“Evropa kreative”, zyra që integron Kosovën në rrjetet evropiane të kulturës

Kultura January 18, 2019 - 10:01
Lexo më shumë detaje
Image

Të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është bërë hapja e zyrës për programin “Evropa kreative në Kosovë” nga ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Para të pranishmëve Gashi konsideroi që kjo zyrë do ta integrojë Kosovën në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës. Ai cilësoi se hapja e zyrës për programin “Evropa kreative” është një aktivitet i rëndësishëm kulturor për faktin se Kosova do të përfitojë nga programi i Bashkimit Evropian “Evropa kreative”, sektorët e saj kulturorë dhe krijuesit do të forcohen, ndërsa audiencat në Kosovë e përtej do të përfitojnë nga shtimi i shumëllojshmërisë kulturore.

Sipas ministrit, “Evropa kreative” do t’ua mundësojë mijëra artistëve, profesionistëve të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese e botuesve të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë, me ç’rast organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante rreth projekteve shumëvjeçare të bashkëpunimit, për përkthime librash, për krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe.

Po ashtu ministri tha se kjo marrëveshje e arritur me Komisionin Evropian synon integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës, duke e bërë Kosovën pjesë të hartës kulturore evropiane, përmes asaj që quhet diplomaci e integrim kulturor. “Pas nënshkrimit të marrëveshjes, të ratifikimit dhe të hyrjes në fuqi ne si Ministri kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për krijimin e strukturave përkatëse, për themelimin e për funksionalizimin e zyrës për programin ‘Evropa kreative’, në kuadër të kësaj Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika, ambient e mekanizma të përshtatshëm për promovimin e aktiviteteve kulturore”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se ky program do t’ua mundësojë artistëve kosovarë t’i promovojnë veprimtaritë e tyre artistike në gjithë botën. “Ministria që unë drejtoj ka mandat për krijimin e donacioneve në vend dhe përfituesit e donacioneve do të jenë të gjithë sektorët në Kosovë”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, Kosova synon të bëhet pjesë e të gjitha zhvillimeve ndërkulturore dhe se ky program do t’ia mundësojë komunitetit të kulturës që të ecë përpara duke krijuar vepra artistike me ndikim. Hoxha po ashtu cilësoi se përmes këtij programi Kosova do të krijojë rrjete bashkëpunimi me vende të tjera, duke shkëmbyer përvoja bashkëpunimi dhe se ky program ka për synim që Kosova të zhvillojë diplomacinë kulturore. “Kosova ka nevojë të bëjë më shumë në këtë drejtim që të rriten kapacitetet e përgjithshme dhe të promovohen veprat artistike në gjithë sektorët në Kosovë dhe falënderoj ministrin për përpjekjet e tij. Ky program ka synim integrimin e Kosovës në rrjetin evropian me komunikim të kulturës përmes veprimtarisë së krijuesve tanë”, përfundoi fjalën e saj Hoxha.