Shfaqja e re e Berishës na kujton Bllacën

Kultura January 18, 2019 - 09:57
Lexo më shumë detaje
Image

Burbuqe Berisha është një nga regjisoret e mirënjohura të Teatrit dhe të filmit në Kosovë. Edhe pse numëron shumë vite karrierë, Berisha nuk e ka ndalur ritmin e saj të punës. Së fundmi ajo ka prezantuar para publikut shfaqjen “Bretkosa”. Kjo shfaqje, e cila është rrëfim për të gjithë njerëzit e ditëve të sotme, që jetojnë në kohën e keqkuptimeve dhe të vetmisë në kërkim për dashurinë e jetën kuptimplote, u mirëprit nga publiku. Në anën tjetër Berisha tashmë ka filluar punën për një shfaqje të re, e cila do të jetë pjesë e programit për skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës sivjet. Bëhet fjalë për tekstin “Bryma e vdekjes”, të Milazim Krasniqit, të cilin Berisha ka marrë përsipër ta verë në skenë para publikut këtë pranverë. Më shumë detaje për këto projekte të reja na shpalos vetë regjisorja Berisha në këtë intervistë dhënë për gazetën “Zëri”.

 

Zëri: Shfaqja juaj më e re “Bretkosa” është prezantuar së fundmi para publikut në teatrin “Faruk Begolli”. Si shkoi ky projekt?

Shfaqja “Bretkosa” u prit shumë mirë nga publiku, i cili erdhi ta shihte në premierë, si dhe në repriza. Kjo shfaqje ishte një risi në skenën tonë, pasi është një shfaqje kamertale. Jam shumë e kënaqur se si është realizuar deri në fund ky projekt. Ka qenë kënaqësi të punoj me një kastë aktorësh, siç janë: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala e Valmir Krasniqi. Valmiri si aktor më i ri besoj se është e ardhmja e Teatrit. Unë insistoj që aktorët të jeni gjithmonë sa më origjinalë dhe ta sjellin veten e tyre në skenë ,prandaj ka qenë vërtet kënaqësi të punoj me këta profesionistë.

 

Zëri: Cilat janë planet tuaja për “Bretkosën” në të ardhmen? A pritet që kjo shfaqje të rrugëtojë nëpër teatro tjera?

Shfaqja besoj se do të vazhdojë me reprizat e veta brenda AAB-së, ku tashmë i kemi dy skena në dispozicion të artdashësve, edhe këtë te teatrit kamertal. Pse jo, besoj që shfaqja “Bretkosa” do të shfaqet edhe në vende të tjera.

 

Zëri: Në repertorin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të miratuar për vitin 2019, është edhe shfaqja juaj më e re “Bryma e vdekjes”, nga Milazim Krasniqi. Çka mund të na zbuloni për këtë projekt?

Unë jam përkrahëse e dramaturgjisë vendore. Më vjen mirë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës së fundmi po shohim edhe më shumë shfaqje nga shkrimtarët dhe nga dramaturgët tanë. Teksti “Bryma e vdekjes” nga Milazim Krasniqi më është besuar mua nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Personalisht kam shumë respekt për këtë shkrimtar dhe i kam lexuar të gjitha veprat e tij. Edhe po ta zgjidhja vetë tekstin besoj që zgjedhja ime nuk do të ndryshonte sepse “Bryma e vdekjes” është një vepër shumë e mirë. Teksti flet për përjetimet e shqiptarëve të Kosovës në Bllacë nga lufta e fundit. Pra e trajton një lloj eksodi që ne e kemi përjetuar. Përderisa po i afrohemi një përvjetori të rëndësishëm të asaj ngjarjeje besoj që kjo shfaqje do të pranohet mirë dhe do të përkrahet nga publiku. Premiera e saj do të jetë në pranverë.

 

Zëri: Në teatrin “Faruk Begolli” se fundmi u mbajt edhe Festivali i Teatrove. Sa jeni të kënaqur me interesimin që ngjalli ky festival?

Në AAB para pak kohësh ka përfunduar edicioni i dytë i Festivalit të Teatrove. Ne jemi shumë të kënaqur me suksesin që ky festival ka pasur duke mbledhur trupa teatrale të ndryshme që prezantuan shfaqjet e tyre. Ne tashmë vetëm se kemi nisur përgatitjet për edicionin e tretë të këtij festivali, i cili shpresoj të mbahet në këtë pranverë. Për të gjitha risitë ne do të kujdesemi që t’i informojmë me kohë publikun.

 

 Zëri: Për fund, si i shihni zhvillimet në fushën artistike në Kosovë?

Jo vetëm në kulturë, në teatër ose në film, por në çdo sferë të jetës në Kosovë është vështirë. Është vështirë të punohet mirë e të arrihet sukses në këso kushtesh, megjithatë ne duhet të vazhdojmë përpjekjen tonë në çdo drejtim dhe të bëjmë më të mirën e mundshme.