Universiteti është institucion i vlerave të pashoqe dhe të pamatshme

Kultura February 21, 2019 - 10:29
Lexo më shumë detaje

Arsim Canolli

Universitetin e ka kapluar stuhia e “output-it” të diktuar nga politikat e skajshme neoliberale dhe utopitë progresive radikale. Politikanët e të djathtës ideologjike, që nuk shohin përtej “output”-it për tregun, duan t’i shndërrojnë universitetet në shkolla praktike, ku mësohen “shkathtësitë” për treg, duke harruar që universiteti është, para së gjithash, vend i pjekurisë së mendimit. Sepse, shkathtësitë specifike mësohen në shkolla profesionale. Në universitet, studenti nuk do të duhej të mësonte vetëm “shkathtësi”, por do të duhej të mendonte, të diskutonte në mënyrë kritike, të vendoste pikëpyetje, të niste aventurë të re të maturimit akademik, të ndeshej me botëkuptimet e ndryshme, etj. Po ashtu, në pjesë e së djathtës ideologjike në vende të ndryshme promovon proteksionizëm (lexo: izolim) ekonomik e kulturor, retorikë politike të përfshirjes por praktikë të përjashtimit e plot maskarada politike të llojit të vet. Pra, e djathta ideologjike, promovon tranformimin radikal të universitetit që të përshtatet vetëm me tregun dhe ka rrënuar universitetin duke e bërë “korridor trajnues” të tregut.

Në anën tjetër, e majta ideologjike, nën hijen e së cilës operojnë falanga të shumta radikale, dëshiron ta shndërrojë universitetin në “kamp trajnimi” kundër gati gjithçkasë. Feministët radikalë urrejnë gjithë sistemin që sipas tyre po ushqejka patriarkalitetin, postmodernistët urrejnë historinë, shkencën, politikën, e gjithçka që synon të ketë autoritet, avokatët e drejtësisë sociale urrejnë çdo lloj të drejte që nuk është e bazuar në prodhimin e rezultateve të barabarta (jo mundësive, por rezultateve) për secilin individ, ambientalistët utopikë duan utopinë e natyrës virgjëre dhe protestojnë edhe ndaj atyre që pështyjnë në mal, scientistët ultraracionalistë synojnë të shpjegojnë jetën morale sipas shkencave ekzakte, ateistët militarë e kanë krijuar njëfarë religjioni kundër religjioneve që kritikojnë, etj. Pra, e majta është thërmijëzuar në falanga urrejtëse prej më të ndryshmeve, të cilat duan të fitojnë “hegjemoninë” në sferë publike, sepse asgjë s’është me vlerë sipas tyre, por duhet ngarendur për të fituar primatin në betejën pushtetare të grupeve. Psikologu i mirënjohur amerikan, Jonathan Haidt ka theksuar herë pas herë, duke shkruar libra për këtë punë, se universitetet amerikane (të cilat i ka studiuar) janë duke rrëshqitur drejt një ideologjizmi të rreptë (90% i majtë) dhe një korrektësie politike që po ngulfat jetën e lirinë akademike atje. Edhe në Evropë, kemi një shtrirje të madhe të ngulfatjes së lirisë akademike nga korrektësia politike, vellon kjo e qëndisur nga ideologjia progresive majtiste.

Në anën tjetër kemi edhe “watchdog”-ët apo organizatat joqeveritare apo jofitimprurëse, të cilat sponsorizohen edhe prej kurdisjeve neoliberale edhe prej atyre progresive socialiste. Këto organizata sponsorizohen për të krijuar shamatën e nevojshme, për të legjitimuar idenë se “sipas këtyre kritereve” e “atyre konventave” gjërat janë duke shkuar shumë keq. Pra, sektori jofitimprurës është edhe simahor në formimin e kritereve, të cilat janë bërë kryesisht arbitrare, edhe në monitorimin dhe vlerësimin e tyre. Ata janë ekspertët dhe analistët, kravatëhollët e fondeve të panumërta që kridhen para pasqyrave me dy faqe të ideologjive bashkëkohore. Sa herë hap mediet, vëren se këta pedanta kravatëhollë e kryedushk, shkruajnë raporte, japin rekomandime, formojnë komisione, organizojnë takime e tryeza me politikanë e sponsorë. Ata janë “watchdog”-ët e sertë të universitetit. Jo të gjitha, por shumica prej tyre.

