Për dhjetë vjet 20 milionë euro u investuan në trashëgimi kulturore

Kultura December 14, 2018 - 15:14
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Të enjten Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka prezantuar “Raportin për projektet e investuara në trashëgimi kulturore nga MKRS-ja për vitet 2008-2018”. Raporti është përgatitur në kuadër të mandatit ligjor që ka ky institucion dhe në bazë të ligjeve të buxhetit të Republikës së Kosovës që ndahen për çdo vit. Në prezantimin që u bë nga përfaqësuesit e këtij institucioni është thënë se fusha e trashëgimisë po përballet me vështirësi të shumta dhe se përgjatë viteve 2008-2018 buxheti që është ndarë për këtë fushë ka qenë mbi 20 milionë euro.

Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se autoriteti i vetëm që vlerëson projektet në kuadër të kësaj fushe është Këshilli për Vlerësim dhe asnjë projekt nuk ka ardhur në këtë këshill e që konsiderohet si shqetësim dhe problematikë që po e përcjell këtë institucion tash e 10 vjet. “Mbi 20 milionë euro buxhet janë ndarë për trashëgiminë kulturore për vitin 2008-2018. I cili është buxhet që i është dedikuar trashëgimisë kulturore dhe projekteve të tjera”, ka thënë Koci para të pranishmëve.

Nga radhët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi ka thënë se lëshimet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve po na kushtojnë si shtet dhe sipas tij rasti që e dëshmon këtë është lahuta, njëra nga instrumentet tona tradicionale të trashëgimisë kulturore dhe kjo vjen si rezultat për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës. “Regjistrimi i instrumentit tradicional lahutës në UNESCO si instrument i Serbisë u bë për shkak të neglizhencës së institucioneve, në këtë rast të MKRS-së, ka ndodhur që të grabitet nga Serbia dhe do të ketë punë të kthehet aty ku duhet”, ka thënë Kurteshi. Ai cilëson se pavarësisht punëve e sukseseve që e kanë përcjellë këtë fushë ka edhe të meta të natyrës subjektive, sepse janë shpenzuar mbi 20 milionë euro dhe për një shtet të varfër si Kosova ato janë mjete shumë. Ai thotë se po ashtu ka raste të shpeshta kur gjatë restaurimit, investimit të projekteve nuk përcillet puna siç duhet. Kurteshi më tutje ka shtuar se ne si komb kemi trashëgimi kulturore me të cilën duhet të mburremi, por për ne është përgjegjësi e madhe sepse duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë ashtu siç duhet.

Raportin e prezantoi Arsim Havolli, zyrtar i lartë për Trashëgimi Arkeologjike. Ai tha se ky raport është i ndarë në tre kapituj, që kanë të bëjnë me projekte kapitale, ku përfshihen të gjitha kategoritë e trashëgimisë kulturore. “Për periudhën 2008-2018 janë ndarë mbi 20 milionë euro, këto mjete janë ndarë, janë destinuar për ndërhyrje konservuese dhe restauruese, gërmime arkeologjike, intervenime emergjente, promovim të trashëgimisë kulturore, si dhe një pjesë e buxhetit është ndarë për kthimin e thesarit arkeologjik nga Serbia, por që nuk ka pasur veprime konkrete”, ka treguar Havolli.

Zyrtari Havolli thekson se për Kategorinë e Trashëgimisë Arkeologjike janë ndarë mbi 5 milionë euro dhe paratë kanë shkuar për gërmime arkeologjike e për të cilat projekte nuk është ditur ku shkon destinimi. “Ndarjet në bazë të lokaliteteve, shumën më të madhe të mjeteve e ka marrë Kalaja e Prizrenit, lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Kalaja e Prizrenit, e Vushtrrisë dhe e Vuqakut, në aspektin e qasjes është e vështirë se deri më tani nuk është bërë qasja përmes një lifti, gjendja e kësaj pasurie ka filluar të përmirësohet”, tha ai.

Kreshnik Bajraktari, udhëheqës i Divizionit për Trashëgimi Shpirtërore, ka folur për trashëgiminë shpirtërore, për të cilën tha se kjo kategori është e lënë pas dore. “Kjo kategori ka qenë e lënë pas dore dhe deri në vitin 2015 nuk ka figuruar asnjë element në listën e mbrojtjes së përkohshme të hartuar nga Ministria. Kemi pasuri të trashëgimisë shpirtërore”, është shprehur Bajraktari. Ai më tutje thekson se është mundur të bëhet më shumë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë ndër breza dhe sot. Shembull ai përmend “Eposin e Kreshnikëve” si rasti i fundit që realisht po e vajtojmë të gjithë dhe për të cilin kanë përgjegjësi të gjitha institucionet, ngaqë nuk e kanë trajtuar në nivelin meritor. “Ky element i trashëgimisë kulturore nuk ka ardhur në Këshill për t’u vlerësuar ose për t’u shpallur në mbrojte të përhershme”, ka thënë Bjaraktari e që sipas tij si procedurë dihet se pa u shpallur në mbrojtje të përhershme nuk mund të mbrohet në nivele tjera më të larta, as në UNESCO e kudo qoftë.

Ai tha se shumë instrumente shpirtërore nuk janë në listën e mbrojtjes. “Kemi projekte të paspecifikuara, nuk ka destinim të mjeteve. Kthimi i thesarit arkeologjik nga Serbia, janë ndarë mjete, por nuk ka ndonjë veprim konkret ose rezultat në këtë drejtim”, ka treguar Bajraktari.

Mbledhja vazhdoi në nivel debati, ku përfaqësuesit e institucioneve diskutuan për zhvillimin e punës gjatë vitit në kuadër të institucionit që përfaqësojnë.

Image