'Nëntori i ftohtë' shfaqet në Suedi

'Nëntori i ftohtë' shfaqet në Suedi

Kultura janar 10, 2019 - 10:21

Filmi “Nëntori i ftohtë”, i regjisorit Ismet Sijarina, do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Suedi, në të ashtuquajturin “Goteburg Film Festival”. Filmi kosovar i Sijarinës do të jetë pjesë e festivalit vjetor dhe e ngjarjes më e madhe të filmit në Skandinavi, i cili historinë e vet e fillon  në vitin 1979 duke shfaqur 17 filma në 3 ekrane dhe kishte 3.000 vizitorë. Sot festivali i filmit zhvillohet mbi 10 ditë çdo vit në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. Në vitet e mëvonshme, rreth 450 filma nga 60 vende janë shfaqur për 115.000 vizitorë. Festivali i filmit është gjithashtu një treg i rëndësishëm për kontraktuesit në industrinë e filmit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Filmi “Nëntori i ftohtë” flet për Fadilin (36), një arkivist në një ndërmarrje shtetërore në Kosovë në vitet e ’90-ta, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm.

Në kastën e vet ky film ka mbledhur njëfarë ajke të aktorëve kosovarë. Adriana Matoshi, Kushtrim Hoxha, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Mucaj, Lum Veseli e Kushtrim Sheremeti paraqiten te “Nëntori i ftoftë” me rolet e tyre. Në anën tjetër regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban. “Nëntori i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” e “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës e Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Zëri