Libri i javës - 'Asgjë të re nga fronti i perëndimit' - Remark

Libri i javës - 'Asgjë të re nga fronti i perëndimit' - Remark

Kultura shkurt 11, 2019 - 10:00

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” të shkrimtarit të mirënjohur gjerman Erih Maria Remark.

Romani flet për Kantorekun, i cili është profesor i Bojmerit, Kropit, Mylerit dhe Lerit. Kur oshtimat e predhave të luftës së madhe gjëmojnë nga një anë e Evropës në tjetrën profesori Kantoreku kërkon të jetë udhëzues i të rinjve në botën e punës, të kulturës dhe të progresit.

Në orën e gjimnastikës ai i shigjeton djemtë me shikime të rrepta dhe u mban fjalime mbi atdheun në rrezik ose për madhështinë e shërbimit ndaj shtetit, duke i udhëzuar e duke i frymëzuar që të shkojnë vullnetarë. Por kur shkojnë në front nxënësit e Kantorekut, nga Albert Kropi më inteligjenti i shkollës e deri te Paul Bojmeri, poeti që kërkon të shkruajë drama, e kuptojnë shpejt që nuk janë aspak “rinia e hekurt” e thirrur për ta mbrojtur Gjermaninë në rrezik. Zbulimi se terrori i vdekjes është më i fortë sesa madhështia për t’i shërbyer atdheut i befason qysh në ditën kur gjatë një sulmi Josef Bem, një shok shkolle i shëndoshë dhe i qetë, vritet egërsisht në llogore. Në pak muaj nxënësit e Kantorekut e ndiejnë veten të plakur, të dërrmuar, të privuar jo vetëm nga rinia, por nga çdo e shkuar, ëndërr, shpresë.

I botuar për herë të parë më 1929-n, romani “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” është konsideruar si njëri nga librat më të rëndësishëm të shkruar me subjekt nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Siç shkruan autori, kjo është një mënyrë perfekte për të rrëfyer një gjeneratë që edhe nëse u shpëton granatave shkatërrohet nga lufta.

Këtë roman shkrimtari shqiptar Ismail Kadare e konsideron si njëra nga veprat më të shquara të letërsisë gjermane, që sipas tij hyn në radhën e librave me një fat të veçantë. “Këta janë libra që jo vetëm i pjell koha, si gjithë librat e rëndësishëm, por që koha vë në to edhe një pjesë të shenjave dhe të paralajmërimeve të saj”, shkruan Kadare.

Librin e botuar nga “Dituria” dhe të përkthyer në shqip nga Robert Shvarc mund ta merrni në librarinë “Buzuku” për 6 euro.