“De Arte”, atelieja ku lulëzon puna e dorës

“De Arte”, atelieja ku lulëzon puna e dorës

Kultura shkurt 08, 2019 - 10:07
Lexo më shumë detaje
Image

Çdo gjë filloi në kohën kur shumë familjeve kosovare u janë shkatërruar ëndrrat, punët, karriera dhe pasioni për të punuar e për të vepruar. Me prejardhje nga Mitrovica, familja Dedinja ka trashëguar fatin e njëjtë sikurse shumë kosovarë të tjerë, të cilëve krejt çfarë kanë punuar përreth tridhjetë vjet t’u digjet e t’u shkatërrohet, si shtëpi e biznese që kanë zhvilluar për një kohë shumë të gjatë në Mitrovicë.

Nga një biznes, i cili ka pasur të punësuar rreth 15 punëtorë, familja Dedinja ka prodhuar dhe njëkohësisht ka furnizuar me çanta shumë kosovarë e është bërë rrjet i biznesit edhe më gjerë, në Slloveni, në Kroaci, në Serbi dhe në vende të rajonit. Sot familjen Dedinja e gjejmë me një tjetër punë dhe pasion të shtuar pranë një biznesi tjetër, i cili është prodhimi i dekoreve të ndryshme artistike me motive të ndryshme, si kombëtare, por edhe të lira.

Me të kaluar në rrugën “Qamil Hoxha” rrallëkush nuk mund ta shohë në këndin e rrugës një dyqan që në shikimin e parë të ofron elementet më të veçanta artistike, si piktura, skulptura, instrumente muzikore dhe gjëra të tjera të vjetra, të cilat shënojnë historinë tonë.  

“De Arte” është dyqani brenda të cilit e gjejmë punën artistike të familjes Dedinja. Dyqani është i hapur që nga paslufta, kurse që nga viti 2012 e gjejmë në lokacionin e tanishëm. E veçanta qëndron në atë se ky pasion zhvillohet nga e gjithë familja e Xhelal Dedinjës, i cili mbledh, përpunon dhe modelon elementet e ndryshme. Shpresa Dedinja, zonja e dyqanit, mirëpret, bashkëbisedon dhe shet punimet, kurse fëmijët Mehmeti, Saura dhe Flutra, që janë arkitekt e disenjatorë po ashtu kontribuojnë për punëtorinë “De Arte”.

Shpresa Dedinja gazetës “Zëri” ia ka treguar në detaje punimet që ka atelieja e tyre. Ajo thotë se në fillim kanë punuar më shumë dekore të shtëpive, suvenire, por vizitorët vazhdimisht i kanë kërkuar suvenire me motive shqiptare e kosovare dhe kjo ka ndihmuar që të zhvillohen edhe më tepër në këtë drejtim, duke projektuar, duke dizajnuar dekoret që sot gjenden në dyqan.

Dedinja shpjegon punimet duke thënë se 90 për qind e punës, e cila shihet të gjitha janë punëdore. Për ta puna më e veçantë që dhe e karakterizon artin e tyre është se ata janë të parët të cilët kanë filluar që me gurë të “Trepçës” të dizajnojnë harta të Kosovës, punëdore autentike, që si për nga stili, si për nga materiali janë specifikë që kjo familje i prodhon. “Ne jemi të Mitrovicës, kemi jetuar atje, deri para luftës dhe tani kemi arritur ta nxjerrim në dritë një punë, të cilën e bëjmë me shumë dashuri. E kemi krijuar një suvenir origjinal, i cili nuk është kopjuar prej kinezëve e të tjerëve, që ku të shkosh i ke të njëjta. Secili shtet ka kulturën e vet, por ne jemi munduar sa më natyral, sa më denjësisht ta promovojmë atë që është jona”, vlerëson Dedinja, duke theksuar se është puna më me qejf të cilën e bën kjo familje.

Ajo thotë se gurët si dekorime janë të veçanta si për kah qëllimi edhe si simbolizëm i shtetit tonë me vlerat që kemi e të cilat sipas Dedinjës janë të pamohueshme pasuritë tona nëntokësore si gurët e “Trepçës”.  “Pjatat me motive të qilimave” janë punime tjetra , të cilat shihet në dyqan. Po këtë stil e kanë shkrirë edhe duke e dizajnuar në gota të ndryshme e në korniza gjithashtu.

Punime tjera dekorimi me motive shqiptare që shihen janë figura e Skënderbeut, të cilën e gjejmë si portret, e shpatën për ta varur në mur dhe dekore të tjera për t’u vënë nëpër pjesë të ndryshme të shtëpisë. Nëna Terezë, Hyjnesha në fron, personalitete të ndryshme, plisa të llojeve të ndryshme, instrumente të vjetra muzikore, mandolina, fuçi të ndryshme, ibrikë çaji të vjetër, çanta autentike të punuara në formë të veçantë dhe plot punime të tjera. Kurse në qoshen e ateliesë në formate të ndryshme mund të shihet edhe “Deklarata e Pavarësisë”, e cila është punuar me sharmin e Dedinjajve, që mund të shërbejë për ta vendosur në zyrë ose edhe nëpër muret e shtëpisë. Në këndin e ateliesë shohim edhe pikturat e ndryshme, që i sjellin studentë të cilët dëshirojnë t’i ekspozojnë pikturat në dyqanin “De Arte” ose edhe t’i shesin ato. Po ashtu ka edhe piktura të piktorëve të shumtë, që i sjellin dhe e hijeshojnë dyqanin.

Shpresa Dedinja tregon se punohet dhe me porosi, për çfarëdolloj dizajni, logoje ose dekorimi që kërkohen nga klientët. “Kështu që, sa i përket punës me teknikë, vizatimet që përcillen i bëjnë fëmijët. Unë shes, burri i punon punëdoret. Jemi bërë një biznes familjar, i cili është i kënaqshëm. Ne kemi qejf që në dyqanin tonë të kemi edhe sende të vjetra, të cilat e dëshmojnë kulturën tonë. Kështu që përmes kësaj mund edhe të apelohet se çdokush që ka ndonjë gjë të vjetër të kulturës sonë dhe që dëshiron t’i shohë për shumë gjatë diku, ta sjellë në dyqanin ‘De Arte’”, thotë Dedinja.

Duke parë punëdoren e veçantë që zhvillohet në këtë dyqan shihen njëkohësisht edhe çmimet me të cilat vlerësohet puna e që nuk janë shumë të larta, por përkundrazi të përballueshme për shumicën.

Së fundmi “De Arte” ka punuar edhe dhurata për marka të huaja, siç është firma gjermane “Zott”. Kjo ka pranuar një dhuratë të punuar nga ky dyqan. Shpresa përfundon fjalën e saj duke thënë se çdo gjë bëhet reale kur dëshira për punë shndërrohet në pasion dhe kur vlerësohet nga tregu.

Image