Aprovohet kërkesa për shndërrimin e Burgut të Prishtinës në muze

Aprovohet kërkesa për shndërrimin e Burgut të Prishtinës në muze

Kultura shkurt 08, 2019 - 10:10
Lexo më shumë detaje

 

Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka aprovuar të enjten kërkesën për shndërrimin e Burgut të Prishtinës në muze, për ta proceduar atë te kryeministri, te kryeparlamentari dhe te Ministria e Drejtësisë.

Duda Balje, kryesuese e këtij Komisioni, ka thënë se megjithëse kjo çështje po ngrihet vonë, burgu duhet të kthehet në muze sa më parë. Sipas saj, burgu tregon një pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare. “Kur kemi nisur ta hapim tematikën për Burgun në Dubravë unë kam nisur të bëj një hulumtim të vogël dhe kur kam hyrë të hulumtojë nëpër rrjete sociale, kudo, shumë pak informata ka pasur. Nëse ne si Kosovë jemi në gjendje ta harrojmë çfarë ka ndodhur, si mundet ta dijë dikush tjetër? Unë jam e sigurt se është vonë, por më mirë vonë se kurrë”, tha Balje.

Deputeti i PDK-së, Shemsi Syla, shtroi një kërkesë për mbledhjen e dokumentacionit duke thënë se kjo duhet të bëhej qysh më herët. Ai tha se duhet të bëhet apel në të gjitha burgjet që të ruhen të gjitha dokumentacionet. “Pos kërkesës që të na jepet në dispozicion si vepër muzeale, kërkoj që të kërkojmë nga të gjitha instancat, të cilat kanë obligim ruajtjen e të gjitha gjurmëve, të dokumentacionit që e kanë përcjellë golgotën e të burgosurve të Burgut të Prishtinës, nga ato shënime të gardianëve që është një pasuri e madhe e krejt shënimet përcjellëse të hetuesisë, pastaj të vet shërbimit të brendshëm të asaj kohë që kanë gjithë dokumentacionin ndaj të burgosurve, sidomos ndaj Adem Demaçit i cili do të ishte pasuri e madhe”, tha Syla.

Në anën tjetër deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, bëri vërejtje për gabimet teknike në shkresën, e cila do t’u drejtohet institucioneve përkatëse, ndërsa shtoi se ky muze do t’i paraqesë gjurmët e vuajtjes së popullit shqiptar. “Të mos tjetërsohen ato gjurmë, të cilat ndoshta janë pjesë e historisë, sado të dhimbshme të ikonave të Kosovës, të Demaçit dhe të heronjve tjetër për vuajtjet e tyre në ato hapësira dhe ato hapësira të jenë muze duke qenë e duke pasur gjithë atë material për këto ikona në këto hapësira, në mënyrë që edhe gjeneratat e kushdo që vjen në Kosovë për ta vizituar t’i shohë gjurmët dhe dhunën që ka përjetuar populli shqiptar në përgjithësi”, tha deputetja Haxhiu. 

Ky burg pritet të shërbejë si kujtesë historike e muzeore për përjetimet e shqiptarëve në vitet ’90-ta, por edhe para tyre.