“Dodona” mirëpret “Komedinë e kuqe” të Albana Mujës

“Dodona” mirëpret “Komedinë e kuqe” të Albana Mujës

Kultura mars 11, 2019 - 10:17
Lexo më shumë detaje

 

Teatri “Dodona” do ta mirëpresë shfaqjen mysafire “Komedi e kuqe” nga Teatri i qytetit të Mitrovicës. Siç njoftohet, shfaqja që do të prezantohet në teatër ka për synim të provokojë shikuesin me një temë e cila trajton një periudhë jete të një çifti, Agimes dhe Fisnikut, të cilët zgjodhën të jetojnë në Gjermani, megjithëse supozohet në një jetë stabile të çiftit dhe në fund del të jetë diçka tjetër.

Shfaqja e Albana Mujës dhe me regji të Kreshnike Osmanit me anë të komikes vë çiftin në sprovë dhe shfaq mungesën e lumturisë së tyre për vite të tëra të bashkëjetesës.

Edhe më në dukje vihet ky fakt pasi Fisniku kinse për të fituar një shumë të caktuar të hollash vendos të martohet me një vajzë nga Kosova, duke ia mundësuar kështu asaj lejeqendrimin në shtetin gjerman. Ardhja e kësaj vajze të quajtur Rilindje, e cila është e detyruar të jetojë me çiftin, na jep mundësinë të shohim situata dramatike, por gjithashtu arrin të shfaqë edhe kthesa dramatike të papritura.

Jo vetëm ky trekëndësh i “Komedisë së Kuqe”, por shumë të rinj në kërkim të një jete më të mirë gjenden para zgjedhjeve hiç të përshtatshme, madje banale, të shtyrë për t’i realizuar ëndrrat e tyre, mësohet nga njoftimi për prezantimin e shfaqjes.

Xhejlane Terbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi janë aktorët që do të luajnë në shfaqjen e Albana Mujës.

Teatri “Dodona” do ta mirëpresë shfaqjen më datën 12 mars, në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes.