REDO-ja, e para për barazi gjinor

REDO-ja, e para për barazi gjinor

Kultura janar 09, 2019 - 10:32

Në një hulumtim të bërë nga “AIGA Eye on Design”, REDO, ngjarja vjetore e dizajnit grafik që mbahet në Prishtinë, renditet në vendet e para duke treguar barazi të plotë gjinore për përfaqësimin e femrave dhe të meshkujve folës në konferencat më të rëndësishme të dizajnit, shkruan sot  gazeta "Zëri".

Siç edhe mësohet, REDO-ja edhe këtë vit ka hyrë në listën e konferencave që paraqet në mënyrë të barabartë folësit meshkuj dhe femra. REDO-ja është edhe në listën e ngjarjeve kryesore të dizajnit, ku pos konferencave ndërkombëtare të dizajnit grafik organizon dhe ligjërata mbi dizajnin grafik, shfaqje filmash, librari, radiotransmetim, bar dhe udhërrëfim në qytet.

Hulumtimi i bërë nga “AIGA Eye on Design” ka vënë në pikëpamje dallimet drastike që konferencat më të rëndësishme mbi dizajnin bëjnë një proporcion me numrin e folësve të gjinisë mashkullore dhe femërore. Për tri ditë sa është mbajtur konferenca, REDO-ja ka sjellë mbi 300 studentë, profesorë nga universitetet me influencë në disiplinat e dizajnit grafik dhe arteve vizuele nga e gjithë bota. Ky fakt ka rezultuar se kontribuon në ekonominë dhe në turizmin e qytetit të Prishtinës.

“AIGA Eye on Design” publikohet nga AIGA (Instituti Amerikan i Arteve Grafike), organizatë më prestigjioze në botë mbi dizajnin grafik, me bazë në Amerikë. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet REDO-ja ofron mundësi që disenjatorët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

Rezultatet e këtij hulumtimi kanë nxitur debate të ashpra rreth diskriminimit gjinor që bëhen në konferencat më të rëndësishme të dizajnit. Brno Biennale në Republikën e Çekisë, që njihej dikur si ngjarja më e rëndësishme e dizajnit, kishte vetëm 2 femra nga 12 folës. Ky fakt ka shtyrë shumë pjesëmarrës të bojkotojnë këtë ngjarje. Zëri