Promovohet libri 'Lexim filozofik i arkitekturës' i Salihut

Kultura December 15, 2018 - 13:14
Lexo tjera detaje
Image

Në mbrëmjen e ditës së enjte në librarinë “Dukagjini” është promovuar libri i profesorit të filozofisë antike Astrit Salihu, me titull “Lexim filozofik i arkitekturës”. Në mesin e shumë të pranishmëve, promovimin e ndoqën studiuesit e filozofisë dhe të arkitekturës, duke e cilësuar veprën e tij si një kontribut i cili mbulon një hapësirë që ekziston sa i përket mendimit filozofik mbi arkitekturën.

Në emër të Shoqatës së Filozofëve të Kosovës foli Hysnije Ilazi, e cila cilësoi se libri i profesorit Salihu ka prekur një fushë, e cila më herët shumë pak është trajtuar nga studiuesit. Sipas saj, libri do të ndikojë në perceptimin dhe në mendimin mbi arkitekturën te ne.

Në anën tjetër, akademik Muhamet Kullashi vlerësoi se autori i kushton vëmendje të veçantë arkitekturës duke u shquar me analiza koherente, me rryma dhe me teori të shumta mbi arkitekturën. Profesori Kullashi dëshmon se libri sjell një risi në mendimin për arkitekturën. Ai mbështetet mbi kërkimet filozofike të një numri të konsiderueshëm të autorëve që janë marrë me fushën e këtyre temave mbi arkitekturën, duke bërë një hulumtim të temave të arkitekturës. E sipas akademikut, njëra prej këtyre temave që është shumë specifike është pikërisht çdo të thotë të banosh. “Çdo të thotë të banosh, është kuptimi i banimit të njeriut brenda një hapësire dhe në cilat kushte banimi mund të bëhet një banim njerëzor”, është shprehur Kullashi.

Duke e çmuar kontributin e profesorit për librin e botuar, Florina Jerliu - arkitekte, ka thënë se libri do të ndihmojë shumë që t’u iket klisheve tashmë të njohura mbi çështje të arkitektonikës dhe të hapësirës së banimit, duke u fokusuar në probleme reale. Jerliu cilëson se libri është kontribut direkt në filozofinë e arkitekturës. “Duke marrë parasysh se përgjatë gjithë historisë filozofët nuk janë marrë sa duhet me arkitekturën, siç janë marrë me fushat e tjera, ky libër përmbush nevojat e të menduarit filozofik në arkitekturë”, ka thënë Jerliu për të pranishmit.

Sipas saj, është e rëndësishme si arkitektët qysh herët janë frymëzuar, si realizohet arkitektura nën trysninë e shtetit dhe se debati mbetet akoma i hapur në pyetjen se çka është arkitekturë e duhur, e kohës sonë në kuptimin e trendit, të stilit e të frymës.

Labinot Kelmendi, pjesë e panelit që foli për librin e Salihut, ka kërkuar që librit të lexohet dhe të mos merret interpretimi nga ajo që flasin, duke e cilësuar si të llojit të veçantë botimin e librit të profesorit Salihu. “Edhe për nga titulli libri është në trajtën e pashquar, pra është lexim i profesorit Salihu për arkitekturën, në të cilin botim do të lexoni pjesë të bukura të definimit të arkitekturës”, ka thënë Kelmendi.  Kelmendi shtjelloi edhe pjesë nga përmbajtja e librit, mes tyre ndër më interesantet është koha kur tregohet se kur ka vdekur modernia. “Libri është një ravigim teorik mbi arkitekturën. Një përbashkim në mes koncipimeve teorike e filozofike. Libri ndahet në dy pjesë dhe aty gjejmë arkitektët më reprezentativë që flasin për teorinë e arkitekturës, si dhe filozofët, për hapësirën duke ditur që hapësira është pjesë e rëndësishme e bashkëkohësisë”, është shprehur Kelmendi. Sipas tij, ky libër për studiuesit e rinj është i një rëndësie të veçantë. “Mendoj që është një prej librave më interesantë për ata që dëshirojnë të merren me hapësirën. Këtu mund ta gjeni veten përbrenda atij labirinti, që edhe lidhet me jetën tonë”, tha ai.

Autori Astrit Salihu ka ndarë me të pranishmit gëzimin e botimit të librit që sipas tij ka dalë në dritë pas shumë viteve dhe pas shumë kërkimeve që ka bërë. “Duke pasur parasysh që nuk vjen nga fusha e arkitekturës, kam pasur probleme derisa kam ardhur te ndonjë konceptim më të pranueshëm për botim. Arsyeja që jam futur në këtë fushë vjen nga ajo që unë kam ligjëruar ‘Filozofi të arkitekturës’ në Fakultetin e Arkitekturës”, tha autori.

Salihu theksoi se ka parë një mungesë të mendimit rreth arkitekturës, se si më shumë është përpjekur që studentët t’i formojë vetëm për kah ana teknike dhe duke mos i futur në refleksione pak më të gjëra. “Natyrisht unë kam parë një nismë te profesoresha Florina, që ka bërë disa revista për studentët, duke bërë përpjekje të reflektojnë për teorinë  e arkitekturës. Gjë që kam parë të nevojshme t’i bashkëngjitem kësaj iniciative pozitive, duke parë se si po lëvizin gjërat”, ka pohuar Salihu, duke thënë se kësaj nisme mund t’i jetë një kontribut i vogël edhe libri i tij.

Siç edhe theksohet në parathënie, libri trajton problematikat që lidhen me evoluimin e diskursit arkitektonik nga ai modernist deri tek ai postmodernist. Titulli i librit tregon për qasjen, e cila dallohet nga qasja teknike e interpretimit të arkitekturës. Ky libër është një orvatje për të gjetur lidhjet paradigmatike të eksplikimeve teorike arkitektonike me ato filozofike, më konkretisht me formacione më të gjera të diskurseve që shprehen në diskurset moderniste dhe postmoderniste. Kurse arsyeja e një tematizimi të tillë është e bazuar në nevojën e mbështetjes më të gjerë të diskurseve të praktikave arkitektonike të modernizmit dhe të postmodernizmit në arkitekturë.

“Në këtë libër jemi munduar të përfshijmë autorë relevantë, që kanë artikuluar aspektet teorike e diskurseve të arkitekturës moderniste e postmoderniste, në mënyrë që të shpalosim njëfarë tërësie koherente të evoluimeve në praktikat arkitektonike”, shkruhet ndër tjerash në parathënien e librit./ZËRI