Instituti i Historisë prezanton librin me fakte nga Arkivat Kombëtarë Britanikë

Kultura January 16, 2019 - 09:55
Lexo më shumë detaje
Image

Instituti i Historisë në Prishtinë ka botuar vëllimin “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore - Arkivat Kombëtarë Britanikë”, vëllim ky që është përgatitur nga studiuesit: prof. dr. Hamit Kaba dhe prof. asoc. dr. Sabit Syla. Njëri nga autorët e librit, Sabit Syla, ka treguar për gazetën “Zëri” se çfarë përmban ky libër. Siç mësohet nga autori i librit Syla, dokumentacioni i përfshirë në këtë vëllim është hulumtuar në Arkivat Kombëtarë Britanikë vitet e fundit.

Ai përmban dokumente që i takojnë harkut kohor nëntor 1940 - maj 1945. Dokumentet përqendrohen në tematika kryesore, si pozicioni i shqiptarëve në kuadër të Luftës së Dytë Botërore, diskutimet mbi të ardhmen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran ose në kuadër të një federate/konfederate ballkanike, çështja e kufirit shqiptaro-grek dhe shqiptaro-jugosllav, çështja e së ardhmes së shqiptarëve të Kosovës dhe viseve lindore, të cilët ishin bashkuar me Shqipërinë londineze etj.

Syla për gazetën “Zëri” ka kumtuar një vlerësim të Institutit të Historisë që i është bërë librit. Ai është shprehur se ky publikim paraqet një kontribut të çmuar për të ndriçuar shumë aspekte mbi veprimet politike, diplomatike, të lëvizjes së rezistencës antifashiste shqiptare dhe raportet e saj me lëvizjet e rezistencës së vendeve fqinje, si dhe të rolit që kanë pasur fuqitë aleate në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu mësohet se dokumentet e para të kësaj përmbledhjeje trajtojnë problemin e gjendjes së territoreve shqiptare nën okupimin e ushtrisë greke, pas shtyrjes së ushtrisë italiane, veçanërisht në Korçë e në Gjirokastër në nëntor-dhjetor 1940. Kurse dokumentet në vijim merren me përpjekjet e shqiptarëve e të Zogut për të organizuar e për të nxitur një lëvizje antiitaliane në Shqipëri, por përpjekjet e tij u sabotuan nga qeveria greke dhe nga situata e krijuar pas pushtimit gjerman të Greqisë e të Jugosllavisë.

Dokumentet e mëpasshme përmendin çështje që lidhen me përpjekjen e Mbretit Zog për të siguruar një status më të privilegjuar dhe përgjigjen negative të qeverisë britanike. Kjo e fundit gjykonte se Mbreti Zog gëzonte një mbështetje të kufizuar në mesin e shqiptarëve, ndërsa ideja e tij e mbështetur nga “Vatra” për të krijuar një qeveri të përkohshme në mërgim nuk u mor seriozisht as nga qeveria britanike dhe as nga qeveria amerikane. Vazhdimisht theksohet se shumica e dokumenteve të përfshira në këtë vëllim i përkasin periudhës së viteve 1943 dhe 1944.

Në këtë përmbledhje, duke iu referuar vazhdimisht kumtesës që Syla e ofron për gazetën tonë, një vend të konsiderueshëm zë Kosova. Ajo përmendet në kontekste dhe pikëpamje të ndryshme, varësisht nga prejardhja e informacionit. Interesi i aleatëve për Kosovën shtohet sidomos në vitin 1944. E ardhmja e saj brenda ose jashtë Shqipërisë gjen vend në disa dokumente. Në planet e para të përgatitura nga specialistët aleatë për të ndihmuar Shqipërinë përfshihen edhe ndihmat që do të përfitonte Kosova, por me kalimin e kohës Kosova ndahet nga Shqipëria, një fakt domethënës që fliste jo pak për të ardhmen e saj nën shtetin jugosllav. Një pjesë jo e paktë e dokumenteve britanike e shohin lidhjen e territoreve shqiptare si një fenomen natyral jo vetëm në aspektin etnik, por edhe në atë ekonomik. Të dyja këto pjesë plotësonin njëra-tjetrën.

Dokumentin “Mbi të ardhmen e Kosovës dhe vlerën e saj ekonomike”, të shoqëruar me shtojcën “A” dhe “B”, nis me këtë përkufizim: “Krahina iu aneksua Shqipërisë prej Jugosllavisë nga italianët në gusht 1941, ku përfshihej edhe Lugina e Plavës dhe Gucisë, fusha e Metohisë, pjesë të fushës së Kosovës, Mali i Sharrit dhe lugina e sipërme e Vardarit”. Sa i përket popullsisë, vazhdon dokumenti, nuk ekzistojnë shifra të sakta. Në vitin 1918 pjesa më e madhe ishte pa dyshim shqiptare. Kjo shumicë vazhdon pothuajse me siguri, megjithëse është reduktuar shumë gjatë sundimit jugosllav 1918-1941. Mjaft interesante janë dokumentet e sjella në këtë vëllim mbi qëndrimin e Britanisë së Madhe ndaj ndryshimeve kufitare të bëra nga pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe të ardhmen e Kosovës.

Studimet për kufijtë dëshmojnë për qëndrimin ambig të Britanisë së Madhe ndaj çështjes shqiptare, qëndrim ky që kushtëzohet sa nga strategjitë ushtarake, aq edhe me nevojat për të kënaqur aleatët ballkanikë të koalicionit antifashist. Diplomacia britanike kundërshtoi propozimin për mbajtjen e një plebishiti ndër shqiptarët e Kosovës dhe territoreve të tjera të banuara nga shqiptarë.

Pjesa përmbyllëse e kësaj përmbledhjeje përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentesh, të cilat hedhin dritë mbi situatën politike-ushtarake dhe socio-ekonomike në Shqipëri në prag të çlirimit nga pushtuesit gjermanë, duke përshkruar natyrisht rritjen e forcave partizane, moralin, pajisjet, por edhe të dhëna interesante mbi shkallën e dëmtimeve që la lufta, problemet e varfërisë, të papunësisë dhe problemet financiare të autoriteteve vendore.