'Sonatë për gruan e një tjetri', vepra më e mirë e vitit 2017
Çmimet Kombëtare për Letërsinë e Vitit 2017, organizuar nga Ministria e Kulturës, u ndanë të mërkurën në Tiranë. “Vepra Letrare më e Mirë për vitin 2017” i është dhënë shkrimtarit Henrik Spiro Gjoka për librin “Sonatë për gruan e një tjetri”, ndërsa çmimi si “Vepra Letrare më e Mirë e Vitit e Përkthyer” i është dhënë Aida Baros për “Armëpushimi” i Primo Levit, shkruan sot gazeta "Zëri".
Autori Henrik Spiro Gjoka ka zgjedhur vetën e tretë për të rrëfyer. Personazhi kryesor në këtë libër është një psikiatër, i cili mundohet të vendosë rregull në jetën e pacientëve të tij, ku edhe përfshihet në një histori pasioni sa të bukur, aq edhe të vështirë me gruan e një tjetri. Shkrimtari Henrik Spiro Gjoka deri më tani ka shkruar rreth pesë libra në gjuhën shqipe, por edhe përse merret me letërsinë nuk ka dëshirë që të jetë në qendër të vëmendjes, dëshira e tij është që të njihet vetëm vepra që ai shkruan. Prej më shumë se tri dekadash jeton në Francë. Ndërsa Primo Levi tek “Armëpushimi” i përkthyer nga Aida Baro rrëfen një pelegrinazh në kufijtë e marrëzisë, por të mbushur me energji, përmes jetës që rifillon: një rrëfim i thukët, ku gëlon njëkohësisht ankthi dhe hareja. Udhëtimi i kthimit të Levit dhe shumë italianëve si ai nga kampi i përqendrimit drejt atdheut zgjati për muaj me radhë, duke i rënë kryq e tërthor Evropës së shkatërruar nga lufta. Aida Baro numëron 20 vjet punë në fushën e përkthimit.
Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë përbëhej nga Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi dhe Albert Gjoka. Vepra letrare më e mirë e vitit vlerësohet me 500 000 lekë. Ndërsa vepra më e mirë e vitit e përkthyer vlerësohet me 300 000. Juria që ndau këto çmime ishte e përbërë nga Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi dhe Albert Gjoka.
Për çmimin “Vepra Letrare Shqiptare më e Mirë e Vitit” ishin në garë edhe librat: Adriatike Lami – “Burri që më do mua”, Entela Tabaku – “Poemë e huaj”, Kim Mehmeti – “Anemona” dhe Stefan Çapaliku – “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.
Në anën tjetër për çmimin “Vepra Letrare e Përkthyer më e Mirë e Vitit” garonin: Abedin Preza – “Orlandi i çmendur” – Ludovico Ariosto, Alket Çani – “Trilogjia e binjakëve” – Agota Kristof, Bashkim Shehu – “2666”- Roberto Bolaño dhe Erion Karabolli – “Largësi shpëtimi” – Samanta Schweblin. Zëri