Publicisti Gashi boton librin me 34 intervista

Kultura February 21, 2019 - 10:26
Lexo më shumë detaje

 

“Kosova - Lufta dhe Paqja” është libri që së fundi është publikuar nga publicisti Shkëlzen Gashi, libër ky në të cilin autori ka përmbledhur 34 intervista të realizuara 15 vjet më parë.

Gashi ka treguar se ky libër përfshin një numër intervistash, të cilat i ka realizuar gjatë kohës sa ishte student në Departamentin e Shkencave Politike në UP. Një pjesë e intervistave flasin për Marrëveshjen e Rambujesë me pjesëmarrës e kundërshtarë të kësaj marrëveshjeje: Albin Kurti, Fatmir Humolli, Arsim Bajrami, Adem Demaçi, Ramë Buja, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Enver Hasani, Bujar Bukoshi, Mehmet Hajrizi, Blerim Reka, Fadil Hysaj dhe Hydajet Hyseni. Këto intervista Gashi i ka realizuar gjatë verës së vitit 2004. Po ashtu ky libër përfshin edhe intervistat që Gashi ka realizuar gjatë vitit 2005 për tema të ndryshme, ku të intervistuarit ishin Azem Vllasi, Bajram Rexhepi, Melihate Tërmkolli, Adem Demaçi, Sylejman Selimi, Nexhmedin Spahiu, Rexhep Selimi dhe Mahmut Bakalli. Pjesa tjetër e librit përfshin intervistat që Shkëlzen Gashi i ka realizuar në vitin 2006, kryesisht me politikanët e Kosovës, për negociatat për statusin politik të Kosovës me Serbinë, çështjen e decentralizimit dhe të statusit të “zonave të mbrojtura” për kishat dhe manastiret ortodokse të Kosovës. Për shtjellimin e këtyre problemeve ai ka intervistuar: Lutfi Hazirin, Shkëlzen Maliqin, Jakup Krasniqin, Enver Hasanin, Kaqusha Jasharin, Ylber Hysën, Smajl Latifin, Enver Hoxhajn, Muhamedin Kullashin, Adem Demaçin, Veton Surroin dhe Shinasi Ramën. “Këto intervista, të realizuara para rreth 15 vjetëve, vlerësova se ia vlen të përmblidhen të gjitha në një vëllim me titull ‘Kosova – Lufta dhe Paqja’, i bindur se mund t’u hyjnë në punë studentëve e studiuesve të shkencave sociale, gazetarëve e analistëve e edhe politikanëve negociatorë”, ka shkruar në njoftimin e tij Gashi. Libri 502-faqësh kushton 5 € dhe gjendet në të gjitha libraritë e Prishtinës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” Gashi njofton se së fundmi, gjatë vitit 2006, si student ka vendosur të zhvillojë një varg intervistash, të kryera në formë debati, në momente edhe tensionuese, tema bosht e të cilave ishte se a duhet të negociohet statusi politik i Kosovës me Serbinë. Nëpër këto intervista u shtjelluan edhe dy çështje të tjera të pashkëputshme, të ashtuquajtura jashtëstatusore e fort të rëndësishme: çështja e decentralizimit dhe ajo e statusit të “zonave të mbrojtura” për kishat dhe manastiret ortodokse të Kosovës.