UP-ja shënon 49-vjetorin e themelimit me ekspozitë

Kultura February 13, 2019 - 10:20

Data 13 shkurt sivjet shënon 49-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës. Për këtë përvjetor do të hapet ekspozita “Odisejë: Universiteti i Prishtinës ndër vite” në Modelariumin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ekspozita do të jetë e hapur prej orës 10:30 deri në orën 21:30.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU) për të shënuar 49-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës organizon një ekspozitë për historinë e Universitetit, panele diskutimi dhe një mbrëmje argëtuese.

Hapja solemne do të mbahet të mërkurën në orën 10:30 dhe programi do të vazhdojë me ekspozitën dhe me dy panele diskutime paradite. Në orën 11:00 përfaqësuesit e organizatave anëtare të koalicionit do të prezantojnë punën e realizuar gjatë vitit 2018 dhe do të diskutojnë sfidat kyçe të arsimit të lartë në Kosovë. Në orën 13:00 do të mbahet një diskutim mes rektorit të UP-së Marjan Dema, ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi dhe drejtorit të Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, i moderuar nga Adriatik Kelmendi, i cili do të transmetohet në emisionin “Rubikon” në “Kohavision”. Në orën 19:00 mbahet një koktej rasti me muzikë live të performuar nga Bibera Trio.

Kujtojmë se më 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit Themelues dhe pikërisht kjo datë u shpall nga organet drejtuese të UP-së Dita e Universitetit të Prishtinës. Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.