Thënë shkurt: parimet themelore që kanë krijuar e mbajtur gjallë universitetin perëndimor janë duke u sulmuar nga të gjitha anët. Sot ka pak shpresë nga akademikët se do të vazhdojnë të gëzojnë lirinë akademike në universitet. Në fakt shumë akademikë në Britani e SHBA, kanë filluar të mendojnë për hapje të universiteteve të reja me bazë filantropike, për të vazhduar kultivimin e lirisë akademike e mendimit kritik. Por, edhe kjo është vështirë të bëhet, sepse sot “mendimi kritik” është uzurpuar nga aktivistët e së majtës: prapa këtij “mendimi kritik” të propaganduar nga e majta radikale fshihet ideja e aktivizmistikës. Studentët trajnohen se si të sulmojnë autoritetin, duke aluduar se gjithçka që është autoritet, është armik i mendimit kritik. Pra, mendimi kritik është shndërruar tani në masë të madhe një platformë për trushpëlarje, është bërë kameleon i mendimit kritik të bazuar në respekt për evidencë, analizë joemocionale e përmirësim kritik i argumentit e idesë. Mjafton të lexosh përmbajtjen e një kursi të “mendimit kritik” nëpër universitete, nëpër shkolla verore e nëpër punëtori të cilat jepen falas. Rrallë gjen diçka prej tyre që nuk mund ta quash investim ideologjik për të transformuar rrënjësisht universitetin në një universitet “kamp militantis”, kundër çdo sistemi vlerash. Pse? Sepse sipas këtyre mohuesve të gjithçkaje, vlerat e krijuara nga tradita institucionale janë relative, të rreme, të padrejta, etj. Ata nuk duan përmirësime, por transformime rrënjësore.

Më e keqja, ideologjia utopike majtiste po bëhet bashkë me ideologjinë komerciale djathtiste. (Në aspektin komercial shpeshherë bashkohen të dyja). Në dekadat e fundit, të djathtët ideologjikë donin të krijon universitete të bazuara në “sistem të shkathtësive të matshme” për t’i aftësuar studentët për treg, të majtët ideologjikë donin të krijonin universitet të bazuar në “sistem të shkathtësive të matshme” për t’i aftësuar për aktivizëm në rrugë. Këto pole po bashkohen në formë patkoi në idenë e “transformimit radikal” të universitetit, për ta shndërruar atë në mësojtore të disa “nevojave” e zanateve e shkathtësive. Ky unitet i poleve të patkoit ngulfatës, po shkatërron idenë e universitetit si është konceptuar: të pamatshëm si vlerë, të pazëvendësueshëm si institucion i lirë, të painteres në shtegun ideologjik, të pashoq në interesin e painteres.

Diskutimi për universitetin është shndërruar në një melodramë kakofonike, ku rrallë dëgjon një melodi unike. Edhe nëse dëgjon diçka të tillë, do të jetë një “vox clamantis in deserto”, si do të thoshte Anton Pashku. Sepse shumica e atyre që vendosin për universitetin, atyre që flasin në emër të universitetit, kanë botëkuptime asofare si i përmenda më lart. Nëse dëgjon drejtuesit e universitetit, këtë e vërteton menjëherë. Në fjalë shkumon ideologjia transformative radikale, e bazuar në përçmim, gulçim e mosdije. Ku dua të dal?

Dua të dal te një fakt i vetëm. Te Universiteti i Prishtinës. Pse? Sepse liria akademike e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është sulmuar dhe shtrënguar mjaft shumë së fundi, sidomos pas ndërhyrjeve arbitrare të Ministrisë së Arsimit. Ministrat që vijnë në këtë Ministri, gjithmonë kanë “vizione” utopike se si do ta transformojnë Universitetin e Prishtinës. Çuditërisht të gjithë e shohin transformimin si ndërhyrje kontrolluese. Kontrolloje e shtrëngoje e centralizoje sa më shumë sepse nuk zhvillohet ndryshe! Kjo duket të jetë motoja e të gjithëve. Ndonëse buxheti për kërkimin shkencor, që është themeli i universitetit, nuk është rritur aq sa duhet, ideja e transformimit me anë të kontrollimit vazhdon të jetë ideja kryesore e Ministrisë së Arsimit, pavarësisht ndërrimit të ministrave. Por, ku është fjala konkretisht?

