20 vjet me Radio Kosovën e Lirë

Kultura January 05, 2019 - 10:08
Lexo tjera detaje
Image

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë në prezencën e familjarëve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës, ish-gazetarëve e operatorëve, bashkëpunëtorëve të Radios e dëgjueseve u përkujtua përvjetori jubilar i Radio Kosovës së Lirë, shkruan Gazeta "Zëri".

 Në 20-vjetorin e fillimit të transmetimit të programit u prezantua programi kulturoro-artistik, ku pjesë e tij ishin përurimi i librit dokumentar “20 vjet zëri i lirisë” dhe pastaj u përurua kënga për Radion Kosovën e Lirë e orkestruar nga Edmond Zhulali, e kënduar nga këngëtarja Mrika Trumshi, si dhe u shfaq filmi “Zëri i fitores”.

Programi u fillua me çaste heshtjeje përkujtuese në nderim të jetës së Adem Demaçit dhe dëshmorëve të kombit.

Ahmet Qeriqi, drejtori i Radio Kosovës së Lirë, rikujtoi momentet që është ndeshur kjo radio dhe gazetarët e saj përgjatë këtyre 20 vjetëve. “Radio Kosova e Lirë ishte zëri që lëshoi jehonë lirie dhe filloi të përhapej nga 4 janari i vitit 1999 deri sot kurrë pa u ndalur. Kurrë nuk kam menduar se do të mbahemi aq gjatë, kam menduar se dita e parë do të transmetohej, por nuk ka qenë e sigurt asnjë ditë tjetër”, ka kujtuar Qeriqi.

Qeriqi thekson se Radio Kosova e Lirë nuk e mori mbështetjen e kërkuar në fillet e saja, e sipas tij kjo mospërkrahje erdhi si pasojë që kjo radio nuk iu nënshtrua dhe nuk pranoi të bëhet vegël e askujt. “Në këtë luftë na kanë përbuzur edhe disa që kemi pritur të na ndihmojnë si zërin e vetëm të UÇK-së, disa na kanë injoruar për faktin se nuk kemi pranuar të bëhemi vegla e as pjesë e zjarrit të mëkateve të tyre. Ju falënderoj gjithë juve që keni ardhur me shpresë se ky zë do të jehojë dhe do të vazhdojë edhe më tutje”, shprehet drejtori i Radios.

Ky medium sipas Qeriqit ka luftuar për të drejtën, të vërtetën e luftës sonë përballë forcave serbe në kushtet dhe rrethanat më të vështira të historisë tonë. E që ky zë, sipas tij, ishte zëri që lëshoi jehonë lirie dhe kurrë pa u ndalur, pa u thyer ka shpërndarë jehonën e porosive dhe veprimeve. “Kurrë nuk e kam menduar se do të jemi kaq rezistentë, në kohë të luftës kurrë nuk ka qenë e sigurt dita tjetër. Gjithnjë kemi qenë në përpjekje për ditë më të mira, duke u ballafaquar me çdo luftë që na ka dalë përpara dhe punohet me shpresën që ky zë të vazhdojë jehonën më tutje”, ka thënë ai. “20 vjet zëri i lirisë” është libri që u promovua dhe iu shpërnda të gjithë të pranishmëve. Për librin ka folur luftëtarja e lirisë dhe bashkëpunëtorja e Radios Elmie Plakiqi, e cila theksoi se libri  paraqet një kronologji të tërë të ngjarjeve që nga koha e luftës. “Stafi i Radios ka shkruar caqe të heroizmit e sidomos në luftë, sepse me qëndrimin e saj militantët shquan terrin informativ në Kosovë dhe pati guximin për çdo ditë në orën 16:00 të hapë programin duke thënë ‘Ju flet Kosova e Lirë’, fjalë që hyjnë në histori dhe janë të fuqishme nga Nusret Pllana. Në këtë libër janë sistemuar shkrime, analiza, dokumente të kohës së luftës e pasluftës dhe është prezantuar një pjesë e aktiviteteve informative-kulturore që kjo Radio ka ushtruar me vite”, tregon Plakiqi.

Ajo ka cilësuar se libri që u përurua në kuadër të aktiviteteve të 20-vjetorit të fillimit të punës së Radios është një pasqyrë reale e besnike e punës, angazhimit dhe veprimtarisë së kësaj radioje gjatë 20 vjetëve. “Ky libër dokumentar paraqet kronologjinë tashmë historike të punës së pandalshme, të aktivitetit informativ e kulturor, që ka zhvilluar dhe zhvillon ky medium emblematik i luftës dhe lirisë”, u shpreh  ajo.

Plakiqi më tutje cilëson se libri ka vlera të pamohueshme dokumentare e historike e mbi të gjitha është libër që vërteton historinë e informimit gjatë kohës së luftës.

Eprori i lartë i ushtrisë së Kosovës, koloneli i Shqipërisë Dilaver Goxhaj, ka shkruar një telegram, që thotë se me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë Radio Kosova e Lirë do t’u shpjegonte masave të gjera, do t’u tregonte atyre se si luftonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sipas tij, kjo radio do t’i vinte të gjitha forcat e saja për të realizuar këtë detyrë dhe si rrjedhojë ajo do të bëhej shkollë për edukimin jo vetëm të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare, por edhe për masat popullore. Prej 300 punëtorëve që kanë bashkëpunuar me këtë radio, janë përshëndetur disa prej tyre si analistët Jakup Krasniqi, Haki Bajrami, Dilaver Goxhaj, Albert Xhoni, Ismet Azizi, Lulzim Beqiri, Sabit Syla dhe të tjerë që emrat e tyre janë përmendur në pjesë të librit që është botuar, shkruan Gazeta "Zëri".

Haki Bajrami, njëri prej bashkëpunëtorëve të përhershëm të Radio Kosovës së Lirë, ka falënderuar gjithë ata që punuan dhe mbështetën punën e radios ndër vite.

Programi përfundoi me këngëtaren Mrikë Trumshi, e cila performoi këngën kushtuar Radio Kosovës së Lirë dhe në fund është shfaqur pjesa e parë e filmit dokumentar “Zëri i fitores”.