Gani Llalloshi lë zemrën në pikturë

Gani Llalloshi lë zemrën në pikturë

Kultura janar 19, 2019 - 08:39
Lexo tjera detaje
Image

Piktori Gani Llaloshi muajin e kaluar ka nderuar Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK) duke hapur ekspozitën personale “Qielli është i kaltër”. Me ftesë të GKK-së mbrëmjen e së enjtes artisti Llalloshi ka zhvilluar një diskutim me dashamirët e artit të tij, ku ka folur detajisht për pikturat e ekspozitës, shkruan Gazeta "Zëri".

“Ekspozitën e kam filluar për të pasqyruar si një tregim gjithçka që është mbledhur në trurin tim për 30 vjet”, tha Llalloshi në këtë takim. Sipas tij, qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë që të zhvillohet një diskutim me njerëzit që i do dhe që beson që e duan pa hile. “Kam ecur nëpër botë dhe kam gjetur dashurinë, në disa raste kam parë që është me hile. Por ajo çka kam pasur dilemë ka qenë prej nga t’ia filloj këtë tregim, a ta filloj prej Hërticës, katundi i fundit që është në kufi me Serbinë dhe asgjë nuk ka serbisht, ku gjithçka është shqip, ose t’ia filloj prej vetes”, tregon Llalloshi.

“Jam nisur prej vetes, prej tregimit tim, kam filluar të jem prej fillimit deri në fund i kyçur 100 për qind jo vetëm me konceptin, me temën, me racionalitetin tim, por edhe për të treguar lidhjen me dorën, manualizmin”, thotë ai, duke treguar se Hajdegeri kur dëshironte të shpjegojë artin e merr shembull molerin, ai që i lyen shtëpitë e sipas tij moler është edhe piktori, dallimi mes këtyre dyve qëndron në atë se piktori ngjyrën e përpunon e moleri e përdor.

“Është shumë me rëndësi për mua që në artin që pasqyroj, pos zemrës, mendjes, të jetë edhe dora profesionale, për këtë arsye ndihem më i sigurt në pikturë. 

Ne jetojmë një jetë të shpejtë, për të qenë korrekt me publikun dhe jokonvencional duhet prej A-së me u nis te B-ja dhe mes këtyre me ndodh diçka”, me fjalë arti shprehet artisti.  Llaloshi rrëfeu historinë e pikturës që më së shumti përcjell emocion te publiku e që titullohet “Rina lexon mesazhet”.

“Qielli jo për gjithkënd mund të jetë i kaltër, për dikë mundet me qenë i zi, ose edhe ngjyra tjera, kjo e gjitha varet nga emocionet, ndjenjat. Kur pyesim dikë si po ndihesh sot, përgjigjja vjen nga ndjenjat, dikush mund të thotë jam shumë mirë - qielli është i kaltër.

Kjo është Rina, vajza ime, e cila ka lindur para 14 vjetësh dhe gjatë lindjes ka pasur probleme, unë nuk di si janë fëmijët e tjerë, por e di që Rina është veç dashuri. Këta fëmijë e dinë më së miri çka është dashuria, i vetmi komunikim i tyre është përmes dashurisë, Rina krejt çka dëshiron të arrijë është përmes kësaj forme”, sqaroi artisti, duke mos larguar shikimin nga piktura ku Rina sipas tij me mirësjellje paraqitet.

Sipas artistit, ka qenë e vështirë të vendosë se si ta paraqesë Rinën sa më mirë dhe të mos ikë prej historisë të artit, por ai e përshkoi atë si “zonja që lexon letra te dritarja para ballkonit dhe nën yje”. 

“Katuni i Babës”, “Molla e Kuqe” e “Sofra e bukës” janë disa nga pikturat e tjera që bëjnë pjesë në këtë ekspozitë./ZËRI