Dua ta sjell në pah idenë e transformimit të universitetit të dhënë në deklaratat e Ministrit të Arsimit, z. Bytyqi dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, profesorit Demaj, në një debat televiziv (Rubikon, KTV, 14.02.2019). Edhe Ministri Bytyqi edhe rektori Demaj, folën për problemet e UP-së dhe radhiten të bëmat e tyre si drejtues. Pati prononcime edhe nga z. Popovci si përfaqësues i shoqërisë civile që merret me arsimin. Mirëpo, pavarësisht tendencave ministeriale dhe atyre nga shoqëria civile, menaxhmentit të UP-së i takon të mbrojë me çdo kusht lirinë akademike dhe ta avancojë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në UP. Ajo që u theksua nga rektori Demaj, në fakt ishte një ide transformative utopike, mjaft shqetësuese. Kah fundi i emisionit, rektori Demaj, duke folur për reformat që është duke i ndërmarrë si prijës i menaxhmentit të lartë të UP-së, tha se “ne nuk kemi potenciale për me pasë libra origjinale” dhe e arsyetoi këtë me faktin se paskemi “pasur probleme me plagjiatura”. Ai tha se UP po orientohet në përkthime, por jo në kërkime e botime të kërkimeve vendore, sepse ato nuk mund të jenë origjinale. Pra, rektori i Universitetit të Prishtinës shpalli “impotentë akademikë” a priori gjithë profesoratin e UP-së. Fakti se paska pasur plagjiaturë në UP më parë, qenka bërë kriter për të mos financuar botime të studimeve vendore. Kështu, UP-ja dëshiron që përmes përkthimeve të teksteve të huaja të arrijë të transformojë universitetin, duke e bërë atë një “mësonjtore zanatlinjësh” (ndonëse ka shumë universitete tjera publike, kolegje private e shkolla profesionale që bëjnë këto punë), duke mënjanuar mandatin e tij si universitet që bën kërkime shkencore.

Sa qëndron kjo ide? Së pari, si ide është ofenduese për profesorët e hulumtuesit e UP-së, sepse u tha publikisht, në televizion publik, se “nuk kemi potenciale për punë origjinale” dhe u aludua se arsyeja qëndron te e kaluara plagjiatore e UP-së. Të thuhet kjo nga rektori i UP-së në 49 vjetorin e UP-së është mjaft e rëndë edhe për UP-në edhe për profesoratin e studentët e tij, por edhe për gjithë shoqërinë kosovare. Së dyti, kjo ide është krejtësisht e papranueshme për fushën e shkencave shoqërore e dijeve humane. Nuk njoh potencialet e fakulteteve e fushave tjera të studimit, por në shkencat shoqërore e dijet humane, janë pikërisht studimet vendore ato që matin pulsin kulturor, politik, ekonomik e juridik të shoqërisë përkatëse. Në shkencat shoqërore dhe dijeve humane janë pikërisht studimet vendore nga hulumtuesit vendorë që janë më se të mirëseardhura sot kudo në botë. Këto studime ekzistojnë te ne tradicionalisht prej viteve 70. Profesorët e Universitetit të Prishtinës, veçanërisht ata të Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit të Filologjisë, kanë kryer studime shumëvjeçare empirike dhe teorike, duke prodhuar vepra esenciale për gjuhën, kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Dhe ende vazhdojnë të hulumtojnë e të shkruajnë vepra origjinale. Ka prej tyre që UP-ja nuk ua ka financuar as shtypin e librave të tyre të pranuar për botim nga këshillat e komisionet botuese. Por, prapë me mund e energji të tyre kanë hulumtuar, kanë shkruar dhe kanë botuar.

Këtë frymë të transformimit total rrënjësor, duke e denigruar UP-në si vend të punës, si vend ku kanë studiuar, si vend ku dërgojnë fëmijët të studiojnë, si vend të cilin e monitorojnë për shuma marramendëse parash, e kanë ndihmuar edhe organizatat joqeveritare e jofitimprurëse me synime fitimprurëse. Ka edhe prej tyre që kanë qëllime të mira e bëjnë punë të mira, por shumica kanë qëllime transformative radikale gulçuese utopike. Janë shumë sosh. Secila del me utopi transformative radikale më të zbukuruar e të sofistikuar se tjera. Secila bëhet “watchdog” që bazon vlerësimet e saja në matje rigoroze të “outputeve”, në disa analiza PESTIL, SWOT, etj., për të “transformuar universitetin” ose kah aktivizmistika radikale ose kah shkathtësia praktike. Herë-herë kanë të dyja qëllimet. Herë-herë qëllimi duket të jetë fitimprurja për veten e tyre. Shumica janë të prira të mendojnë me këto “output”-a (të mësuara në kurse dyditore) dhe rrallënjëra nga to do ta mbrojë universitetin si vend të konversacionit kureshtar, të shpikjes, të kureshtjes, të studimit të painteres. Pse a thua? Sepse, fatkeqësisht kjo e fundit (universiteti si vend i vlerave të interesit të painteres) nuk është ide që shitet, që pëlqehet, që duket “progresive” apo që sjell rezultat atypëraty. Pra, nuk është e bazuar në “output”. E të gjithë duan vetëm “outputin” e menjëhershëm që përmbush “nevojat”. Madje, edhe donatorët e tyre, sidomos ata joqeveritarë, janë të zhytur në idenë e transformimit dhe “outputit” të menjëhershëm sepse duan të bëjnë “tik” të qëllimet e tyre radikale.

