Trupa artistike e UÇK-së e mbajti lart motivin për luftë

Kultura February 19, 2019 - 10:08
Lexo më shumë detaje
Image

Trupa artistike ushtarake “Hamëz Jashari” e UÇK-së (TAU) ishte themeluar në fillim të muajit shkurt të 1999-s në Likofc. Kjo trupë ka funksionuar si sektor i kulturës në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa emërtimin e trupës me emrin e heroit Hamëz Jashari e ka miratuar po i njëjti institucion ushtarak më 18 shkurt 1999.

TAU-ja përbëhej nga aktorë, regjisorë, këngëtarë, instrumentistë që kanë qenë edhe pjesëtarë të UÇK-së. Përveç angazhimeve në aktivitetet e trupës artistike ushtarake, të gjithë kanë qenë të angazhuar me detyra ushtarake nëpër brigadat e zonave operative të UÇK-së. Si dhe thuhet se veprat artistike të kësaj trupe kishin filluar rrugëtimin nëpër flakë të luftës dhe kanë vazhduar edhe në ditët e lirisë me programet artistike, por njëzet vjet pas luftës se sa po njihet kontributi i kësaj trupe dhe kush janë artistët që kanë qenë pjesë e saj për gazetën “Zëri” flet Dibran Fylli, njëri nga themeluesit e TAU-së.

 

Fylli thotë se ideja për themelimin e një trupe artistike ka qenë e tij, kurse kësaj ideje u ishin bashkëngjitur edhe shokët e tjerë Latif Zariqi, Shaba Shala, eprorë të SHP-së së UÇK-së, Sherif Krasniqi, Nusret Kadriu e Naim Krasniqi. Ndonëse shumë pak shkruhet e flitet për trupën artistike, por sipas themeluesve të saj vlerësohet se trupa artistike rrënjët i ka në flakë të luftës së lavdishme të UÇK-së. “Është ideuar, është ndërtuar, është themeluar e është organizuar gjatë ofensivave serbe. Është një emër i ri në historinë e kulturës shqiptare e deshën e s’e deshën të tjerët”, thotë ideatori Fylli, përderisa sqaron se qëllimi kryesor ishte që në kuadër të ushtrisë së lavdishme çlirimtare të funksionojë edhe sektori i kulturës, gjë që ishte dhe është e nevojshme për çdo ushtri. Mësohet se në kuadër të TAU-së ka funksionuar dhe teatri ushtarak, seksioni i muzikës dhe i recituesve.

I pari i kësaj trupe Fylli ka thënë se vepra artistike që ka bërë kjo trupë daton qysh në luftë, për të vazhduar në ditët e lirisë me programin artistik “Ai është i gjallë”. “Në fund të shkurtit 1999, para Këshillit Artistik paraqita skenarin për ditën e Manifestimit Përkujtimor, në shenjë nderimi për ditën e rënies heroike të Kryekomandantit Adem Jashari dhe të Jasharëve, në betejën e 5, 6 e 7 marsit. Në skenar ishte paraparë: Rreshtimi i njësiteve ushtarake, ngritja e flamurit, dhënia e raportit, pjesa e fjalimit, pjesa muzikore e recitative dhe në fund pjesa skenike ‘Ai është i gjallë’. Skenari u pranua dhe u vendos që Manifestimi të mbahet më 6 mars 1999, si dhe emërtimi i manifestimit të jetë sipas emrit të pjesës skenike ‘Ai është i gjallë’”, shprehet Fylli, duke theksuar se përkushtimi i tyre dhe provat intensive patën bërë që programi artistik të jetë gati me kohë dhe në nivel të lartë profesional.

