SHTKK-ja organizon konferencë shkencore në Medvegjë

SHTKK-ja organizon konferencë shkencore në Medvegjë

Kultura mars 12, 2019 - 15:01
Lexo më shumë detaje

 

Shoqata për Trashëgimi dhe  Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në  Preshevë organizon konferencë shkencore me temën “Veshja Shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera”.

Pjesëmarrës në konferencë do të jenë studiues dhe përfaqësues nga të gjitha trevat,  Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal i Zi, Itali, Lugina e Preshevës, mërgata.

Koha e paraqitjes së temës, abstrakti dhe punimi për konferencë dorëzohet deri më 20 prill 2019.

Sipas kritereve, tema e punimit do të jetë 8 deri 20 faqe dhe koha e referimit në konferencë do të jetë e kufizuar në 10 minuta.

Hartimi, publikimi i programit të konferencës dhe njoftimi i pjesëmarrësve bëhet më 25 prill 2019.

Sic njoftohet nga kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe  Krijimtari Kulturore, Xhemaledin Salihu, qëllimi i konferencës është shqyrtimi dhe trajtimi shkencor i veshjes shqiptare të Medvegjës dhe viseve të tjera.

Sipas tij, synimi i konferencës është botimi komplet i materialit në një publikim, vepër. “Medvegja dhe viset të tjera kanë një pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme, e cila nuk është hulumtuar, studiuar, trajtuar e shqyrtuar shkencërisht sa duhet”, thekson Salihu.

Veshja shqiptare në Medvegjë dhe viseve të tjera, pjesë e trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme, e përcjellë brez pas brezi, është krijuar në shekuj e në vijimësi nga bashkësitë dhe grupet në funksion të mjedisit të tyre dhe u jep atyre ndjenjën e identitetit dhe vazhdimësisë, duke ndihmuar kështu për promovimin e respektit për diversitetin kulturor dhe të krijimtarisë tradicionale njerëzore.

“Qëllimi kryesor i saj është që në suaza të mundësisë, ajo të hulumtohet, studiohet, trajtohet dhe shqyrtohet me metoda shkencore, pastaj për ta përmbledhur në një libër për publikun, për të arriturat,  sidomos të Medvegjës dhe viseve tjera në këtë lëmi, të trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme”, njofton për “Zërin”, Salihu.

Bordi i Konferencës do të jetë në përbërje të Rovena Vata- albanologe, Naile Imami-albanologe, Xhemaledin Salihu-profesor dhe studiues, Muharrem Salihu- biznesmen dhe Rrahman Hyseniu, shkrimtar.

Këshilli drejtues i SHTKK-së, njofton gazetën “Zëri”, se studiuesit pjesëmarrës pjesëmarrës në konferencë marrin pjesë edhe në Manifestimin “Takimet e Vendlindjes në Tupallë të Medvegjës”,  më 1 Maj 2019, me fillim në ora 12. Studiuesit nga Shqipëria, Maqedonia dhe anëtarët e Këshillit organizativ duhet të takohen në Preshevë me 1 maj 2019, në ora 8 të mëngjesit kur edhe bëhet nisja me autobus për në Medvegjë, për të arritur në Manifestimin “Takimet e Vendlindjes në Medvegjë”, më 1 maj 2019, në ora 12, për t’i përcjellur si studiues.Studiuesit-pjesëmarrës dhe anëtarët e Këshillit organizativ mbesin në Medvegjë, ku është siguruar vendosja e tyre, deri të nesërmen, më 2 maj 2019, për në  Konferencë.

Në kuadër të Konferencës do të organizohen edhe aktivitete përcjellëse kulturore. D.E ZERI