Për të nëntën herë mbahet manifestimi letrar 'Esad Mekuli'

Kultura December 18, 2018 - 11:00
Image

Në mesin e dashamirëve të fjalës së shkruar e të poetëve për të nëntën herë me radhë u mbajt të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës manifestimi letrar tradicional “Esad Mekuli”, i organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në të cilin folën studiues e letrarë nga të gjitha trojet shqiptare. Në kuadër të takimit letrar është ndjekur dhe sesioni “Poetika e Fatos Arapit”, ku studiuesit e krijuesit kanë dëshmuar përkushtimin dhe prirjet e tyre për t’u marrë me problemet e krijimtarisë letrare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, ka hapur sesionin e studiuesve dhe ka lexuar kumtesën e tij lidhur me sesionin “Konteksti aktual i poezisë së Fatos Arapit”.  Galica ka ngritur dhe ka çmuar figurën e Arapit duke e konsideruar si poeti më kërkues dhe më i veçanti i letërsisë së sotme shqipe e që sipas tij shquhet nga artikulimi modern i shprehjes poetike. Galica thotë se Arapi e ka pasuruar vazhdimisht lirikën e vet tematikisht e semantikisht, kurse poezia e tij është moderne dhe individuale njëkohësisht. “Individualiteti krijues në kuadër të artit të krijimit përfshin dy skaje, individualen dhe të përgjithshmen, kohoren dhe të përjetshmen. Fatos Arapi që nga veprat e para poetike e deri tek ato të fundit sjell në letërsinë tonë një zë poetik, duke artikuluar mendimin poetik nëpërmjet figurës së qëndrueshme e specifike me një intonim modern në kompleksin unik e të papërsëritshëm strukturor”, ka thënë para të pranishmëve Galica. 

Shyqyri Galica konsideron që konceptimi i realitetit realizohet në poezinë e autorit Arapi me një ritëm dinamik, me tekste që ndihen thellë në qenien kombëtare. Kurse shqetësimi i tij poetik krijohet në rrethana të rëndomta që artikulohen si drama, imazhe sugjestive, cilëson Galica. Ai po ashtu thekson se në poezinë e tij ndihet një atmosferë alarmi e që ky alarm është i kaosit dhe i brutalitetit në rrethanat që përjeton.  “Vizioni poetik i Fatos Arapit është i gjallë dhe kërkues, realitetin historik e aktual e koncepton në lëvizje dinamike. Burim i vazhdueshëm frymëzimi ka qenë epoka e Skënderbeut, cikli i poezive për Skënderbeun dhe për epokën e tij është i veçantë në krijimtarinë poetike të Fatos Arapit e në poezinë shqipe në përgjithësi”, shton tutje Galica, duke theksuar se ndjenja më e thellë dhe më fisnike dashuria shprehet si refleks i një bote të pasur me një strukturë të thjeshtë nga autori Arapi. Dhe se filozofia e jetës së tij artikulohet si përpjekje për meditim që synon fiksime poetike duke u nisur nga fakti i thjeshtë jetësor në zbulimin e një dukurie të rëndësishme. Galica përfundon kumtesën e tij duke e cilësuar krijimtarinë poetike të Fatos Arapit si  mbërthyes i shqetësimeve të kohës dhe se fuqia transformuese artistike ka bërë që ky poet të jetë një ndër krijuesit më të veçantë të fushës.

Sesionin e vazhdoi profesor Emin Kabashi me “Poetikën e poezisë së Fatos Arapit me temë Skënderbeun dhe kohën e tij”, i cili tregoi se janë 15 poezi të botuara në vëllimin kritik, të cilat kanë për motiv Skënderbeun dhe përmasën e figurës së tij. “Poezitë kanë një qasje të veçantë, sipas bindjes time janë vlera themelore për mbarë poezinë shqiptare përgjatë periudhës nga lindja kombëtare e këndej. Ky cikël thënë kushtimisht, ka një pikë që është në realizimet më të përkryera artistike të poetit”, ka thënë Kabashi.  Profesor Kabashi përmend këtë fakt që e bën strukturën e këtij vëllimi poetik një ndër realizimet e rralla të mirëfillta ku figura është përdorur me mjeshtëri të rrallë. Kabashi thekson se ka edhe një pikë ku shkrihen hapësira e koha dhe ai është Skënderbeu. “Të gjitha poezitë me këtë temë kanë përgjegjësuar përvoja të ndryshme, dhimbjen e madhe të popullit të Arbërisë dhe rrugën e lirisë. Poeti Fatos Arapi përmes vargut poetik të poezisë së tij ka krijuar atmosferë, ka shkrirë përmasën e kohë për të qenë e plotë skena e tragjedisë”, ka pohuar profesori Kabashi.

Alisa Velaj me kumtesën “Përmasat e trashedentales në poezinë e Fatos Arapit” ka vazhduar sesionin e diskutimeve e që cilëson se poezia e autorit Arapi përmban një përmasë tepër të veçantë në tharmin e saj poetik siç është trashedentalja si koncept. “Kjo përmasë është pak e trajtuar nga poetët shqiptarë të viteve ’60-ta, për shkak se edhe sikur të guxonin të servirnin këtë brumë poetik për lexuesin shqiptar të kohës ndëshkimi ndaj tyre do të ishte maksimal në kushte të sistemit komunist”, është shprehur Velaj.

Sesioni ka vazhduar tutje me folësit Adem Xheladini, i cili diskutoi për temën “Fatos Arapi, kumti modern në poezinë shqipe”, Kujtim Mateli me “Dimensioni i dashurisë në universin poetik të Fatos Arapit”, Sali Bytyçi me temë “Poezia e sirtarëve e Fatos Arapit” dhe Ina Arapi me “Përzgjedhjen e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë - dy shembuj nga krijimtaria e Fatos Arapit”.

Takimi tradicional vazhdoi me përurimin e disa veprave letrare, të cilat janë kontribut i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në fushën e letërsisë dhe të artit. Kurse gjatë ditës është mbajtur dhe akademia letrare, në të cilën u paraqitën shkrimtarët me poezi e gjini të tjera letrare. Për këtë vit do të dorëzohet dhe çmimi letrar “Esad Mekuli” për krijimtarinë e përgjithshme të shkrimtarit dhe do të ndahen tri çmime letrare për punimet më të lexuara në akademi “Bardi 1,2,3”.   Zëri