Se sa ka arritur të ngrejë moralin e njerëzve në luftë përmes veprave krijuese artistike kjo trupë, Fylli ka thënë se kjo më së miri dëshmohet me rastin e ditës së Manifestimit Përkujtimor në Prekaz. “Dita e 6 marsit 1999 mbeti e paharruar dhe me rëndësi të veçantë për mua dhe për TAU-në, por edhe për numrin e mijëra pjesëmarrësve në këtë Manifestim Përkujtimor. Rendi dhe qetësia ishin në nivel të duhur. Kur para tyre u paraqit figura e Kryekomandantit Adem Jashari dhe zëri i tij që mbërrinte kupën e qiellit duke iu drejtuar popullit me fjalët: ‘Kush ma vret popullin tim, cili bajloz ma kërkon mejdanin?... Mua me keni kudo, kudo, kudo...’, plasi masa dhe nga çdokush dëgjohej të thoshte e të pëshpëriste, ‘More a po e sheh së, Ai qenka gjallë’..., kurse manifestimin e nderuan me pjesëmarrje: Sylejman Selimi, komandant i SHP-së së UÇK-së, Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së, komandanti i ZO-së të Drenicës Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenë Prokshi, Sahit e Musë Jashari, Fadil Kodra, Zenun Kodra e shumë të tjerë”, evokon ngjarjen themeluesi i trupës.

Fylli thotë se kontributi i trupës as nuk mund të humbet e as nuk mund përvetësohet nga askush, pavarësisht rrethanave të vështira që po kalon shoqëria. “Sesa është vlerësuar e sa po vlerësohet nuk mund të përgjigjem, sepse sot as që po përmendet kjo trupë e as kontributi i saj, por unë do t’i përmendi disa nga aktivitetet e TAU-së që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, edhe sot po mbahen e do të mbahen mend për gjithë kohën sa të ekzistojë njerëzimi”, tha ai duke renditur një nga një ngjarjet e realizuara në atë kohë dhe ku mbeti fizionomia e atyre ngjarjeve.  “Në janar të vitit 2000 SHP-ja e TMK-së e kishte pranuar propozimin tim në emër të TAU-së dhe kishte vendosur që 5, 6 dhe 7 marsi të shënohen me një manifestim të madh gjithëkombëtar dhe këtë obligim me urdhëresë ushtarake ia kishte lënë në barrë trupës artistike ushtarake dhe udhëheqësit të saj. Në fillim u shkrua skenari dhe u miratua. Së pari manifestimi u emërtua ‘Ditët e Përndritjes’. Dita e parë, 5 marsi, të jetë një program artistik që do të titullohet ‘Ai është i gjallë’. Në vitin e ardhshëm do të jetë programi qendror dhe do t’i shtohet edhe parakalimi i ushtarëve të të gjitha zonave dhe njësive vartëse të SHP-së së TMK-së para komandantit të përgjithshëm do të jepej raporti dhe do të vazhdonte me programin artistik. Dita e dytë 6 marsi, në Prishtinë do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar figurës së Kryekomandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të UÇK-së. (Për këtë ditë u propozua që në një të ardhme të afërt data e 6 marsit të shënohet si Dita e Dëshmorëve të UÇK-së). Dita e tretë 7 marsi - Nata e Zjarreve, do të mbahet në Prekaz duke filluar nga ora 20:00 me ndezjen e zjarreve dhe programi do të vazhdonte deri në orët e mëngjesit me këngë e valle, recitime e recitale etj. Mbrëmja do të quhet ‘Nata e zjarreve’ dhe do ta këtë karakteristikën e veçantë me ndezjen e zjarreve në të njëjtin vend ku kishte shkrepur flaka e lirisë dy vjet më parë. Këto propozime u miratuan nga SHP-ja e TMK-së”, në detaje flet për ngjarjet Fylli, që ka thënë se për arritjet tjera flet fakti se edhe sot e asaj dite ky manifestim po mbahet me të njëjtin skenar dhe formë të organizimit, pa shtuar as munguar gjë. Kurse sipas tij, vetëm një vit më vonë, saktësisht në janar të vitit 2001, me vendimin e SHP-së të TMK-së i ndërrohet emri manifestimit nga “Ditët e Përndritjes” në “Epopeja e UÇK-së”.

Trupa artistike ushtarake “Hamëz Jashari” e UÇK-së fillimisht ishte vendosur në një lokal afër godinës së SHP-së  në Likofc, aty ku edhe ka filluar punën përgatitore për manifestimin e parë përkujtimor, i cili do të mbahej më 6 mars 1999.

Kurse sipas Fyllit si drejtues i trupës artistike ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së gjatë luftës, si dhe të njëjtën pas lufte në TMK për tre vjet thotë se shuarja e kësaj trupe vjen nga mosinteresimi ose neglizhenca e disa komandantëve që kjo trupë e themeluar nëpër flakën e luftës të shuhej.

Image