QKK-ja dhe 'Tatino Films' nënshkruajnë marrëveshje

Kultura February 13, 2019 - 10:18

Në këndin e Kosovës në “Berlinale” u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “Tatino Films”, e cila do t’ua mundësojë filmbërësve kosovarë trajnimin, këshillimin dhe mbikëqyrjen nga ana e 5 ekspertëvendërkombëtarë për projektet e filmave fitues të metrazhit të gjatë, që janë në fazën e postproduksionit. Kjo do të realizohet përmes punëtorisë intensive “First Cut Lab Kosovo”, që fillon këtë vit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryesuesja e Këshillit Drejtues të QKK-së Ilire Vinca, e cila ishte edhe iniciatore e kësaj marrëveshjeje, u shpreh e lumtur që ekspertët e “First Cut Lab” do të jenë me ne të ofrojnë njohuritë më të avancuara në ngritjen e nivelit kinematografik. Qëllimi i kësaj punëtorie është të mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave, njëkohësisht rritja e vlerës së filmave në tregun ndërkombëtar dhe prezenca e tyre në festivale të rëndësishme. “Jemi tejet të gëzuar për këtë bashkëpunim të ri, i cili është i pari për ne në Ballkan. Ne jemi të gatshëm ta përcjellim kinemanë kosovare dhe filmat e saj në procesin e finalizimit dhe fillimit të rrugëtimit të tyre ndërkombëtar”, tha udhëheqësi i punëtorisë “First Cut Lab”, Mathieu Darras.

Sipas drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharkut, përmes kësaj marrëveshjeje kapacitetet profesionale do të rriten edhe më shumë. “Me këtë marrëveshje besojmë të rrisim edhe më shumë kapacitetet profesionale në sektorin e kinematografisë së Kosovës”, u shpreh drejtori i QKK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Rikujtojmë se festivali më i rëndësishëm i filmit në Evropë “Berlinale” sivjet po mbahet mes datave 7 dhe 15 shkurt. Atje po prezantohet filmi “Në mes” i autorit Samir Karahoda, që është filmi i parë nga Kosova i cili pranohet në Festivalin e Berlinit në kuadër të garës ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”. Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin, që veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit ose jo në vendlindje. Zëri