Ngec themelimi i shkollës së baletit

Ngec themelimi i shkollës së baletit

Kultura mars 12, 2019 - 10:01
Lexo më shumë detaje
Image

Si rezultat i nevojës së krijimit të një shkolle, në të cilën do të bëhet arsimimi dhe përgatitja e kuadrit për Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, ka nisur edhe kërkesa e këtyre të fundit për themelimin e shkollës së baletit. Në emër të tyre Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë themelimin e kësaj shkolle ia kërkoi edhe i pari i Kulturës në vend, Kujtim Gashi. Këtë ministri Gashi e bëri duke ia nisur një letër homologut të tij Shyqyri Bytyqit.

Edhe pse nga Ministria e Arsimit patën thënë për “Zërin” se ka një interesim e përkushtim nga ana e ministrit Bytyqi dhe se në gjysmën e janarit të këtij viti do të themelohet grupi punues, një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.  “Janë dakorduar që ky proces të fillojë zbatimin që nga gjysma e janarit të këtij viti dhe të themelohet grupi punues. Ministri ka vendosur ta formojë një grup punues dhe në këtë grup do të jetë e përfshirë dhe Ministria e Kulturës, ku do të fillohet edhe procesi i analizës e i themelimit sa më të shpejtë të kësaj shkolle”, pati theksuar zëdhënësi i MASHT-it Gashi.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimajn, i cili ka konfirmuar se nuk i është bërë asnjë thirrje e vetme për t’u takuar në lidhje me ecurinë e procesit të shkollës së baletit. “Asnjë arsyetim, asnjë fjalë më nuk është thënë nga MASHT-i, ne mbesim me shpresën se do të na bëhet thirrje dhe të lëvizë diçka. Munden të arsyetohen pak edhe shkaku i grevës, por ky nuk mund të jetë ku e di se çfarë arsyetimi. Nuk na kanë lajmëruar të paktën për asgjë, takimin e patëm lënë në gjysmën e janarit, por nuk kanë vazhduar kontaktet as me ministrin e Arsimit, ose të paktën me ndonjë zëdhënës, këshilltarë. Neve na ka marrë mendja se këtë punë e kanë marrë shumë seriozisht, por nuk është dëshmuar ky fakt”, u shpreh për “Zërin” Brahimaj duke shtuar tutje se janë shumë të interesuar, ngase kjo ide është jetike dhe koha është që edhe gjeneratave të reja të Kosovës t’u krijohen kushtet.

Sinan Kajtazi, balerin në Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ky vit do të kujtohet si vit i suksesshëm, meqë ky institucion kulturor ka realizuar afër njëzet shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës, si: Berlin, Hamburg, Paris, Helsinki, Ruse, Sveti Vlas, paraqitje këto që sipas Kajtazit u pasqyruan edhe ne mediet evropiane. “Ky vit mund të quhet i jashtëzakonshëm për një institucion kulturor që edhe pse në kushte të vështira të punës gjithmonë ka dhënë më të mirën nga vetja, në emër të pasionit dhe të përgjegjësisë ndaj publikut. Shkolla e baletit nga e cila kanë dalë këto gjenerata, ka funksionuar për mrekulli për aq kohë sa ka qenë në harmoni të plotë me Baletin Kombëtar të Kosovës, duke nxjerrë kështu kuadro të cilat sot përbëjnë trupën e BKK-së. Për fat të keq, që nga koha kur ky bashkëpunim në mes të BKK-së dhe Degës së Baletit në shkollën e muzikës ‘Prenk Jakova’ është ndërprerë, nuk kemi as edhe një balerin të vetëm të dalë nga kjo Degë”, vlerëson Kajtazi.

Kajtazi thotë se Shkolla Kombëtare e Baletit, përveçqë do ishte garanci i së ardhmes për Baletin Kombëtar të Kosovës, në të njëjtën kohë do të ishte edhe një mundësi e merituar për të rinjtë që dëshirojnë të merren me artin e baletit, i cili i vë theks edhe fatit që ka shumë të interesuar.

Kajtazi e vlerëson kërkesën që është bërë nga Ahmet Brahimaj për shkollën kombëtare të baletit, kërkesë kjo që është marrë parasysh nga ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili vitin e kaluar i pati drejtuar letër ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi të marrë hapa në këtë drejtim. “Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë mbështetje në këtë drejtim edhe nga kryetari i Kuvendit dhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Baleti Kombëtar i Kosovës është një storie suksesi, qoftë në Kosovë, qoftë në vende të ndryshme të botës”, ka thënë Kajtazi, që ndërkohë kujton se edhe pse i rithemeluar pas lufte në kushte të jashtëzakonshme ka arritur të sjellë në Prishtinë koreografë nga shumë vende të botës, si: Shqipëria, Maqedonia Veriore, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Austria, Italia, Turqia, Kina, Bullgaria, Kuba, Rusia e sipas tij falë rezultateve të treguara BKK-ja ka qenë shçnjestër i shumë medieve të huaja, ku i është realizuar edhe dokumentari për Baletin Kombëtar të Kosovës, i realizuar nga kanali i famshëm evropian “Arte” në fillim të këtij viti. “Baleti Kombëtar i Kosovës është një aset kulturor i vendit tonë dhe e kemi për obligim ta garantojmë të ardhmen e tij. Duke pasur parasysh që baleti është profesion jetëshkurtër, mënyra më e mirë e ruajtjes dhe e vazhdimit të funksionimit të këtij institucioni do të bëhej përmes edukimit të gjeneratave të reja të balerinëve dhe këto gjenerata të reja vijnë vetëm pas ndërtimit të shkollës kombëtare të baletit, e cila duhet të jetë në harmoni të plotë me Ministrinë e Arsimit dhe me Baletin Kombëtar të Kosovës”, përfundon fjalën e tij Kajtazi

Kujtojmë se në fund të vitit 2018 ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i pati shkruar një letër ministrit të Arsimit, Shyqri Bytyqi duke i kërkuar të themelojë shkollën kombëtare të baletit në Kosovë. Kjo kërkesë ka buruar si iniciativë duke u parë si interes kombëtar, por edhe për faktin se nuk ka një shkollë të këtillë ose institucion arsimor, në të cilin bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Image