Historia e Rumit, për herë të parë në TKK

Kultura December 17, 2018 - 09:43

 

Image

Një bashkëdyzim mes dramës “Destur” e shkruar nga Musa Ramadani dhe romanit “Blasfemi e Ëmbël” nga Elif Shafak është shfaqja “Destur ~ Blasfemi e Ëmbël” e përpunuar mjeshtërisht nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, që jepet premierë në skenën kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës mbrëmjen e kësaj të hëne, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në konferencën për medie që i parapriu premierës së shfaqjes regjisorja Zana Hoxha-Krasniqi falënderoi menaxhmentin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për pritjen e ngrohtë, siç tha ajo, nga ky institucion gjatë punës njëmujore që bëri për shfaqjen. “Shfaqja bart mesazhet universale të dashurisë, paqes e tolerancës. Unë u kam kërkuar aktorëve që me këtë shfaqje t’i prekim zemrat e njerëzve. Kjo është një detyrë mjaft e vështirë, por besoj që do të arrijmë t’i prekim zemrat e njerëzve. Shpresoj që shfaqja të ketë jetë të gjatë”, tha regjisorja, e cila më tutje tregoi se tashmë kanë marrë një ftesë që shfaqja të prezantohet në Zagreb të Kroacisë në shkurt të vitit të ardhshëm.

Ndërsa ngjarja ndodh në shekullin e 13-të, kjo shfaqje trajton interpretimet e ndryshme të fesë dhe të dashurisë dhe konfliktet që ngrihen mes intelektit akademik dhe mençurisë së pastër. Shemsi i Tabrizit, një endacak që kërkonte Zotin, ka gjetur formën më të pastër të dashurisë, prandaj prezenca e tij i lë të gjithë të transformuar. Mevlana Rumi është një dijetar dervish i njohur për diturinë akademike ndaj fesë. Takimi dramatik i këtyre të dyve në qytetin e Konias rezulton në një transformim në spiritualitetin e Rumit dhe mënyrën sesi ai e sheh fenë dhe dashurinë. Shemsi dhe Rumi mbyllen në bibliotekën e Rumit për dyzet ditë dhe në secilën prej atyre ditëve e diskutojnë njërën nga dyzet rregullat e dashurisë. Pyetjet filozofike të dashurisë i drejtohen Zotit përgjatë gjithë shfaqjes, por magjia e vërtetë gjendet në mënyrën sesi këto pyetje diskutohen edhe në përditshmëri, të drejtuara dashurisë romantike të shekullit 21. Shemsi mësoi Rumin se si ta hapë zemrën dhe si të çmësojë atë që kishte mësuar.

Në rolet kryesore në këtë shfaqje paraqiten Çun Lajçi si Rumi dhe Shkëlzen Veseli si Shemsi. Në anën tjetër, në rolet e tjera luajnë aktorët: Armend Smajli, Edlir Gashi, May-linda Kosumoviç, Semira Latifi, Anisa Ismajli, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj, Selman Jusufi, Florent Salihu, Blend Sadiku dhe Leonit Maloku. “Për mua ky është projekti më i madh deri më tash. Është një projekt në të cilin ndihem e bekuar për ekipin që e kam. Dua ta falënderoj Çun Lajqin, që është aktori më i madh i gjallë shqiptar. Jam e lumtur që Çuni është pjesë e ekipit”, tha para medieve regjisorja Krasniqi, e cila ka falënderuar të gjithë kastën e aktorëve për punën e palodhshme.

Çun Lajçi, njëri nga aktorët kryesorë të shfaqjes, u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me regjisoren Zana Krasniqi-Hoxha, aktorët e rinj, si dhe rolin e Rumit, të cilin e cilësoi njërin nga rolet më të mira që ka luajtur. “Kur e fillon njeriu punën dhe kur starton në skenë bie ndesh me shumë botëkuptime të veta sa i përket artit. Vetëm atëherë e sheh sa i vogël është në fillim të krijimeve të veta, sepse këto krijime fillojnë gati-gati nga e para dhe e harron se ti ke një jetë të gjatë në teatër, ke një bagazh të veprave mbrapa, sepse e kupton që një sy tjetër sheh më shumë. Ndonjëherë aktori ka nevojë për një dorë të re e për një sy të ri regjisorial, prandaj unë e falënderoj Zanën për këtë mundësi në këtë kohë kur unë kisha një krizë emocionale për vajzën e humbur, gati-gati si Rumi”, tha Lajqi.

Koreografinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Robert Nuha, kurse në rolin e skenografes dhe kostumografës është Youliana Vojkova-Najman. Për shfaqjen “Destur ~ Blasfemi e Ëmbël” kompozitori Memli Kelmendi ka bërë një kompozim të veçantë. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Kelmendi ka thënë se punimi i muzikës për teatër është specifik, por megjithatë kjo shfaqje ishte një eksperiencë e mirë për të. “Shfaqja ‘Destur’ për mua është një mundësi shumë e mirë. Në fillim e kam pasur të qartë që është muzikë shumë delikate, prandaj jam munduar të ruaj dramaturgjinë muzikore. Që nga leximi i tekstit, kërkesat e regjisores e puna me aktorët, muzika është ndërtuar mbi bazën origjinale që për mua nuk ka qenë aspak e lehtë të realizohet. Ne këtë shfaqje është punuar mbi bazën e muzikës se dervishëve dhe karakterin e shfaqjes me instrumentet origjinale; kudum, nay, def, pjatat në momente të ndryshme, duke përfshirë elemente të vokalit dhe shpeshherë të transformuar në atë kontemporane, gjithnjë duke u bazuar mbi shkallët, ritmet e meloditë  e dervishëve. Besoj që muzika e shkruar do të reflektojë dhe do të jetë në konturat e shfaqjes”, tha Kelmendi. 

Në anën tjetër, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, u shpreh i kënaqur që më në fund kjo dramë e Musa Ramadanit e dyzuar me romanin e Elif Shafak po shfaqet në skenën e këtij teatri. Përveç premierës që jepet sonte (17 dhjetor), kjo shfaqje do të reprizohet dy ditë radhazi, të martën dhe të mërkurën, më 18 dhe më 19 dhjetor, me fillim nga ora 20:00. Zëri