Florin Kelmendi sjell librin “Vrasje në Kornizë”

Kultura January 17, 2019 - 11:50
Lexo më shumë detaje
Image

Të mërkurën në “Sheshin 21” u mblodhën miqtë dhe dashamirët e fjalës së shkruar. Florin Kelmendi, që njihet si drejtues programesh, ka përuruar librin e dytë të tij “Vrasje në Kornizë”, prozë kjo që ndërthur jetën, artin, ëndrrat e personazheve ikona që përpëliten në një kohë jo të largët të ardhur fuqishëm e deri në ditët tona, kurse “korniza” në libër trajtohet si një simbol kufizimesh dhe lirie.

Veprën në fjalë recensentë e kritikë e vlerësuan si një prurje të re të një historie që mirëpritet nga të gjithë brezat. Për të pranishmit edhe më të kapshëm historinë e librit e bën Çun Lajci dhe Safete Rogova, dy artistë që lexuan pjesë nga libri.

Fjalën e mori Shaip Grabovci, doajeni i gazetarisë, i cili konsideroi që kur lexuesi ta përfundojë leximin e ka përshtypjen se ka lundruar në një kohë kur çdo gjë ishte ndryshe, kur çdo gjë ishte e zymtë dhe e rëndë si plumbi. Ai thekson se gjatë leximit të romanit njeriu e ndien veten se është duke udhëtuar në kohë dhe në fund vëreni se ai kuptim te personazhi ka lënë vragë të pashlyera e përballë të gjitha këtyre ka një të kaluar me tërë mundime. Sipas Grabovcit, libri është një pikturë që nuk di të plaket, sepse me dhembshuri e kërshëri mësohet se flitet për vuajtjet që ka sjellë ajo kohë e pakohë, duke cilësuar se lexuesit e moshës së re do të pyesin se vallë ka ekzistuar një kohë e tillë dhe përgjigjën do ta marrin në libër.

“Një roman shumështresor ku bashkëjetojnë dashuria, arti, e kaluara, e tashmja dhe individi. E gjitha lidhet me një pikturë, një personazh i gjallë”, shprehet Grabovci.

Ai shtoi se kuptohet që vepra letrare shijohet nga secili lexues në mënyrën e vet, por sipas tij nëse secili lexues e gjen veten, atëherë edhe vepra e arrin qëllimin. “Do ta shijojnë një pjesë të historisë sonë. Mund të them që fat i mirë është që treni i Florinit nuk po ndalet, ai po vazhdon rrugën me plot sukses”, përfundoi kështu fjalën e tij Grabovci.

Në fjalën e tij Behar Gjoka tha se në Kosovë gjithmonë ka ardhur për libra fatmirësisht, ai thotë se autorin e ka njoftuar tani për herë të parë dhe nëse ka një mendim e ka për të dhe për veprën e tij në aspektin profesional, kurse në momentin që do të bëhet mik me autorin premton që nuk do të shkruajë më për të. “Të thuash që doli libri dhe të fillosh diskutimin për të është rregull i padiskutueshëm për secilin libër që meriton të promovohet dhe normalisht ka momentin e përgjegjësisë. Ky libër në fakt është një ditar. Kjo e bën që personazhet të jenë edhe protagonistë, edhe personazhe.

Akti dhe dëshmia janë pranë dhe kjo bën që ky tekst të mos konsiderohet i thjeshtë”, ka thënë Gjoka. Ai vlerëson se romani “Vrasja në Kornizë” është një shëmbëllim pasqyrash, që bashkëlidh artin dhe dashurinë, në ngjallje dhe në amshim, ngjizur me një strukturë dhe narrativë mjeshtërore që ofron një botë komplekse dhe magjike.

Safete Rogova u shpreh se Florini përmes rrëfimit të Artës piktore dëshmon se dashuria e sinqertë e gruas për rrethin, e motrës për vëllain, për dashnorin, për artin, nuk pushon kurrë, kurse Burbuqe Rushiti ka thënë se Florimi, miku i saj viteve të fundit, i ka dhuruar letërsisë shqipe dy libra të çmuar. Kurse, sipas saj, në librin e fundit ka përdorur ngjyrat më të bukura të fjalës dhe ka pikturuar dritëhijet e dashurisë, të realitetit dhe të ëndrrës në një mjedis ku e vjetra dhe e reja luajnë me ne.

“Një dashuri e ruajtur me xhelozi thellë në ylberin e shpirtit të Artës, personazhit të kornizuar bashkë me ndjenjat e saja në një pikturë, dashuri e bashkëdyzuar me Dinin”, u shpreh Burbuqe Rushiti.

Në anën tjetër, vetë autori Florin Kelmendi në fjalën e tij ka falënderuar veç e veç secilin bashkëpunëtor, kritik, vlerësues dhe miqtë që e kanë përcjellë deri në botimin e librit të dytë. Kelmendi ka folur për librin, duke theksuar se është përpjekur të krahasojë kohë dhe njerëz në kohë të ndryshme, duke përfunduar se në thelb njerëzit dhe të bëmat e tyre janë gjithnjë të njëjta, vetëm të pajtuara ndryshe. “Përcaktimin e kufijve të jetës dhe të hapësirës në të cilën zhvillohet jeta unë e kam imagjinuar në një kornizë pikture, në të cilën përpëliten të priturat dhe të papriturat jetësore. Aty gjallërojnë, bashkëjetojnë, duhen, urrehen, kundërshtohen e përplasen dashuria, tradhtia, e mira, e keqja, e shëmtuara, të gjitha, por edhe vrasja”, tha Kelmendi, duke cilësuar se në këto korniza jetësore vrasja nuk e ka kuptimin vetëm të zhdukjes fizike, por ka dhe kuptimin e zhdukjes shpirtërore e sipas tij edhe kufizimi i lirisë së mendimit dhe kufizimi i luftës për mirëqenie është po ashtu vrasje.

Sipas Kelmendit, në librin e tij Arta, personazhi kryesor, jo që thyen korniza, por i nxjerr nga kornizat pjesët e trupit të vet dhe i ngjall ato për të luftuar jashtë kornizës. “Megjithëse ajo kishte dilema në njërën anë dhe se vetja e saj del nga korniza e ngjallet dhe bëhet vdekatare, ajo zgjedh të jetë vdekatare, i provon edhe të mirat, edhe të këqijat e jetës në vrap me të vërtetën dhe të drejtën”, tha Kelmendi, duke theksuar vazhdimisht se krejt qëllimi i librit bie në të zhdukurit, që u bënë shumë vite pa u gjetur, shpirtrat e të cilëve janë të gjallë dhe vetëm duhet kërkuar.

E sipas Kelmendit ky libër është shpirti i protagonistes, faqet e këtij romani janë ftesë për t’i gjetur.