Vata prezanton librin “Identitet kulturor përmes vlerash”

Vata prezanton librin “Identitet kulturor përmes vlerash”

Kultura mars 11, 2019 - 10:12
Lexo më shumë detaje
Image

Ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiueses Rovena Vata, që titullohet “Identitet kulturor përmes vlerash”, i botuar nga shtëpia botuese “Nacional” në Tiranë. Për gazetën “Zëri” studiuesja Vata ka sqaruar se pasqyra e lëndës ose trajtimi i temave të përfshira në këtë libër studimor të studiueses ndahet në tetë kapituj, ku trajtohen temat: figura e Skënderbeut mes historisë dhe letërsisë nga autor Gjikë Kuqali dhe Skënderbeu i mitizuar në poemën “Skënderbeu” i autorit Beqir Musliu.

Në kapitullin e dytë është trajtuar ndihmesa e revistës “Shejzat” në ruajtjen e identitetit kulturor e kombëtar, letërsia shqipe e ekzilit, rasti i Martin Camajt, pastaj ndihmesa e Martin Camajt në letrarizimin e miteve dhe të dokeve të zonës së Dukagjinit në romanin “Rrathë”.
Figura e shkrimtarit në syrin e lexuesit (Kadareja sipas Elenës në “Kohë e pamjaftueshme”),
folklori - amza e ndërtimit të rrëfenjave kuteliane, besëtytnia - element mbizotërues në rrëfenjat e Kutelit, goditja e zakonit dhe të veseve shqiptare përmes satirës në komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” të Çajupit, Lef Nosi si mbledhës i folklorit në arkivin e IAKSA-së, frymimi shqip i kulteve, dokeve, zakoneve dhe i simboleve kombëtare në Zonën e Hotit, epika legjendare e Rugovës, vlerë kombëtare dhe shpirtërore, sfidat  e kritikës letrare shqiptare në studimin e letërsisë pas viteve të ’90-ta, pleqëria në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, recensionet si vepra dhe krijimtaria e Bedri Halimit kërkon vëmendje, studim dhe interes nga studiuesit shqiptarë, recension mbi librin për fëmijë, të titulluar “Ëndrra që më dha gëzim” të Bilall Maliqit. Recension mbi librin “Gazulloret”, traditë shqiptare në Rilindjen Evropiane me autor Gjon Markun.

Libri i autores Vata është vlerësuar nga studiues e kritikë. Zeqirja Neziri ka vlerësuar se libri i autores ka artikuj studimorë që temë të përbashkët kanë vlerat identitare kombëtare shqiptare. Neziri ka shkruar se libri paraqet një ndihmesë të madhe e shumë të çmueshme në njohjen e kulturës antropologjike e folklorike shqiptare përmes ruajtjes e kultivimit të llojeve të ndryshme të saj (gojore e të shkruara). “Është një tregues i mirë i  studimit të saj dhe krijon mundësinë e njohjes së këtij kontributi në pasurimin e traditës botërore të ruajtjes e të kultivimit, të jetesës e (funksionalizimit të kulturës antropologjike shqiptare si një kulturë me një lashtësi shumë të thellë historike dhe autoktone që ka nevojë të përhapet dhe të afirmohet”, vlerësoi ai.

Martin Berishaj shkruan se autorja Rovena Vata në studimin e saj e thyen njëtrajtshmërinë e të menduarit dhe të vazhdimësisë së tekstit. “Aty kur lexuesi pret vazhdimin e një diskursi, zhanri ose mendësie letrare e ndërpret, por jo dhunshëm, ajo e rikthen në vlera, në rrënjët që lëvizin. E kthen në të drejtën zakonore në Kanunin e Lekë Dukagjinit, por jo në formën e pranimit të asaj të drejte zakonore si diçka të egër, si ligj që i ka kaluar koha”, shkruan Berishaj, i cili më tutje theksin e vë te lexuesi i këtij libri, që autorja lexuesin e rikujton në rrënjë, në vazhdimësi. E sipas tij studimi nuk e bën lexuesin të ketë ankth ose ndjenjë të padurueshme të qenies së të lexuarit, por duke ta rikujtuar sistemin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar qenia jonë.

Ndërsa shkrimtari Bilall Maliqi ka vlerësuar se në këtë libër me përmbledhje me trajtesa, studime, artikuj e recensione lexuesit dhe studiuesit që merren me këto studime të thukëta të studiueses mund të gjejnë shumëçka që u intereson, që nuk e kanë lexuar më parë, duke dhënë materiale të karakterit shkencor e studimor. “Ky libër do t’i ketë pa dyshim lexuesit e vet të sinqertë, lexues që në të ardhmen do të shërbehen nga ky libër, sepse në lëndën tematike të librit kemi një kolorit të trajtesave e të studimeve profesionale dhe shkencore të Rovenës, e cila vërtet është një studiuese e kalibrit të lartë”, shkruan Maliqi, që po ashtu thekson se ky libër shkencor do të lexohet, do të rilexohet, do të komentohet dhe do të studiohet nga studiues korrektë për t’ia dhënë vlerën e pakontestueshme e që sipas tij ky libër i bën nder kulturës studimore e shkencore shqiptare.

Në këtë libër me përmbledhje me trajtesa, studime, artikuj e recensione lexuesit dhe studiuesit gjejnë trajtesa të karakterit shkencor dhe studimor, ku studiuesja dr. Vatathekson thotë se ka punuar për këtë libër 5 vjet.
Rovena Vata ka fituar gradën shkencore “Doktor” në studime letrare në specialitetin “Mitologjia shqiptare”, në Tiranë. Veprimtarinë e mësimdhënies e ka ushtruar në disa institucione të arsimit të lartë, në Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në Universitetin e Prizrenit, të Gjakovës e të Durrësit. 

Veprimtaria e saj kërkimore është konkretizuar prej vitit 2011 me pjesëmarrjen e vazhdueshme në shumë konferenca shkencore, seminare e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare dhe me botime e studime artikujsh shkencorë në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Ky është libri i tretë i studiueses që vjen pas monografisë shkencore “Miti i malit në letërsinë shqipe, Fishta, Koliqi, Migjeni e Camaj”, të botuar në vitin 2013 dhe librit me studime “Urë fjalësh midis letërsisë dhe antropologjisë”, të botuar në vitin 2015.

Image