Shkrimtarët e mërgatës me shkrime kujtojnë atdheun

Kultura February 22, 2019 - 11:51
Lexoni detajet e fundit
Image

Maji i vitit 2012 shënon kohën kur pas dorëheqjes së kryetarit të parë Martin Çunit u mbajt kuvendi zgjedhor dhe në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, të Artistëve dhe të Krijuesve Shqiptarë në Gjermani u vendos në krye Hasan Qyqalla, Shkruan Gazeta Zëri.


Pas një aktiviteti shumë intensiv dhe pas kontakteve e këshillave të njëpasnjëshme u organizuan edhe krijuesit tjerë në gjithë Evropën e më gjerë. Më pastaj, siç mësohet nga kryetari i Lidhjes, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes asociacioneve të tyre, si me Austrinë, me Suedinë, me Norvegjinë, me Zvicrën, duke harruar edhe kontaktet virtuale që kishin vënë me krijuesit në SHBA, në Zelandë të Re, në Kanada. 
Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë, për gazetën “Zëri” ka rrëfyer në detaje se cili është qëllimi dhe si funksionon kjo Shoqatë Shkrimtarësh. Çdo gjë ka filluar me përpilimin e statutit, ku është dakorduar që kuvendi të mbahet në Gjermani, përkatësisht në Koblenz, më 23 e 24 nëntor 2013. Nga Qyqalla mësohet se aty kishin qenë të pranishëm të gjithë delegatët e përfaqësuesit e asociacioneve simotra nga vende të ndryshme të botës, ministri Makolli, përfaqësues diplomatik i të dyja shteteve shqiptare, pastaj edhe figura publike, si: Adem Demaçi, Flora Brovina, Zejnepe Alili-Rexhepi, Isak Shema,  Migena Arllati dhe të tjerë. “Pas një pune, aspak të lehtë, miratuam statutin dhe vendosëm të quhet ‘Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë’ (LKSHM). Më pas me shumicë absolute votash u zgjodha kryetar - Hasan Qyqalla, kurse Fran Tanushi sekretar e Mentor Thaqi sekretar administrativ”, thekson Qyqalla, që ndër tjerash tregon se Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) numëron 120 krijues aktivë nga mbarë bota e emigracionit shqiptar. 

I pyetur se cila është tematika që zhvillohet në krijimtarinë e shkrimtarëve të kësaj Shoqate, Qyqalla ka thënë se tematikat nuk janë të limituara e as të prenotuar në krijimtari në përgjithësi, pavarësisht zhanreve që kultivojnë, por nuk do mend se malli, ndjenja, dashuria për më të dashurit e vendlindja sikur janë lajtmotiv dominues në opusin e tyre krijues. Kurse sa i përket asaj se sa botimet e shkrimtarëve shqiptarë që veprojnë jashtë trojeve shqiptare janë afër duarve të lexuesve shqiptarë, Qyqalla ka thënë se vetë fakti që organizohen e promovojnë vlerat krijuese në gjithë hapësirat tona kombëtare, veçanërisht gjatë pushimeve verore, është barometri më justifikues i gërshetimeve krijuese mes vendorëve dhe atyre nga mërgata.

“Si LKSHM çdo vit organizojmë festivalin tradicional ‘Promenadë mërgimtare’, në të cilin shpallim konkursin letrar për gjithë krijuesit mbarëkombëtarë. Aty, përveç shkëmbimit të eksperiencave, këmbejmë librat dhe kështu intensifikojmë bashkëpunimin tonë. Pra krijimet e mërgimtarëve gjenden në gjithë hapësirat tona kombëtare”, tha kryetari i Shoqatës. 

Në pyetjen se si është arritur të mblidhen dhe të organizohen shkrimtarë e poetë, kryetari Qyqalla ka thënë se zhvillimi ose avancimi i teknologjisë së komunikimit është aq shumë i avancuar, saqë është forma më e efikase dhe konstruktive e bashkërendimit drejt organizimeve tona të përbashkëta. “Nuk do të isha i sinqertë nëse nuk përmend bashkëpunimin dhe bashkërendimin e organizimeve tona, të koordinuara mirë me Ministrinë e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike të Kosovës, e tash së fundmi edhe me Ministrinë e Shtetit për Diasporën të Shqipërisë. Por promotori i gjithë aktiviteteve tona në botën e emigracionit janë afaristët tanë, që na mbështesin në çdo kohë. Mes tjerëve, s'mund t'i shmangem pa përmendur Sami Hysenin, Xhelil Musën, Bekim Gashin,  Ramiz Muharremin, Ilir Mulakun, koordinatori Musa Mulollin dhe të tjerë”, rrëfen për gazetën “Zëri”, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. 
Sa bashkëpunohet me shkrimtarë të huaj dhe a shkruhet për t’u ruajtur nostalgjia e shkrimeve shqipe, Qyqalla vlerëson se synimi i tyre dhe pika neuralgjike është që të depërtohet në komunitetin krijues vendor dhe komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë në shtetet përkatëse. “Një gërshetim vlerash letrare e promovojnë të gjitha asociacionet simotra, varësisht në shtetin ku jetojnë e ku krijojnë. Fundja, arti është forma më emblematike e integrimeve dhe e gërshetimeve të kulturave mes popujve”, tha ai.

Organizimi i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë funksionon me statut. Qyqalla për “Zërin” ka thënë se “nëse morali i shtetit është ligji, unë kujtoj se morali i funksionimit të një shoqate është statuti”. Ai ka treguar se LKSHM-ja është e regjistruar në Gjykatën Administrative në Koblenz.
Se sa shpesh mblidhen dhe ndajnë krijimet brenda këtij grupi krijuesish, Qyqalla njofton se duke u bazuar në Statutin e LKSHM-së që nga themelimi ka tri projekte vjetore të cilat duhet të realizohen medoemos. Ato janë: "Pavarësia poetike" (që mbahen në shkurt ose në mars, gjithnjë në vigjilje të festës së shpalljes së Pavarësisë të Kosovës), "Promenadë mërgimtare" që mbahen çdo 5 gusht (përjashtim, nëse është fundjavë) dhe “Nëntori poetik” gjithnjë në vigjilje të festave kombëtare të Nëntorit. “Për të qenë më intensifikues, veçanërisht nga vlerat letrare ose prurjet e reja, të gjitha këto festivale janë tradicionale dhe kanë karakter garues. Prandaj krenohemi me vlerat kreative të krijuesve nga gjithë bota e migracionit shqiptar:, thekson Qyqalla.

Një aktivitet i rëndësishëm i kësaj Shoqate është pjesëmarrja në Panairin e Librit, i cili mbahet në Frankfurt çdo vit. Dhe kjo sipas tij është arritur të realizohet falë koordinatores dhe zëdhënëses së LKSHM-së,  Sevëme Fetiqi.  Ata bëjnë edhe organizime në raste të veçanta, si për Ali Podrimjën, Martin Camajn, Adem Demaçin, Latif Berisha e tash së fundmi po përgatisin një akademi përkujtimore për albanologun e njohur Idriz Ajeti./GazetaZëri/