Mesi i janarit e gjen MKRS-në në Prizren

Mesi i janarit e gjen MKRS-në në Prizren

Kultura janar 09, 2019 - 10:23
Image

Qeveria e Republikës së Kosovës pati miratuar kërkesën e ministrit Kujtim Gashi për bartjen e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit në Prizren më 3 tetor të vitit 2017. Sipas këtij vendimi një pjesë e stafit politik, administrativ dhe profesional të kësaj Ministrie do të udhëtojë në qytetin historik. Megjithatë, edhe 15 muaj pas, kjo Ministri akoma nuk ka filluar procesin e zhvendosjes edhe pse është paraparë të ndodhë para disa muajve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Samir Hoxha, këshilltar në MKRS, për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se bartja e një pjese të stafit të MKRS-së do të bëhet në mesin e këtij muaji, saktësisht mes 15 dhe 20 janarit. Sipas Hoxhës, gjithçka është gati për këtë zhvendosje qoftë në aspektin e infrastrukturës së ndërtesës për të cilën është planifikuar që të vendoset kjo ministri ose edhe një pjesë e stafit. “Ne, besoj, që në mes të muajit janar ose më së largu deri më 20 janar do të organizojmë një ceremoni të hapjes së zyrave të reja në qytetin e Prizrenit. Sigurisht që vonesa për këtë proces ka ardhur si rezultat i neglizhencës nga Komuna e Prizrenit, ku kjo Komunë na është vonuar në ndarjen e lokacionit. Ne kemi pasur disa kërkesa radhazi që i kemi adresuar në Komunë, ata janë vonuar në marrjen e vendimit për ta ndarë lokacionin”, shprehet këshilltari Hoxha.

Sipas tij, ata kanë qenë gati për bartje edhe në nëntor por shkaku i festave dhe i angazhimeve, si mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës e asaj të Shqipërisë ose organizimet për “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut” kanë bërë që kjo bartje të shtyhet për në janar. Hoxha ka kujtuar se në Prizren së pari do të bartet kabineti i ministrit, për të vazhduar gradualisht me departamentet tjera. “Zhvendosja e MRKS-së në përputhje me vendimin e marrë nga Qeveria do të bëhet në proces gradual, në fazën e parë do të kalojë një pjesë e kabinetit të ministrit, pastaj disa prej departamenteve gradualisht përmes disa zyrtarëve dhe udhëheqësve do të kalojë Departamenti i Kulturës, Inspektorati i Trashëgimisë”, shprehet ai duke thënë se këto do të jenë lëvizjet e para, kurse në vitet në vazhdim do të bëhet zhvendosja totale, sepse është e pamundur menjëherë gjithë Ministrinë me një staf kaq të madh.

Në anën tjetër Artan Abrashi, kryesues në Kuvendin Komunal të Prizrenit, duke folur për gazetën “Zëri” për zhvillimin e këtij procesi ka deklaruar se Kuvendi Komunal i Prizrenit ka kryer procedurën në afat rekord që nga marrja e vendimit deri te bartja në shfrytëzim të pronës. Ai ka kujtuar se më datën 15 mars 2018 Kuvendi Komunal ka shqyrtuar dhe ka miratuar me shumicë votash kërkesën për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për raste të veçanta sipas Ligjit për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.

Përmes këtij vendimi të Kuvendit u miratua propozimi i kryetarit të Komunës së Prizrenit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim në sipërfaqe prej 977 m², i cili është i lokalizuar në ngastrën kadastrale Nr. 4559-0 ZK Prizren nga sipërfaqja e përgjithshme prej 4895 m² (Internati). Po ashtu në shfrytëzim i jepet edhe objekti me sipërfaqe prej 146 m² pronë e Komunës së Prizrenit i lokalizuar në ngastrat kadastrale Nr.3198/1 dhe Nr.3198/a2, ZK-Prizren, (objekti i ish-Rektoratit të Universitetit të Prizrenit).

“Nga fundi i muajit mars objektet kanë qenë në dispozicion të Ministrisë së Kulturës, por ende nuk jemi në dijeni pse nuk ka përfunduar çështja e bartjes. Sidoqoftë, ky është problem i vetë Ministrisë. Na është thënë se bartja do të kryhet brenda dy javësh, ndonëse kanë kaluar afër 10 muaj ne ende nuk kemi parë diçka konkrete në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Në pyetjen se për sa vite saktësisht do të mundë MKRS-ja t’i shfrytëzojë këto objekte, Abrashi thotë se koha e dhënies në shfrytëzim të ngastrave katastrale është për 15 vjet, me mundësi vazhdimi.

Në kohën kur ministri Gashi e inicioi këtë zhvendosje ai pati deklaruar për “Zërin” se bartja e stafit në Prizren nuk do të jetë problem. “Nuk besoj që do të kemi problem te çështja e administratës, sepse këto dy departamente që planifikohen të barten nuk kanë numër të madh të punëtorëve dhe besoj se do të bëjmë një zgjidhje për mënyrën se si do të udhëtojnë në Prizren, kurse pjesa tjetër do të qëndrojë në objektin aktual në Prishtinë”, tha ministri duke shtuar se MKRS-ja ka qendra rajonale të trashëgimisë kulturore nëpër komuna të tjera dhe do t’i marrin si shembull për mënyrën se si do të organizohen punëtorët. Zëri