Dikush mund të thotë: si është e mundur që ministrat, rektorët e tillë, OJQ-të, disa profesorë e ndonjë organizatë studentore duan ta shkatërrojnë universitetin? Pse? A nuk duan edhe ata ta përmirësojnë? Nuk them se idetë e të gjithëve janë shpirtërisht urrejtëse ndaj universitetit, por idetë e tyre të zhvilluara në strategji, në vizione, në aktivizëm e në mendime në përgjithësi janë kopje e ideve utopike të “transformimit radikal” dhe si pasojë e kësaj krijojnë objektiva e marrin vendime e bëjnë punë të cilat e shndërrojnë universitetin në mësonjtore për zanate ose për aktivizmistikë radikale. Pra janë ide të gabuara. Sepse, idetë e tilla e bëjnë edhe rektorin të thotë se duam përkthime dhe jo hulumtime sepse “ne nuk kemi potenciale për me pasë libra origjinale”. Të jemi të sinqertë, nuk kam asgjë personalisht kundër përkthimeve, por librat e përkthyer nuk zëvendësojnë hulumtimin shkencor të UP-së.

Për fund, dua të them se besoj se ky transformim radikal që po synohet nga jashtë e nga brenda do të përfundojë një ditë. Por çka do të mbetet? Çka do të ruhet? Gjuha shqipe, të cilën e kemi si një trashëgimi që duhet ruajtur, duket se do të venitet shumë. Ndoshta do të tjetërsohet shumë më shpejt në 50 vitet e ardhshme se sa që është tjetërsuar në 500 vitet e fundit. Pa dyshim se shumë gjëra në UP duhet të evoluojnë, të të ripërtërihen, sepse janë bërë statike dhe përndjellin vetëm fanatizëm. Por ka gjëra që duhet ruajtur, duke ua ndryshuar formën. Mënyra më mirë do të ishte të ndiqej ideja “ndrysho për të ruajtur” e jo ideja “tranformo për të shkatërruar”.

Universiteti i Prishtinës është universitet që duhet të evoluojë, të ndryshojë duke ruajtur e kultivuar idenë e studimit të painteres, pavarësisht se ka pasur një biografi të rëndë dhe të politicizuar, për arsye rrethanore, gjatë historisë së tij. Në historinë e UP-së ka shtigje të ngushta të cilat mund të bëhen logje të gjera ku mund të kultivohet kureshtja, kreativiteti, liria e konversacioni akademik i painteres, jashtë “outputeve” të projektuara nga strategjitë ideologjike të “tregut e vetëm tregut” e “aktivizmistikës radikale”. Botimet në revista që matin ndikimin e hulumtimit shkencor, rregulloret shtrënguese për stafin akademik, cenimet e lirisë akademike dhe mosinvestimi i qëllimshëm në kërkim shkencor për hulumtuesin e profesorët vendorë, janë masa të rrezikshme për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës si universitet. Matja është e rëndësishme për shumë fusha, por jo gjithçka në konversacionin universitar matet me indikatorë e gjëra të tilla. Në fushën e shkencave shoqërore e dijeve humane, studimi është edhe interpretim e diskutim, edhe lexim e përshkrim, edhe kritikë zhbiruese mbi argumentet, faktet, idetë, edhe mendim kritik i bazuar në analizë pa emocione, edhe pjekuri etike për dijen, për praktikën, për gjithë tipet e përvojës, përfshirë përvojën poetike e filozofike.

Vetëm duke prioritizuar lirinë akademike, kërkimet shkencore vendore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare dhe duke mënjanuar kurthet e tregut dhe aktivizmistikës, UP-ja mund të jetë qëndrestare në vizionin për ta avancuar shkencën e dijen në Kosovë. Përndryshe do të garojë si mësonjëtore nevojash me mësonjëtoret private të nevojave, me OJQ-të, bizneset e institucionet shtetërore. Por, universiteti është log i veçantë në shoqëri sepse aty matet pulsi i shoqërisë. Universiteti nuk është dhomë e nevojave të matshme, por institucion i vlerave të pashoqe dhe të pamatshme për zhvillimin e mendimit njerëzor.