Seminari i Antropologjisë, qendra e mendimit antropologjik e arkeologjik në Kosovë

Seminari i Antropologjisë, qendra e mendimit antropologjik e arkeologjik në Kosovë

Kultura janar 11, 2019 - 10:18
Image

Universiteti i Prishtinës këtë vit u bë me Seminarin e Antropologjisë dhe kjo si rezultat i nismës së Departamentit të Antropologjisë të Fakultetit Filozofik dhe vullnetit të profesorëve të këtij Departamenti. Ky seminar ka mbledhur rreth vetes profesorë të antropologjisë e të arkeologjisë, shumica e të cilëve kanë doktoruar në universitetet perëndimore. Studimet mbi kulturën, traditat, trashëgiminë kulturore, por edhe sjelljet e praktikat e përditshme të modernitetit aktual kanë filluar të shihen edhe nga pikëpamja antropologjike në këtë seminar, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky rezultat vjen nga antropologët që japin mësim në këtë Departament, të cilët kanë hulumtuar fusha të ndryshme të jetës në Kosovë, duke u nisur nga ideja e familjes, e ushqimit, e fotografisë, e rinisë e deri te shteti. Arkeologët kanë prekur temat si parahistoria, shteti dardan, romanizimi i Dardanisë, trashëgimia kulturore, ritet mortore në epokën e hekurit dhe tema të tjera, të cilat janë mirëpritur edhe nga studentët, edhe nga të gjithë ata që kanë ndjekur seminarin.  

Në vjeshtën e vitit 2018 ky Departament ka themeluar edhe një organ shtesë për mundësi të reja në diskutimet shkencore antropologjike.  Seminari i Antropologjisë konsiderohet si një organizim periodik i seminareve, i aktiviteteve e i ligjëratave mujore për të ofruar antropologjinë pranë komunitetit akademik dhe publikut. E veçanta e tij është se fton ligjërues nga gjithë bota për të diskutuar për antropologjinë në Universitetin e Prishtinës, nismë kjo vullnetare e profesorëve të Departamentit të Antropologjisë.

Profesori i antropologjisë kulturore në Departamentin e Antropologjisë, Arsim Canolli, ka shpjeguar për gazetën “Zëri” ecurinë e punës dhe tregon se është vendosur të bëhet diçka në këtë drejtim, ndonëse pa buxhet, duke bërë të ditur se seminaret janë të hapura për këdo që është i interesuar. “Në shtator të vitit të kaluar si Departament i Antropologjisë kemi vendosur ta nisim Seminarin e Antropologjisë. Në fakt, me kolegun Arben Hajdari kemi menduar se antropologjisë kulturore e arkeologjisë, si dy degë të reja të antropologjisë te ne, i mungon një njohje e një dialog, së pari me veten e pastaj me të tjerët”, është shprehur Canolli.

Sipas tij, dialogu antropologjik në Kosovë ka nisur të rritet në vitet e fundit, duke u shprehur se studentët  kanë nevojë të dëgjojnë për studime të reja të kësaj fushe dhe shihet si e nevojshme të bashkëbisedojnë edhe me studiues e profesorë nga vendet tjera.

Profesori Canolli ka njoftuar se Seminari i Antropologjisë mbahet në çdo të enjten e fundit të muajit akademik, pra 9 muaj në vit, ku ftohen studiues, profesionistë nga vendi, rajoni dhe përtej të mbajnë ligjërata, seminare e promovime në këtë Departament.  “Këtë vit kemi 9 ligjërata mysafire me studiues që bëjnë hulumtimet e tyre në Francë, Kroaci, Shqipëri, Austri etj, të fushave të ndryshme të antropologjisë kulturore dhe të arkeologjisë”, njofton profesori Canolli, njëri prej organizatorëve të kësaj nisme.

“Siç theksova, Seminari është nismë vullnetare e Departamentit të Antropologjisë, megjithatë me mundësitë vetanake që kemi duam ta vazhdojmë çdo vit, duke shprehur që në të ardhmen të bashkëpunojmë edhe me institucionet tjera dhe të afrojmë sa më shumë studiues rreth Departamentit që po bëhet qendra e mendimit antropologjik e arkeologjik në Kosovë”, shprehet profesor Canolli, i cili bën të ditur edhe synimin e seminarit. Ai thotë se përmes Seminarit synohet të kultivohet konverzacioni antropologjik mbi kulturën, traditën, shoqërinë, shtetin, ndryshimet shoqërore. Ai cilëson se ka nevojë për studime që janë të hapura për dialog, por edhe të ngulitura në hulumtime të mira. E që Kosova po kalon nëpër rite kalimi sa të shpejta, aq edhe zvarritëse, sa politike aq ekonomike e kulturore, ky fakt është më se i vërejtur, por sipas tij si kuptohet krejt kjo nga shqiptarët, por edhe nga të tjerët si nga aspekti kulturor, ashtu edhe nga ai civil është e rëndësishme për antropologjinë. “Në të ardhmen do të ftojmë edhe studiues e profesionistë të fushave praktike nga muzeologjia, restaurimi e konservimi, etnomuzikologjia, koreografia, shkencat ndihmese të arkeologjisë, paleoantropologjia etj”, tha ai.

Arben Hajdari, profesor i arkeologjisë dhe udhëheqës i Departamentit të Antropologjisë, për gazetën “Zëri” ka theksuar se në të kaluarën në Kosovë antropologjia kulturore dhe arkeologjia janë trajtuar si disiplina pothuajse krejt të ndara njëra më tjetrën. Por sipas tij, antropologët dhe arkeologët kanë hulumtuar, kanë diskutuar dhe kanë interpretuar shoqërinë e kulturën ndaras nga njëra-tjetra. “Departamenti i Antropologjisë më 2014-n me akreditimin e programit të antropologjisë dhe të arkeologjisë ka bashkuar këto dy disiplina në një ombrellë duke përafruar diskutimin dhe mendimin antropologjik dhe arkeologjik. Kësisoj studentët tanë, që në studimet bazike edukohen në frymën e diskutimit të përbashkët antropologjik duke ofruar një qasje të re në interpretimin antropologjik të kulturës, traditës, dokeve dhe zakoneve të shoqërive, qasje kjo e cila i ka munguar mendimit antropologjik shqiptar në të kaluarën”, thekson Hajdari.

Ai cilëson se në këtë frymë është konceptuar dhe Seminari i Antropologjisë, në kuadër të të cilit ofrohen ligjërata dhe diskutime që përafrojnë mendimin antropologjik dhe arkeologjik. “Në Kosovë është krijuar një traditë jo dhe aq e mirë e komunikimit dhe e ndarjes së të arriturave shkencore dhe profesionale me komunitetin akademik në fushën e studimeve antropologjike, sidomos në atë të arkeologjisë”, thekson Hajdari.

Profesori i arkeologjisë cilëson se ka nevojë që të diskutohet bashkërisht për të arriturat në fushën e studimeve antropologjike shqiptare dhe se Seminari i Antropologjisë është një mundësi e mirë që bashkë me studentë, me profesorë dhe me studiues të fushave përkatëse të diskutojmë rreth tyre.

Siç dhe mësohet nga profesor Canolli, Antropologjia nuk është shkencë që njihet sa duhet në Kosovë, megjithatë Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” çdo vit pranon rreth 50 studentë në dy drejtime të antropologjisë: Antropologji Kulturore dhe Arkeologji. Zëri