos pas ngjarjeve historike të vitit 1981 dhe demonstratave studentore, e që u përmbyllen me luftën epike të shqiptarëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila popullin tonë e solli deri tek Liria më 1999.

Libër që e ringjallë dhe e rifreskon kujtesen tonë kolektive dhe individuale, por, duke mos mbetur vetëm një narracion vetëm nga e kaluara, por edhe një tregim funksional i një kronisti të kohës që na i riktheu në mbamendje ngjarjet dhe historitë, vuajtjet dhe heroizmat mitike të atyre, që me mund dhe sakrificë i thurën lavdi vetes, historisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Tregim përmes të cilit ushqehet funksionaliteti shpirtëror i një kombi dhe një vendi.