"Talia e Flakës” prezanton pesë shfaqje

Kultura January 22, 2019 - 10:04
Lexo më shumë detaje

Programi i Festivalit të Dramaturgjisë Kombëtare "Talia e Flakës 2019", në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit”dërgon në Gjilan disa vlera të dramaturgjisë kombëtare dhe vjen me shfaqje e program të pasur teatral edhe këtë edicion. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar Eksperimental nga Shqipëria, Qendra Multimedia, Teatri "Adriana" – Ferizaj dhe nikoqiri, Teatri i Qytetit të Gjilanit do të shfaqin para publikut gjilanas veprat e tyre kombëtare.

“Talia e Flakës 2019” sivjet mbahet nga data 23 - 27 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit kurse të gjitha shfaqjet fillojnë me fillim në ora 19:00.

I pari në Gjilan, më 23 janar, prezantohet “Teatri Kombëtar i Kosovës” me shfaqjen “I ligu për mend” nga regjisori AltinBasha me teskt të Gjergj Fishtës. Më 24 janar prezantohet Teatri i Qytetit të Gjilanit me shfaqjen “I vetëm në banesë” nga regjisorja Natyra Kallaba me tekst të Avni Shkodrës. Në anën tjetër, skena e Gjilanit më datën 25 është rezervuar për Teatrin Kombëtar Eksperimental nga Shqipëria dhe shfaqjen “Kreonët e Ballkanit” me regji të EnverPetrovcit. Qendra Multimedia prezantohet në Gjilan më 26 janar me shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez” nga Jeton Neziraj dhe Agon Myftari kurse"Talia e Flakës 2019" përfundon më 27 janar me shfaqjen “Kur hana del” të regjisorit Ben Apolloni të cilën e prezanton teatri “Adriana Abdullahu” ngaFerizaj.

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nisur më 12 janar manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili po mbahet për here të 28-të në nderim të dëshmorëve, të heronjve e të martirëve të rënë për lirinë e Kosovës.  Ky është edicioni i 28-të, i cili organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që u kushtohet të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për liri. Gjatë tërë muajit do të ketë aktivitete kulturore në kuadër të katër shtyllave në frymë garuese.

Tash e 28 vjet në Gjilan në kuadër të “Flakës së Janarit” mblidhen trupat teatrore nga vendet e ndryshme shqipfolëse për të dhënë para publikut gjilanas shfaqjet e tyre. Aty mbahet ora e madhe letrare, prezantohen koncerte të ndryshme për të rriturit e për fëmijët, si dhe ekspozita.