'Bohemian Rhapsody' triumfon në 'Golden Glob Awards'

'Bohemian Rhapsody' triumfon në 'Golden Glob Awards'

Kultura janar 08, 2019 - 10:13

Çmimet vjetore të “Golden Globe Awards” njihen në mbarë botën për ceremoninë e shkëlqyer, që organizohet dhe si ngjarje e cila mbahet çdo janar në fillim të vitit. Të dielën që kemi lënë pas në Los Anegeles janë ndarë çmimet vjetore, ku edhe është zhvilluar edicioni i 76-të i ceremonisë së përvitshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç raporton BBC-ja, filmi “Bohemian Rhapsody” ishte fituesi i papritur i dy çmimeve të mëdha. Biografia e Freddie Mercury mori në shtëpi trofeun për “Filmin më të Mirë” dhe “Aktorin më të Mirë të Dramës” për yllin Rami Malek, që luajti rolin kryesor, atë të muzikantit Mercury.

Në anën tjetër, filmi “A Star Is Born” ka fituar vetëm një çmim – për “Këngën më të Mirë Origjinale” për hitin “Shallow”. “Green Book” ishte fituesi tjetër i madh i natës, duke mbledhur tri çmime. Filmi ka rrëmbyer “Çmimin për Komedinë ose Muzikëlin më të Mirë”, “Çmimin për Skenarin më të Mirë” dhe “Çmimin e Aktorit Mbështetës”, i cili shkoi për Mahershala Aliun. “Green Book”, historia e vërtetë frymëzuese e një miqësie në mes të një pianisti afrikano-amerikan dhe një të bardhi, ngjarje që zhvillohet në fillim të viteve 1960, fitoi tri “Golden Globe”, duke përfshirë “Fotografinë më të Mirë” në kategorinë muzikore / komedi. Ai mundi “Vice”, filmin polarizues të Dick Cheney, i cili udhëhoqi garën me gjashtë nominime.

Regjisori i filmit “Green Book”, Peter Farrelly, bëri një lutje për tolerancë në fjalimin e tij për të pranishmit. “Ne ende jetojmë në kohë të ndara, ndoshta më shumë tani se kurrë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka dhe jo vetëm të flasim dhe të mos i gjykojmë njerëzit nga dallimet e tyre dhe të shikojmë për atë që kemi të përbashkët”, tha ai.

Në anën tjetër, Olivia Colman fitoi “Çmimin për Aktoren më të Mirë” në zhanrin komedi ose muzikël për portretizimin e mbretëreshës Anna në filmin “The Favourite”. Christian Bale u shpërblye edhe për rolin e tij si ish-zëvendëspresidentit Dick Cheney në “Vice”.

Njëra nga surprizat e tjera të natës ishte edhe triumfimi i Glenn Close,  e cila fitoi “Çmimin për Aktoren më të Mirë të Dramës” për rolin e saj në “The Wife”. Ajo la prapa vetes Lady Gagan, e cila pritej gjerësisht të fitonte për rolin e saj në “A Star Is Born”.

Në fjalën e saj të rastit Close foli për rëndësinë e grave në shoqëri dhe i këshilloi të gjitha gratë t’i ndjekin ëndrrat e tyre. “Gra, ne jemi edukatore, kjo është ajo që pritet nga ne. Ne kemi burrin dhe fëmijët tanë, por ne duhet të gjejmë edhe përmbushjen personale dhe të ndjekim ëndrrat tona dhe ne duhet të themi: ‘Unë mund ta bëj këtë’ dhe ‘Unë duhet t’ia lejoj vetes këtë’”, ka thënë Close.

 

Në anët tjetër, filmi “A Star Is Born” gjithashtu ka humbur në kategorinë prestigjioze të “Filmit më të Mirë Dramë”, kurse fitorja e “Bohemian Rhapsody” është konsideruar si një goditje. Triumfimi i Rami Maleki i rrit atij shanset të fitojë edhe një statujë “Oscar” për rolin e tij.

Mediet botërore shkruajnë se fituesit e sivjetmë të “Golden Globe” janë ndër favoritët për “Oscars”, ngjarjen kryesore të kinematografisë në botë, që mbahet në fundin e janarit.

Falë çmimeve “Golden Globes” të fituara “Rhapsody Bohem” dhe “Green Book” kanë treguar se ata kanë gjasa të dominojnë edhe në “Oscars” edhe pse 24 orë më parë ishte menduar se gara kryesore do të jetë mes filmave “A Star Is Born” dhe “Roma”.

Javët e ardhshme janë vendimtare me fillimin e votimit për çmimet e Akademisë “Oscars”. Fitorja në “Golden Globe” do të jetë një mjet i vlefshëm në fushatën për “Oscars”.

Çmimet vjetore që njihen me emrin “Golden Glob Awards”, të Shoqatës së Shtypit të Hollivudit, kanë mundësuar që organizata jofitimprurëse të dhurojnë më shumë se 29 milionë dollarë në tridhjetë vjetët e fundit në bamirësi e që lidhen me argëtimin, si dhe me financimin e bursave dhe programeve të tjera për profesionistët e ardhshëm të filmit dhe televizionit. Në vitin 2017 donacionet arritën një total prej mbi 2.8 milionë dollarësh në grante të destinuara për institucione dhe bamirësi. (Dionesa Ebibi)