SHTKK-ja shënon 9-vjetorin me 9 konferenca shkencore dhe 8 libra

SHTKK-ja shënon 9-vjetorin me 9 konferenca shkencore dhe 8 libra

Kultura janar 07, 2019 - 11:55
Image

E themeluar që nga viti 2010, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë ka ruajtur edhe nëntë vjet pas qëllimin themelor të saj e që është hulumtimi, gjurmimi, evidentimi, regjistrimi, ruajtja dhe mbrojta e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.

Sipas Xhemaledin Salihut, kryetarit të Shoqatës, misioni i saj është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë dhe kultivimi i kulturës shqiptare dhe mbrojtja e ruajtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nëntë vjet prej themelimit kjo shoqatë ka zhvilluar veprimtari dhe aktivitete të shumta. Prej tyre në dritë ka nxjerrë 9 konferenca shkencore dhe 8 botime të librave shkencorë.

Kryetari Salihu flet për gazetën “Zëri” rreth këtyre aktiviteteve, duke theksuar se që nga aktivitetet e para e deri tek ato të fundit është i kënaqur sa u përket rezultateve që ka nxjerrë nga puna që ka zhvilluar kjo shoqatë dhe se gjithmonë ka diçka të re për të bërë.

Ai kujton që në pjesën e dytë të dhjetorit të vitit 2010 Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, ka mbajtur tribunën shkencore me temën bosht: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë”, ku kishin marrë pjesë shumë studiues të trojeve shqiptare.

Organizimi i ekspozitës së fotografive të vjetra nga Lugina e Preshevës - 100 fotografi,   është aktiviteti tjetër i radhës që është realizuar në marsin e 2011-s, në Ditën e Mësuesit.

Duke vazhduar me “Akademinë përkujtimore me rastin e 95-vjetorit të lindjes së profesor Ibrahim Kelmendit, atdhetar dhe anëtar i devotshëm i Ballit Kombëtar, që u organizua më 16 prill 2011”.

SHTKK-ja ka zhvilluar edhe aktivitete jashtë qytetit të Preshevës, nën organizim të Komisionit Zonal të Luginës së Preshevës dhe Shoqatës për Trashëgimi, 6 studiues nga Lugina e Preshevës kishin marrë pjesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare në Tiranë me temën: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të planprogrameve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”. E sipas Salihut, takimet dhe pjesëmarrjet e tilla nëpër organizime shqiptare veçse e kanë profesionalizuar edhe punën e aktivistëve të kësaj shoqate. Duke filluar të shpjegojë aktivitetet me radhë, Salihu ka treguar se më 22 tetor 2011 SHTKK-ja në Preshevë ka organizuar manifestimin kulturor, promovimin e librit të autorit preshevar Sami Qerimi: “Koha e ngritjes, e

krenarisë dhe e dhimbjes”, kurse në tetor të vitit 2012 është organizuar akademi përkujtimore kushtuar 40-vjetorit të lindjes së dëshmorit të kombit Bardhyl Osmanit, komandant Delta së bashku me OVL-në në Preshevë. “Kemi përzgjedhur aktivitetet veç e veç duke u konsultuar dhe duke zgjedhur aktivitetet më të rëndësishme që mund të zhvillohen në kuadër të shoqatës sonë dhe kemi arritur që trajtimet që ua kemi bërë ngjarjeve të rezultojnë si të veçanta”, shprehet Salihu.

Kryetari i SHTKK-së tregon se si është arritur të realizohen dhe dy projekte të regjistrimit të trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore në komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, ku projekti i parë ka qenë: “Trashëgimia e jonë - puna jonë, pasuria jonë”, e cila është realizuar gjatë vitit 2012/’13 në Preshevë dhe projekti i dytë: “Trashëgimia e Bujanocit është edhe jona”, gjatë vitit 2013/’14. Salihu konsideron që projektet e tilla kërkojnë punë dhe realizimi i projekteve ka zgjatur nga 6 muaj.

Që nga viti 2013 Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka hapur dhe uebfaqen e saj, ku mund të postohen punimet, por edhe të lexohen njoftime për aktivitetet e Shoqatës dhe veprimtarinë e saj.

Ndër vite kjo shoqatë ka pritur në ambientet e saja personalitete, delegacione e kryetarë komunash lidhur me aktivitetet dhe veprimtaritë që ka zhvilluar. “Në mesin e shumë promovimeve të librave shkencorë të autorëve preshevarë e më gjerë, akademi solemne e përkujtimore, takime të ndryshme gjatë këtyre viteve, shoqata me këto aktivitete arsyetoi themelimin dhe ekzistimin e saj”, pohoi ai.

Salihu tregon se kjo shoqatë ka arritur edhe bashkëpunime me shoqata të tjera, por bashkëpunimin më të ngushtë e pati më shoqatën “Bytyçi” Tiranë dhe SHSH “Feniks” Preshevë.

Prej 8 librave shkencorë që ka botuar kjo shoqatë në maj të vitit 2015, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan u promovua libri: “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja - dje, sot dhe nesër” në botim të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës.

Viti 2015 ka qenë i bujshëm sa u përket aktiviteteve sipas Xhemaledin Salihut. Në këtë vit është arritur të botohet dhe libri “Rainca, vendbanim i vjetër dardan shqiptar në rajonin e Preshevës”, pastaj është promovuar libri “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të LDB-së”, duke vazhduar me botimin e librit “Lugina e Preshevës në Lëvizjen Shqiptare gjatë historisë” dhe organizimi i një ekspozite me 120 fotografi nga trashëgimia kulturore dhe natyrore e Luginës së Preshevës.

Pos 9 konferencave shkencore që trajtuan tema të ndryshme, si vallja, dasmat, Lugina në lëvizjen kombëtare gjatë historisë, unifikimi i planprogrameve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera etnike në ish-Jugosllavi, çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe së fundi me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajeti, organizoi konferencë për jetën dhe veprimtarinë e albanologut. Xhemaledin Salihu, i cili për 9 vjet rresht është zgjedhur kryetar i kësaj shoqate, ka thënë se konferencat, botimet e librave, zhvillimet e debateve dhe pjesëmarrjet aktive nëpër organizime e manifestime mbarëkombëtare e bëjnë këtë shoqatë të veçantë dhe në mbrojtje të asaj që thirret. Por, sipas tij, kultura dhe shoqatat kulturore fort pak përkrahen nga qeverisjet lokale, sidomos nga ajo në Preshevë. Zëri