Tre vjet pa eruditin Umberto Eco

Kultura February 21, 2019 - 10:27
Lexo më shumë detaje

 

Janë mbushur tre vjet nga vdekja e Umberto Ecos, njërit nga teoricienët, shkrimtarët dhe në përgjithësi intelektualët më të mirë italianë të gjysmës së shekullit të kaluar. Eco është lindur më 5 janar 1932 në Alessandria të Italisë, ndërsa ka vdekur më 19 shkurt të vitit 2016.

Ai njihet si semiotisti më me ndikim.

Econ mund ta quajmë edhe filozof, kritik letrar, si dhe novelist. Kryevepra e tij është “Emri i Trëndafilit”, e cila u botua në vitin 1980. Umberto Eco ka shkruar gjithashtu tekste akademike, libra për fëmijë dhe shumë ese. Ai ka publikuar edhe gjashtë romane të tjera, të cilat nuk janë përkthyer akoma në gjuhën shqipe.

Vepra e fundit e autorit është “Numero Zero”. Ky roman është vepra e shtatë dhe libri i dyzetetretë i autorit. Këtë roman e kanë quajtur edhe si vepër për gazetarinë, ngase autori ia dedikon botës së informacionit. Libri është i shkurtër, por në brendësinë e tij paraqitet një korpus ngjarjesh të rëndësishme historike, vetë autori thekson se në botën e tij bën pjesë historia.

“Numero Zero” është një satirë e gjallë gazetareske, ngjarja zhvillohet në Italinë e tij gjatë vitit ’92. Umberto Eco kishte përzgjedhur këtë vit sepse ai ’92-n e konsideronte si një vit vendimtar për historinë e popullit të tij italian. Romani përfshihet nga një galeri e tërë e personazheve, them kështu sepse brenda veprës autori ka përdorur personazhe të imagjinuara, personazhe historike, si dhe personazhe letrare.