Dy vjet nga vdekja e Ramiz Kelmendit

Kultura January 14, 2019 - 09:53
Lexo më shumë detaje

Data 12 janar 2019 ka shënuar përvjetorin e dytë të vdekjes së shkrimtarit dhe të gazetarit Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave shqipe. Me vdekjen e Kelmendit në moshën 86-vjeçare bota e letrave shqipe ka humbur penën e mprehtë, kultura njeriun që i dha një tjetër imazh asaj, gazetaria njërin nga personalitetet e shquara të saj. Në këtë përvjetor Kelmendin e kanë kujtuar familjarët, bashkëpunëtorët e miqtë.  

Ramiz Kelmendi u lind më 20 dhjetor të vitit 1930 në Pejë. Ka vdekur më 12 janar të vitit 2017 në Prishtinë. Shkollën fillore e semimaturën i mbaroi në vendlindje. Edhe pse i ri ishte pranuar në radhët e një grupi të atdhetarëve të kohës, të cilët me rastin e ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, në vitin 1945 e më vonë, ishin angazhuar rreth  idesë kombëtare të ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Si i mitur ka qenë i dënuar në të njëjtin proces gjyqësor bashkë me nacionalisten e mirënjohur shqiptare Marije Shllaku, e cila ishte dënuar me vdekje dhe ishte ekzekutuar nga regjimi komunist i kohës. Duke qenë i mitur dënohet vetëm me një muaj burg. Ka vazhduar mësimet në Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë, në gjuhën serbe.

Ka punuar gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”. Në vitin 1950 kishte regjistruar Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, në Beograd. Ka diplomuar në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”. Pasi kishte kryer studimet kishte filluar  punën në gazetën e përditshme “Rilindja”, ku për 12 vjet ishte redaktor, reporter i lirë dhe analist i njohur i kohës në Kosovë. Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Për katër vjet me radhë ishte drejtor i Teatrit Popullor Krahinor. Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte lëndën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”. Në vitin 1975 mbrojti temën e magjistraturës: “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi ishte bërë emër i njohur i krijimtarisë letrare, sidomos në Kosovë. Ai botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut” dhe me mijëra shkrime publicistike natyrash të ndryshme. Ishte njëri ndër përkthyesit më të njohur të shtëpisë botuese “Rilindja”.

Gjatë viteve ’70 - ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si: Dostojevski, Gogoli Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krlezha, Danillo Kish etj. Ai ishte një nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hyjnë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit për të kërkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’iu bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës. Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët e nënshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Image

Kur doli në pension Kelmendi nuk pushoi kurrë së punuari. Më 1996-n Kelmendi vendos të hapë fakultetin e parë privat të Gazetarisë në hapësirat shqiptare “Faik Konica”, i cili funksionoi deri më 2007-n. Me hapjen e këtij fakulteti Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.