QKD-të duhet ta ruajnë kulturën dhe identitetin kombëtar

Kultura February 15, 2019 - 10:00
Lexo më shumë detaje
Image

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës organizoi të enjten një tryezë diskutimi për Qendrat Kulturore në Diasporë (QKD). Nga ta u pa i nevojshëm trajtimi dhe diskutimi i kësaj teme, duke marrë parasysh faktin që mbi 800 mijë qytetarë nga Kosova jetojnë jashtë vendit dhe duke marrë parasysh që diaspora është njëri ndër kontribuuesit kyç në ekonomi dhe në zhvillimin shoqëror e politik.

Në tryezën diskutuese me temën “Organizimi i Qendrave Kulturore në Diasporë” u prezantua edhe hulumtimi parlamentar që ka analizuar organizimin e qendrave kulturore të shteteve që kanë diasporë më të madhe. Hulumtimi ka analizuar praktikat që kanë ndjekur shtetet si Armenia, Gjermania, Irlanda, Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar rreth funksionimit të qendrave të ngjashme dhe është realizuar e prezantuar nga Liza Gashi, drejtoreshë ekzekutive e NGO “Germin”. Gashi në detaje ka folur për analizën e realizuar dhe njoftoi disa nga përfundimet e saj. “Qendrat Kulturore në Diasporë kanë një rëndësi të veçantë për shtetin tonë, duke marrë parasysh faktin që mbi 800 mijë persona jetojnë jashtë vendit. Organizimi në vendet pritëse për të ruajtur kulturën dhe identitetin kombëtar është thelbësor. Duke qenë se diaspora është njëri ndër kontribuuesit kyç në ekonominë e vendit tonë, është mjaft e rëndësishme që Qeveria të krijojë ose të lehtësojë organizimin e komunitetit jashtë vendit”, sqaroi Gashi. Ajo ka thënë se një numër i madh i shteteve zhvillojnë aktivitete kulturore në kuadër të politikës të jashtme dhe një format i mirë për funksionalizimin e një qendre mund të shihet edhe si investim në marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera. Ndër të tjera ajo theksoi se kjo është mënyrë e mirë për të bërë diplomaci përmes kulturës. Gashi parasheh që QKD-të, përpos që do të duhet të jenë hapësira për lidhjen dhe angazhimin e komunitetit në diasporë, të shihen si ura lidhëse të Republikës së Kosovës me shtetet dhe me kulturat tjera.

Përmes raportit mësohet se Republika e Kosovës posedon aktualisht tri qendra kulturore në diasporë, përkatësisht në Zvicër, në Suedi dhe në Turqi. Kurse sipas Projektligjit për Diasporën, misioni i QKD-ve është të veprojnë në kuadër të misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në vendin pritës dhe kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe forcimit të lidhjeve  të tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

Në pjesën e dytë të diskutimit  Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se më herët i ka kërkuar drejtorisë brenda Kuvendit të bëjë analizë ose studim të qendrave kulturore në shtete të cilat kanë qendra të suksesshme dhe se kjo drejtori ka zgjedhur vetëm vendet e rajonit, të cilat sipas Pacollit nuk kanë kush e di se çfarë operimi. “Statusi i QKD-ve ka paraqitur pengesë për Qeverinë me arsyetimin që Qeveria nuk ka pasur mundësi t’i kontrollojë dhe t’i zgjedhë udhëheqësit e këtyre qendrave. Unë duke parë një arsyetim shumë të zbrazët pa kurrfarë baze kam kërkuar nga Ministria që të na dërgojë një analizë të thellë të tri qendrave, ku kanë dështuar këto qendra, pse është zgjedhur ky model funksionimi, strukturat, bazat ligjore dhe pastaj në bazë të atyre ta ndërtojmë një model të ri, i cili ndoshta funksionon më mirë se modeli paraprak”, vlerësoi Pacolli.

Pacolli u shpreh se shtetet nuk duhet të funksionojnë në këtë mënyrë, që veçse të provohet një plan, por shtetet të bëjnë plane, strategji dhe të punojnë sipas planeve, kurse sipas Pacollit tek ne nuk punohet në bazën e asnjërës. Sipas saj, duhet të shohim modele tjera si kanë funksionuar në Evropë e pastaj të funksionojnë edhe qendrat tona, duke pasur përballë modelet e suksesshme. “Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë bashkë kanë nevojë që të promovojnë gjuhën dhe kulturën shqipe në ato shtete që ka shqiptarë. Kemi nevojë ta lidhim Kosovën me këto shtete, si Zvicra, Gjermani e Franca. Jemi shumë të dobët në diplomacinë kulturore”, tha ajo.

Si përfundim u tha se Qendrat Kulturore në Diasporë kanë një rëndësi të veçantë dhe mund të luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës dhe të traditës.