Libri i javës - 'Përsosmëria e qitjes', nga Mathias Enard

Libri i javës - 'Përsosmëria e qitjes', nga Mathias Enard

Kultura janar 07, 2019 - 11:53

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Përsosmëria e qitjes”, nga shkrimtari francez Mathias Enard.

“Përsosmëria e qitjes” është një roman narrativ, i shkruar në vetën e parë. Gjatë shfletimit ky roman arrin ta fusë lexuesin në botën e trishtueshme të luftës civile dhe depërton në mendimet shqetësuese dhe të turbullta të një snajperisti të ri, gjatë një lufte civile në një vend emri i të cilit nuk përmendet, por që mund të jetë Libani.

Pështjellimet që ndodhin në kokën e djaloshit të ri snajperist shpalosen para lexuesit nga Enard dhe si nëpër mjegull shtrohen edhe të gjitha dilemat. Në një moment personazhi misterioz është aq i thelluar në botën e vrasjeve, saqë shtron një pyetje si kjo: “Nuk e dija nëse isha unë ai që qëlloja ose ai në të cilin të tjerët qëllonin”.

Te ky roman Mathias Enard e përshkruan me një dhembshuri të habitshme shpirtin e heroit të tij të trazuar e plot komplekse. Realizimi dhe poezia paradoksale e gjuhës së tij pasqyrojnë mizoritë e një bote të dorëzuar tek e keqja, pa asnjë lumturi tjetër veç mjeshtërinë e artit për të vendosur pashmangshmërisht ligjin e forcës.

Një ditë, pasi kreu një qitje edhe një vrasje, snajperisti dhe rrëfyesi i kësaj ngjarjeje kthehet në shtëpi pranë nënës së vet gjysmë të çmendur. Aty takohet me zonjushën 15-vjeçare që quhet Mirna, të punësuar për t’u kujdesur për këtë nënë të sëmurë. Mirna, me një feminitet në lindje e sipër, bëhet për personazhin kryesor një objekt magjepsjeje, një ëndërr dashurie, një tjetër udhë drejt “përsosmërisë”.

I përkthyer në shqip nga Urim Nerguti dhe i botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, romanin “Përsosmëria e qitjes” mund ta gjeni për 5 euro.

I lindur në vitin 1972, Mathias Enard është romancier i njohur tashmë botërisht, specialist i gjuhëve dhe kulturave orientale. Disa nga romanet e tij më të njohura, të ardhur edhe në gjuhën shqipe nga “Buzuku”, janë: “Zonë”, “Tregoju për betejat”, “Mbretërit dhe elefantët”, “Rruga e vjedhësve” dhe “Busullë”.