Fotografitë e preshevarit që po i bien në sy botës

Fotografitë e preshevarit që po i bien në sy botës

Kultura shkurt 09, 2019 - 10:23
Lexo tjera detaje
Image

Koleksioni i fotografive me hënën dhe me poçet elektrike po shihen si art i përjetshëm, i cili po vazhdon të ngjallë interesimin e publikimit në revista, në televizione dhe në ekrane gjigante kudo nëpër botë. Janë këto ide që artistin preshevar Adrian Limani po e bëjnë një nga më të përfolurit dhe më të vlerësuarit në fushën e fotografisë, shkruan Gazeta "zëri".

Ai për gazetën “Zëri” ka rrëfyer udhëtimin e tij deri te suksesi dhe se sa ka qenë e vështirë që prej një vendi të vogël si Presheva të arrihen sukseset ndërkombëtare. Limani thotë se ky rrugëtim ka filluar në moshën 17-vjeçare dhe me përdorimin e një kamere digjitale. Fotografitë e para kanë qenë digjitale, kryesisht foto të natyrës dhe objekteve të ndryshme. Kurse publikimin e fotografive të para e ka bërë përmes rrjetit social “Facebook” e në ndërkohë me pajisjen e kamerës profesionale ka filluar t’i postojë fotografitë edhe në uebfaqet, ku janë vetëm fotografët si flickr, deviantart, 500px.

Ai ka thënë se arti në Preshevë nuk ka mbështetje aspak dhe se mundësia e vetme për të depërtuar ishte përmes internetit. “Falë punimeve dhe ideve interesante që kisha kam arritur të marrë vëmendjen e gazetarëve që merren me fushën e artit. Nuk ka qenë aspak e lehtë, sidomos kur jam kyçur në kategorinë e ‘FineArt’-it, pasi është një kategori komplet ndryshe nga ato normalet dhe po ashtu ky lloj arti te ne ka mbështetje dhe ka vlerësim minimal”, rrëfen Limani.

Adriani thekson se inspirohet nga gjërat që e rrethojnë në përditshmëri nga filmat, nga muzika, kurse tematikat e fotografive të tij gjithmonë kanë për qëllim dhënien e një mesazhi që prek tema pozitive dhe asnjëherë nuk do që të përçojë elemente negative. “Liria, dashuria, pozitivizmi ndaj jetës e karakterizojnë punën time si fotograf”, tha ai.

Adrian Limani ka zhvilluar dhe dy ekspozitat e tij personale, një në Tiranë dhe tjetrën në qytetin e Cyrihut. Po ashtu Limani nuk ka munguar edhe duke qenë pjesë e ekspozitave kolektive kombëtare dhe ndërkombëtare. “Kam marrë pjesë në disa gara ndërkombëtare, në të cilat kam fituar disa çmime. Njëri nga ta është edhe ai në Linz të Austrisë ku kam fituar ‘Gold Medal’ në kategorinë eksperimentale”, bën të ditur Limani.

Për të kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme, ngase ishte shqiptari i vetëm që përfaqësonte artin shqiptar në përmasa internacionale. “Fotografitë e mia së fundmi janë ekspozuar në një monitor gjigand në Paris. Publikime dhe shkrime mbi punimet e mia sot mund t’i gjeni pothuajse në çdo vend të botës, disa nga gazetat dhe revistat me te njohura janë: CNN-ja, BBC-ja, RTL-ja dhe gazetat tjera britanike ‘Daily Mail’, ‘The Sun’, ‘Mirror’ dhe ‘Telegraph’, ‘Times’. Në Australi nga gazeta e përditshme ‘The Australian’, ‘N G China’ në Kinë, ‘Bild’, ‘La Republica’, në revistat ‘NPhoto’, ‘Practical Photoshop’, ‘Photography Monthly’ dhe të tjera”, tregon për “Zërin” Limani.

Meqë është vlerësuar si artisti me stil të veçantë kur e pyesim se çka e bën diferencën mes artistëve të tjerë, ai thotë se kategoria “Fine Art” të cilën ai e kultivon është e veçantë. “Është një kategori e vështirë, pasi duhet të kesh aftësinë për t’i përpunuar e po ashtu idetë interesante dhe kreative që të arrihet të bëhet diçka unike. Atë çfarë e bën stilin tim të veçantë mendoj se është mënyra e përpunimit, po ashtu idetë dhe temat që unë i trajtoj. Përveç fotografive konceptuale unë bëj dhe fotografi portrete, travel, arkitekturë”, thekson Limani.

I pyetur se si ndihet kur yjet botërore zgjedhin që fotografitë e tij t’i postojnë nëpër profile private dhe revistat prestigjioze, ai thotë se është me fat për këtë shprehje të interesimit.

“Vetë fakti që disa nga yjet dhe revistat botërore kanë qenë të interesuara ta postojnë punën time, po ashtu dhe çmimet ndërkombëtare që kam marrë më bëjnë të ndihem shumë mirë. Janë vlerësime të rëndësishme që mund t’i marrë një fotograf gjatë karrierës së tij”, shprehet fotografi. Duke folur më shumë për ekranizimin e fotografive të tij në Paris ai thotë se ky prezantim për të ishte shumë i rëndësishëm. “Për mua ka qenë e rëndësishme të bëj diçka të bukur e artistike që njerëzve t’u pëlqej, pa marrë parasysh se çfarë kategorie i përkasin punimet e mia. Ajo çfarë më bën të ndihem mirë është se punimet e mia vazhdojnë të pëlqehen dhe të shfaqen vazhdimisht, duke ditur se janë bërë disa vite më parë”, shprehet Limani, duke cilësuar se unikja gjithmonë zë vend në vlerësim dhe ka jetëgjatësinë.  

Kujtojmë se disa nxënës në një shkollë në Angli të inspiruar nga punimet e Adrianit i kanë dërguar vizatimet e tyre në stilin e preshevarit. 

Adriani është duke bërë fotografi të llojeve të ndryshme, duke përfshirë këtu fotografi të disa çifteve dhe tema të tjera që në të ardhmen mund t’i shohim në ekspozitat e tij./ZËRI

Image

Image