Ilir Shaqiri, zëri i Kosovës

Kultura February 16, 2019 - 08:22
Lexo tjera detaje
Image

Këngët e tij për Kosovën dhe për shqiptarët e kanë mbajtur gjallë shpirtin e atdhedashurisë dhe vazhdojnë edhe sot në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës të jenë motiv dhe simbol i kultivimit të këngës me motive patriotike, shkruan Gazeta "Zëri".

Nëntori i vitit 1978 shënon kohën kur për herë të parë publiku në Shtëpinë e Kulturës në Prizren u njoh me artistin Ilir Shaqiri, duke interpretuar dy këngë nga muzika e lehtë, që cilësohet se ishin mirëpritur jashtë mase. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Ilir Shaqiri shpalos kujtime nga fillesat e karrierës së tij, këngët e luftës, por edhe më tepër. “Kur u ktheva në Drenicë në vitin 1983, bashkë me heroin tonë kombëtar Hamëz Jasharin, morëm përsipër drejtimin e ansamblit ‘Drenica’ dhe këtë e bëmë deri në vitin 1990. Pra ishte Drenica, ishin heroizmat e popullit tonë ndër shekuj që na inspiruan t’i rrekeshim artit muzikor me seriozitet e ndjenja, duke shprehur dëshirat e të gjithë shqiptarëve për liri dhe pavarësi”, thotë Shaqiri.

Për gazetën “Zëri” këngëtari thotë se krijimet e para muzikore i kanë mbështetur te poezitë e rilindësve tanë dhe mobilizimin madhështor kombëtar për faljen e gjaqeve e evidentuan përmes krijimeve të reja muzikore. “Pastaj erdhi lufta dhe u bëmë bashkë me të, duke krijuar këngë e balada për dëshmorët e atdheut. Këto këngë e balada heroike janë pjesë e pandashme e historisë së lavdishme të Kosovës dhe si të tilla do të jenë sa herë kujtojmë luftën dhe bijtë e bijat e kombit që u flijuan për liri”, vlerëson Shaqiri, shkruan Gazeta "Zëri".

Puna e palodhshme krijuese ka bërë që ai të përballet me vështirësitë e asaj kohe, për të cilat thotë se të gjitha mund të kapërcehen me anë të solidaritetit. Ai ka potencuar se arti i vërtetë lind nga vështirësitë dhe transmetohet në këngë përmes vetëdijes kolektive. “Mobilizimi i të gjithë shqiptarëve për të arritur atë që na mungonte, atë që na takonte, ishte një përbashkim vlerash të mëdha njerëzore. Ky unitet popullor mund të ndeshej me çdo sfidë që na dilte përpara. Çdo njeri në Kosovë ka dramën e vet për atë periudhë kohore. Edhe ne artistët e këngës kemi pasur situata gati të pakapërcyeshme, por siç e thashë më lart, solidariteti mes nesh do të kapërcente gjithçka”, ka thënë këngëtari.

Në njëmbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ai na kthen në kohë për të na rikujtuar pengesat të cilat i hidheshin përballë secilit artist të asaj kohe dhe se i vetmi ngushëllim dhe motiv për ta ka qenë ideja se gjithçka po bëhej në të mirë të popullit. “E vështirë, tepër e vështirë. Neve na ka dashur shumë populli dhe na ka ruajtur si sytë e ballit. Na ka ruajtur shpeshherë edhe duke vënë në rrezik jetën e vetë. Kujtoj vitet e vështira ’90-’99, ku dhjetëra e dhjetëra herë kemi kaluar kufijtë ilegalisht dhe shqiptarët na kanë përcjellë, na kanë pritur, na kanë strehuar e na kanë mbrojtur. Gjithkush bënte diçka, për diçka”, tha ai.

Ilir Shaqiri ka qenë edhe pjesë e Trupës Artistike të UÇK-së, e cila ka pasur për qëllim që në kuadër të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të funksionalizohet edhe sektori i kulturës, shkruan Gazeta "Zëri".

“Trupa Artistike e UÇK-së, e themeluar nga Shtabi i Përgjithshëm, ka qenë frymëzimi më kuptimplotë i qëndresës heroike të djemve e vajzave të Kosovës që kishin marrë përsipër çlirimin e atdheut. E di se kemi qenë vetëm dy këngëtarë nga Prishtina pjesë e kësaj trupe ushtarake, bashkë me dhjetëra artistë e luftëtarë të Drenicës dhe aktiviteti i kësaj Trupe Artistike ka vazhduar edhe një kohë të gjatë pas lufte. Anëtarët e kësaj trupe ishin betuar për të luftuar deri në çlirim dhe aktiviteti artistik i tyre zhvillohej si pjesë shtesë e luftës për liri”, shprehet artisti, duke cilësuar se ndihet shumë i nderuar që përmes kësaj Trupe ka dhënë kontributin e tij modest në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

I pyetur se si ndihet kur sërish vjen marsi, duke aluduar në këngën e tij emblematike me të njëjtin titull, ai thotë se bashkë me marsin sërish vijnë kujtimet, duke e bërë atë sërish pjesë të Epopesë së lavdishme të familjes Jashari, në qëndresën heroike të saj.

“Kënga ‘Sërish vjen marsi’ është një përjetësim artistik për këtë ngjarje, që ndërroi timonin e historisë për Kosovën dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Pra, është marsi i dhimbjes dhe i lavdisë njëkohësisht”, vlerëson Shaqiri. 

Njëmbëdhjetë vjet pas Pavarësisë dhe gati 20 vjet pas çlirimit të Kosovës ai deklaron se liria dhe pavarësia e vendit e bëjnë më të lehtë punën e artistit. “U mbetet institucioneve të kulturës që të evidentojnë, të kërkojnë, të mbështesin projekte nga të gjitha artët, ku pasqyrohen me dinjitet vlerat tona që i kemi trashëguar ndër vite. Vetëm përmes artit do ta ruajmë kujtesën tonë historike. Ky duhet të jetë obligim i çdokujt”, tha ai. 

Në këtë përvjetor Ilir Shaqiri u dekorua me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës” nga president Hashim Thaçi. 
Shaqiri thotë se për çdo artist vlerësimet janë mirënjohje për punën dhe kontributet e veçanta në fushën përkatëse. “Është shumë bukur kur të vlerëson populli dhe institucionet shtetërore, për të cilat kanë rënë breza e breza dëshmorësh. Titulli ‘Nderi i Republikës së Kosovës’ është obligim njerëzor dhe artistik për mua”, vlerëson artisti përderisa përfundon fjalën e tij duke thënë se “Do të përpiqem me çdo kusht ta ruaj këtë nderim, duke nderuar përherë Kosovën tonë të dashur, Shqipërinë, kombin”.

Biografia e Ilir Shaqirit është e bujshme dhe e njohur, ai ka krijuar mbi 600 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë. Është krijues i muzikës në 17 filma dokumentarë dhe ka botuar 34 albume muzikore dhe 4 videoalbume me këngë. Në vitin 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, boton albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura. Veprimtaria e tij kreative është përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe Dashuri”, me autor prof. dr. Kudusi Lama, të botuar nga LSHK-ja, 2012. Është anëtar te “Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës”. Vokacioni i tij është muzika, proza dhe poezia moderne./ZËRI