140 vjet nga vdekja e rilindësit Luigj Gurakuqi

Kultura February 20, 2019 - 10:52

Shkurti i këtij viti shënon 140-vjetorin e ndarjes nga jeta të njërit nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare, Luigj Gurakuqi. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Kujtojmë se ai u lind në Shkodër më 1879-n dhe mësimet e para e një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi Kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Qëkur ishte student bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe si publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Më 1908-n Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt njëri nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe njëri nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916-n ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.

Në vitet 1921-1923 Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe të gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i F. Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit të vitit 1924.

Pas kundërrevolucionit emigroi në Itali dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. F. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia solli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej me poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941-n. Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F. Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemente autobiografike. Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare.