Dibra: Regjisori Apolloni i ka dhënë shpirt tekstit tim

Dibra: Regjisori Apolloni i ka dhënë shpirt tekstit tim

Kultura shkurt 11, 2019 - 09:57

Ridvan Dibra është njëri nga shkrimtarët e preferuar të letërsisë bashkëkohore shqipe për lexuesit e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri". Veprat e tij janë të njohura e të kërkuara nga dashamirët e fjalës së shkruar e po del se njësoj ato janë të mirëpritura edhe kur po vihen në skenat teatrale të Kosovës. Monodrama e tij “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, që së fundi u dha si shfaqje në teatrin “Dodona” të Prishtinës nga regjisori Ben Apolloni, tërhoqi vëmendjen e publikut. Për ndjesitë që i jep ky transformim i veprës së vet, por edhe çështje tjera, tregon më tepër në një intervistë për “Zërin” autori Dibra.

Së fundi në teatrin “Dodona” të Prishtinës është vënë në skenë teksti juaj “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Çfarë ndjesie është për një shkrimtar kur vepra i jetësohet në skenë?

- Bëhet fjalë për monodramën “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e cila ndryshon jo pak nga romani me të njëjtin titull, i botuar kohët e fundit, edhe pse problematikat e të dyja veprave janë në thelb të njëjta. Edhe pse nuk munda të jem i pranishëm në Prishtinë gjatë premierës së shfaqjes, ndjesitë e përjetuara janë të bukura e të veçanta. Përmes videove që më nisën miqtë e mi e shijova shfaqjen sikur vërtet të isha i pranishëm. Dhe, shpirtërisht, isha aty. Desha të them se ndjesitë që provon autori kur sheh tekstin e tij të jetësuar në skenë, siç shpreheni ju, janë vërtet emocionuese, ndoshta edhe më të veçanta se dhe vetë botimi i një libri. Është bukur t’i marrësh të freskëta duartrokitjet e spektatorit në skenë, duartrokitje të cilat lexuesi i librit mund t’i vonojë ose edhe mund t’i kursejë.

Si e vlerësoni punën e regjisorit Ben Apolloni, të cilit ia keni besuar tekstin tuaj?

- Ky është bashkëpunimi im i dytë me regjisorin Ben Apolloni. Më parë ai ka vënë në skenën e tetarit të Mitrovicës dramën time “Na të birtë e shekullit të ri”, dramë e nderuar me çmime dhe e shfaqur me sukses edhe në Shkodër, në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë e të Kosovës. Që te kjo përvojë e parë kam çmuar te regjisori Apolloni seriozitetin me të cilin i qaset tekstit dramatik, leximin e vëmendshëm e krijues që i bën këtij teksti dhe sidomos pasionin e përkushtimin gjatë punës. Duke u nisur nga përvoja e bashkëpunimit të parë, pohoj me plot gojë se regjisori Apolloni e ka pasuruar tekstin tim me gjetje e me detaje, i ka dhënë shpirt e frymë atij. Uroj që kjo të ketë ndodhur edhe me shfaqjen e dytë “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Por në rastin e kësaj shfaqjeje merr rëndësi të veçantë aktorja Arjola Demiri. Kemi të bëjmë me një monodramë dhe aktorja ndodhet e vetme përballë publikut. Ata miq që e kanë ndjekur shfaqjen dhe në shijen e të cilëve unë besoj më thonë se aktorja Demiri ka bërë një paraqitje të mrekullueshme, shpërthyese. Por edhe shtypi te ju nuk ka ngurruar ta vlerësojë ngrohtësisht interpretimin e saj.

 “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” flet për pasojat me të cilat përballet një vajzë pas humbjes së virgjërisë. Çka ju shtyri ta trajtoni një temë të tillë?

- Po, flet për pasojat me të cilat përballet një femër pas “humbjes së virgjërisë”. Porse flet edhe për shumëçka tjetër. Mos harroni se, nga fundi, po ajo femër vuan edhe pasojat e të qenët “e virgjër”. Desha të them se kjo vepër nuk është ndërtuar thjesht mbi temën e virgjërisë, por ka edhe një shumësi problematikash të tjera, që shqetësojnë një individ të caktuar në kuadrin e një mjedisi dhe të një shoqërie të caktuar.

Në veprën tuaj humbja e virgjërisë del si përcaktuese e fatit të femrës shqiptare. Si është pritur një pikëpamje e tillë nga lexuesit pas publikimit të librit?

- Sinqerisht nuk do të ndihesha mirë nëse lexuesi do ta lexonte këtë vepër me syze të tilla, do ta vlerësonte veprën thjesht si problem të humbjes ose jo të virgjërisë së një femre. Ashtu si edhe në veprat e mia të mëparshme, edhe këtu kam synuar të ndërtoj një metaforë, metaforën e deformimit e të tjetërsimit të individit përballë Të Tjerëve, përballë Kohës, Frymës e Shijes së saj të përgjithshme, dominuese.

Do të më pëlqente që pas leximit të veprës lexuesi ta pyeste veten: Sa mund të mbetem vetja, vetvetja? Sa e si mund ta përballoj trysninë e një kohe a të një shoqërie që cenon thelbin tim njerëzor? Kujt mund t’i besoj? Ku duhet të mbështetem në rrugëtimin tim jetësor?  

Sipas jush, a duhet letërsia bashkëkohore shqipe të vërë nën llupën e vet problematika të tilla të shoqërisë sonë?

- Letërsia bashkëkohore shqipe ka të drejtë dhe duhet të vërë nën llupën e vet çdo problematikë. Veçse këtë duhet ta bëjë bukur, me art e me shije. Përndryshe, bie në pozitat e gazetave dhe bën efekt të kundërt.

Cilat konsideroni se janë disa nga problemet më të mprehta me të cilat haset letërsia shqipe sot?

- Problemet mund të jenë të shumta, por unë kësaj here do t’i veçoja dy:

1. Tonin patetik që shoqëron një pjesë të saj.

2. Kujdesin e paktë ndaj tekstit letrar, gjuhës së bekuar shqipe.