“Ikigai”, nga Héctor García dhe Francesc Miralles

Kultura January 14, 2019 - 09:57
Lexo më shumë detaje

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Ikigai” nga Héctor García dhe Francesc Miralles. Ky është një libër, i cili mëton t’i zbërthejë sekretet japoneze për një jetë më të gjatë dhe më të lumtur. Nga japonishtja “Ikigai” ka kuptimin e një udhërrëfyesi në jetë. Njerëzit e Japonisë besojnë se çdokush e ka një ikigai – një arsye për t'u çuar nga shtrati çdo mëngjes.

Përmes këtij libri autorët Héctor García dhe Francesc Miralles mëtojnë t’i udhëzojnë lexuesit ta gjejnë ikigain e tyre në jetë. Frymëzues dhe inkurajues, ky libër do t'ju udhëzojë ta zbuloni ikigain tuaj. Do t'ju mësojë se si t'i lini urgjencat prapa, si ta gjeni qëllimin e jetës, si t'i ushqeni miqësitë dhe të hidheni në krahët e pasioneve.

Sipas autorëve, ikigai është i fshehur në brendësinë tonë dhe kërkon një eksplorim të durueshëm për të arritur deri në thellësinë e qenies sonë për ta gjetur atë. Sipas vendasve të Okinavasit, ishulli me indeksin më të lartë të njëqindvjeçarëve në botë, arsyeja pse zgjohemi në mëngjes është ikigai. Japonezët besojnë se pasi të keni gjetur ikigain tuaj mjafton ndjekja dhe të ushqyerit e tij çdo ditë për t’i dhënë kuptim ekzistencës tuaj. Ata thonë se në momentin që puna juaj ka këtë qëllim edhe puna më rutinë do të kthehet në një lumturi rrjedhëse. Sipas japonezëve, ikigai gërshetohet nga këto elemente: Çfarë do ti? Që lidhet me pasionin dhe me misionin. Ajo për çka paguhesh? Që lidhet me profesionin dhe me zanatin, të rrethuara nga ajo në të cilën je i mirë dhe ajo për të cilën bota ka nevojë. Pikëtakimi i këtyre jep ikigain e njeriut.

Ndër të tjera, në këtë libër gjeni dhjetë ligjet e ikigait, të nxjerra nga mençuria e pleqve të Ogimit. Ato janë: 1. Jini gjithmonë aktivë, mos u dorëzoni kurrë. 2. Merreni shtruar. 3. Mos hani derisa ta mbushni stomakun. 4. Rrethoni vetën me miq të mirë. 5. Formohuni për ditëlindjen tuaj të ardhshme. 6. Buzëqeshni. 7. Lidhuni me natyrën. 8. Falënderohuni. 9. Jetoni momentin dhe 10. Ndiqi ikigain tuaj.

“Ikigai” nga Héctor García dhe Francesc Miralles është përkthyer në gjuhën shqipe nga Fatbardha Statovci dhe është botuar nga shtëpia botuese “Pema”. Çmimi i këtij libri është 8 euro.