Libri i javës     “Njeriu shumëdimensional” nga Hasnije Ilazi

Libri i javës “Njeriu shumëdimensional” nga Hasnije Ilazi

Kultura mars 11, 2019 - 10:15
Lexo më shumë detaje

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Njeriu shumëdimensional” nga Hasnije Ilazi.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese “Pema” në Prishtinë, është një hulumtim mbi konceptin e njeriut në filozofinë e Charles Taylorit dhe përmes tij autorja Hasnije Ilazi mëton të japë përgjigje rreth mënyrës së vetëformësimit të identitetit modern te njeriu.

Siç e thotë edhe vetë Ilazi në parathënien e librit “Njeriu shumëdimensional”, ky libër ka për qëllim të ofrojë një përgjigje paksa të devijuar nga ajo fillestare dhe shumë të kërkuar nga ana e saj si autore e librit. Këtu ekskluziviteti i pyetjes çka apo kush është njeriu modern zgjerohet me pyetjen mbi ndryshimet që përcaktojnë bazamentin për ta kuptuar njeriun e sotëm si të tillë. “Ky libër mund të mos kuptohet si risi në përzgjedhjen tematike, mbase, siç thotë Kundera, ‘risia nuk është më e perceptueshme’. Megjithatë e pasqyron një përpjekje për të ngritur leksione të nxjerra nga eksperienca teorike dhe praktike mbi shoqërinë dhe njeriun e sotëm në nivel të meditimit filozofik”, shkruan autorja. “Njeriu shumëdimensional” ndahet në katër kapituj e ata janë: “Njeriu në mes të unit të brendshëm dhe botës së jashtme”, “E pashmangshmja shoqërore”, “Identiteti i njeriut modern”, “Njeriu si Unë i krijuar nga morali dhe shoqëria”. 

Studiuesi Muhamedin Kullashi shkruan se objektivin kryesor të librit të saj autorja e përkufizon si orvatje për të dhënë një përgjigje rreth mënyrës së vetëformësimit të identitetit modern të njeriut te Taylori, që implikon analiza të hollësishme të problemeve teorike që lidhen me individualizmin, politikën e pranimit (recognition), sekularizmin, lirinë dhe bashkësinë, identitetin e tranzicionin.

Autorja e këtij libri, Hasnije Ilazi, është aktive në jetën akademike qe një kohë shumë të gjatë. Përveç mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës dhe publikimeve të shumta, ajo ka numër të madh të paraqitjeve në konferenca, në seminare, në universitete ndërkombëtare dhe vendore dhe aktivitete hulumtuese. Kontribut të rëndësishëm prof. Ilazi ka dhënë edhe në fushën e hulumtimeve sociale, në zhvillimin e politikave publike dhe në studimet gjinore.

Librin e saj “Njeriu shumëdimensional” mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” për 6 euro.