Libri i javës – 'I pangjyri Tsukuru Tazaki..', nga Haruki Murakami

Kultura December 17, 2018 - 09:46

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “I pangjyri Tsukuru Tazaki dhe vitet e tij të pelegrinazhit”, nga shkrimtari japonez Haruki Murakami.

I botuar në vitin 2013 në Japoni, ky roman shpalos historinë e një të riu që për vite të tëra ndihet bosh si pasojë e humbjes së disa njerëzve të rëndësishëm të jetës së tij. Përmes këtij romani Murakami, njëri nga emrat më të respektuar sot të letërsisë në botë, na jep një histori zemërthyerje, dashurie e miqësie, që prek të gjitha moshat.

Edhe te romani “I pangjyri Tsukuru Tazaki dhe vitet e tij të pelegrinazhit” shkrimtari Murakami, që prej vitesh është në garë për çmimin “Nobel për Letërsi”, si te të gjitha romanet e tij të tjera, na përcjell një atmosferë misterioze që mbizotëron në historinë të cilën ka zgjedhur ta rrëfejë.

Ky roman flet për pesë shokë të ngushtë të gjimnazit në Nagoja, për të cilët Murakami thotë: “Ishin mu si gishtat e një dore, mu si cepat e një ylli”. Rastësia deshi që katër prej tyre, dy djem e dy vajza, të kishin në mbiemrat e tyre një emër ngjyre në japonisht, përveç personazhi kryesor, të pestit e që quhej Tsukuru Tazaki dhe mes grupit, me shaka, u vendos që nofka e tij të mbetej “I pangjyri”. Përderisa secili prej të pestëve kishte tipare dhe interesa të ndryshme në jetë, Tsukuru Tazaki kishte një pasion shumë të veçantë. Ai ishte i dhënë pas stacioneve të trenave, ndaj vendosi të studionte inxhinieri në Tokio. Miqësia e pesëshes vazhdoi për një kohë edhe kur Tazaki u zhvendos nga Nagoja në Tokio për studime deri në një pikë të caktuar kur si në mjegull ajo u prish. Kjo thyerje e lë të pasionuarin pas stacioneve të trenave në një stacion të çuditshëm të jetës, ku nuk mund të zbulojë misterin e shkatërrimit të miqësisë që e kishin ndërtuar e ruajtur për një kohë të gjatë. Në një gjendje ku mendimet për vetëvrasje i sillen nëpër kokë, Tsukuru Tazaki me ndihmën e miqve të rinj pas një kohe të gjatë rreket të zbulojë misterin e shkatërrimit të asaj miqësie.

Përshkrimet surrealiste, pasionet e çmendura, ngjyra e muzika e përshkojnë këtë roman të Murakamit dhe e shoqërojnë lexuesin gati se në çdo faqe.

I botuar nga “Skanderbag Books” dhe i përkthyer në shqip nga Artan Kuçi, romanin “I pangjyri Tsukuru Tazaki dhe vitet e tij të pelegrinazhit” nga Haruki Murakami mund ta blini për 7.50 euro.