Nominimet e “Oscars” shpalosen më 22 janar

Kultura January 21, 2019 - 12:43
Lexo më shumë detaje

Përderisa ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscars” duket se është afruar, shumë adhurues të kinematografisë kudo nëpër botë janë në pritje të shpalljes së filmave që sivjet garojnë për trofetë e kinematografisë si dhe për surprizat që kjo natë e veçantë e vitit rezervon për ta.

 

Zakonisht, nominimet e Akademisë “Oscars” shpallen të martën e parafundit të janarit. Kjo do të thotë këtë vit ato do të bëhen publike më 22 janar 2019. Ky publikim do të shënojë kulmin e një procesi tre-javor për përcaktimin e kandidatëve. Rikujtojmë se votimi për  “Oscars” u hap më 7 janar dhe u mbyll të hënën, më 14 janar. Akademisë zakonisht i duhet të marrë një javë  kohë për të paraqitur rezultatet dhe pastaj të vendosë fushat në të gjitha 24 kategoritë. Historikisht, njoftimi zhvillohet herët në mëngjes me kohën amerikane duke filluar rreth orës 9:00, përveç nëse akademia ndryshon rutinën e tyre për 2019. Vitin e kaluar ceremonia e ndarjes së çmimeve ‘Oscars” u mbajt më vonë se zakonisht gjatë vitit, duke u zhvilluar më 4 mars, për shkak të Olimpiadës Dimërore por sivjet ceremonia është kthyer sërish në terminin kohor tradicional, që është e diela e fundit e shkurtit dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC më 24 shkurt. Ceremonia do të fillojë në orën 20:00, me kohën amerikane, si dhe si çdo vit tjetër do të transmetohet përmes kanaleve të ndryshme televizive në shumë vende të botës.  Si gjithmonë kritikët e filmit por edhe shikuesit pasionant të kinematografisë bëjnë parashikimet e tyre se cilët filma do të kthehen me trofe në shtëpi.

 

Disa nga më të përfolurit sivjet janë për çmimin kryesor të “Oscars” janë: “First Man”, “A Star is Born”, “If Beale Street Could Talk” “Roma” e te tjerë. Në anën tjetër si me potencial për tu shpërblyer me një “Oscars” si regjisori më i mirë padyshim po shihen Damien Chazelle (First Man), Alfonso Cuarón (Roma), Barry Jenkins (If Beale Street Could Talk), Spike Lee (BlacKkKlansman) dhe Steve McQueen (Widows). Në mesin e aktorëve më të mirë që mund të shpërblehen me një “Oscar” nëpër parashikime po përfolën më së shumti Christian Bale (Backseat), Bradley Cooper (A Star Is Born), Ryan Gosling (First Man), Ethan Hawke (First Reformed), Robert Redford (The Old Man and the Gun) kurse sa i përket aktoreve femra po favorizohen Glenn Close (The Wife), Viola Davis (Widows), Lady Gaga (A Star Is Born), Melissa McCarthy (Can You Ever Forgive Me?)

 

Mediat botërore raportojnë se për shumë vite akademia “Oscars” është përpjekur të sjellë freski përmes një prezantuesi të zgjedhur me kujdes që do të merrte vëmendjen e shikuesve megjithatë për herë të parë pas tri dekadash ceremonia më e rëndësishme e filmit në botë do të zhvillohet pa një prezantues, një nikoqir kryesor. Përderisa ylli Kevin Hart i zgjedhur kohë më parë për të prezantuar ceremoninë këtë vit u shkarkua pas komenteve homofobike të bëra në “Twitter”, për të cilat refuzoi të kërkonte falje.  Fakti se sivjet nuk do të ketë një prezantues po e bën këtë ceremoni edhe më intriguese. Hera e fundit që ceremonia “Oscars” u mbajt pa prezantues ishte në fund të viteve '80. Në vend të një prezantuesi të vetëm, prodhuesi Allan Carr dhe drejtori Jeff Margolis u dhanë shikuesve një numër muzikore prej 11 minutash me anë të një hapjeje.

Edhe pse si gjithmonë  kjo ceremoni merr vëmendje mediatike, viti që lamë pas nuk ishte viti më i mirë i mundshëm për akademinë “Oscars”. Ndër të tjera kjo akademi u kritikua për futjen e çmimit me të cilin do të shpërblehet filmi më i popullarizuar, “Best Popular Film”.