Vazhdimësia e çmimit 'Letërsia Shqipe' do t’i motivonte shkrimtarët

Vazhdimësia e çmimit 'Letërsia Shqipe' do t’i motivonte shkrimtarët

Kultura janar 10, 2019 - 10:09
Image

Ministria e Kulturës ka themeluar çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe” në mars të vitit 2017, shkruan sot gazeta "Zëri". Ky çmim i veçantë u themelua nga ish-ministri Kujtim Shala për t’i vlerësuar personalitetet, të cilët me veprën e tyre letrare kanë ushtruar ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë. Në prillin e 2017-s ky çmim i është ndarë shkrimtarit Ismail Kadare nga ish-ministri Kujtim Shala në konsultim me Këshillin e Librit, por që atëherë ky çmim nuk është ndarë më. Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me kryetaren e Këshillit të  Librit, Sabile Basha, e cila ka bërë të ditur se ky Këshill ende nuk është mbledhur sivjet dhe se ende nuk dihet nëse do të shpërblehet dikush me çmimin “Letërsia shqipe” gjatë vitit 2019. “Për këtë vit Këshilli i Librit ende nuk është takuar, mirëpo besoj që së shpejti do të takohemi edhe do t’ju informojmë”, ka deklaruar shkurt Basha.

Në anën tjetër Osman Gashi, profesor në Departamentin e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se kjo praktikë e ndarjes së këtij çmimi, ashtu siç ka filluar me shkrimtarin e madh Kadarenë, do të duhej të vazhdonte edhe tutje. “Unë mendoj që në qoftë se ka filluar një shprehi për t’i dhënë shpërblimet në një vit të caktuar është dashur që çdo vit të vazhdojë. Ndoshta Ministria e di më mirë këtë çështje. Ndoshta e kanë për shkak të financave, ndoshta e konsiderojnë që nuk ka nevojë rregullisht ta ndajnë këtë çmim”, ka thënë profesor Gashi.

Gashi tutje konsideroi se çdo vlerësim pozitiv për punën e shkrimtarëve dhe për punën e çdo krijuesi është e nevojshme për shtytjen dhe për nxitjen e punës edhe më të madhe dhe më të vlefshme. “Mendoj se shoqëria nuk është se i favorizon dhe i vlerëson shkrimtarët sa duhet. Institucionet tona të kulturës do të duhej të bëjnë shumë më shumë në këtë aspekt sepse jemi në një gjendje kur kultura përgjithësisht ka mbetur në margjinë dhe është e braktisur në përgjithësi”, është shprehur Gashi.

Sipas profesorit të letërsisë, që ishte edhe vetë anëtar i Këshillit të Librit i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit, vazhdimisht ka prurje dhe krijime që meritojnë një çmim dhe shpërblim të tillë, prandaj praktika për ndarjen e këtij çmimi mund të vazhdojë çdo vit. “Mendoj se Ministria në qoftë se e ka vlerësuar që nuk duhet ta japë çdo vit këtë çmim ka bërë gabim, sepse ka krijues, krijime dhe vepra të cilat e meritojnë të jepen edhe më shpesh në letërsinë shqipe”, vlerëson Gashi.

Se artit dhe letërsisë në Kosovë nuk i është dhënë rëndësi e veçantë vlerëson dhe Arianit Behrami, njohës i fushës së letërsisë. Megjithatë, sipas tij, ka filluar një nismë e mirë drejt afirmimit të shkrimtarëve, prej momentit kur me plot të drejtë ky çmim i është dhënë shkrimtarit më përfaqësues të letërsisë shqipe - Ismail Kadaresë. “Ky çmim duhet të ketë vazhdimësi, të ndahet çdo vit dhe të shndërrohet në çmim tradicional me qëllim që të nxisë krijimtarinë letrare, artistike, përmes së cilës do të bëhej edhe një ngritje e vetëdijes shoqërore”, u shpreh Behrami.

Ai vlerëson se dhënia e këtij çmimi shumë të rëndësishëm në fushën e letërsisë do të ndikojë në afirmimin e letërsisë shqipe në përgjithësi dhe të shkrimtarëve shqiptarë në veçanti, duke bërë kështu që të zhvillohet një lloj gare me qëllim të shpërfaqjes së individualiteteve krijuese, personaliteteve e botëkuptimeve të ndryshme për shoqërinë, për botën dhe për artin në përgjithësi. “Kjo do të mundësonte që letërsia shqipe të mos njihet vetëm brenda kufijve shqiptarë, por të ketë edhe një shtrirje më të gjerë dhe të ketë një njohje në përmasa ndërkombëtare përmes këtyre autorëve dhe përmes krijimtarisë së tyre letrare”, ka thënë ai. Behrami konsideron se një nga shkrimtarët që meriton këtë çmim është për shembull Rexhep Qosja.

Rikujtojmë se çmimi “Letërsia Shqipe” ka vlerë monetare 10 mijë euro dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë ose të ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe. MRKS-ja ka vlerësuar se ky çmim kontribuon në ngritjen dhe në vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare. Zëri