Neron Deshishku sjell ekspozitën “ICY”

Kultura February 19, 2019 - 10:13
Lexo më shumë detaje

 

Neron Deshishku është artisti i radhës, i cili do të hapë ekspozitën e emëruar “ICY” më 20 shkurtin e këtij viti, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, duke filluar prej orës shtatë të mbrëmjes.  Siç mësohet pjesë e ekspozitës do të jetë puna e Deshishkut ndër vite, duke risjellë ekspozitën me fotografitë artistike që sipas tij janë kapur në kohën dhe në momentin e duhur, duke u munduar që të përcjellë emocionin e fotografisë edhe profesionalisht në pamje vizuale.

Po ashtu bëhet e ditur se Neroni ka filluar të merret me botën e fotografisë qysh herët në moshën fëmijërore edhe atë duke i ndihmuar babai i tij, përderisa artisti kishte eksperimentuar edhe në film, në muzikë dhe në poezi.

Për të fotografia ndër kohëra ishte bërë medium i shprehjes artistike, që sipas tij ky medium i shprehjes artistike ndryshon mendimin për botën dhe perspektivën tonë mbi të. Duke u munduar që të përcjellë fotografitë e jetës së përditshme, që lidhen me ngjarjet dhe me përjetimet e njerëzve, Deshishku ka sjellë disa fotografi me fytyra të njerëzve, momentet e mira për ta, peizazhet e bukura. Kurse në ekspozitën personale të tij do të zbulohen fotografitë që emocionalisht do t’i rrëmbejnë zemrat e realitetit dhe do të mbeten gjatë në kujtesën e atyre që kanë sy për fotografinë.

Neron Deshishku është fotograf i lindur në Kosovë, kurse anën profesionale e ka zhvilluar në qytetin e Parisit, në të cilin edhe aktualisht vepron. Vitin e kaluar ai ka diplomuar në Speos Paris Photographic Institute.