Muzeu i Kosovës tash e gjashtë muaj është pa drejtor

Kultura December 13, 2018 - 10:07
Image

Problemi në Muzeun Kombëtar të Kosovës filloi para tre vjetësh kur njëri nga punëtorët e MK-së bëri një ankesë për ish-drejtorin Skënder Boshtrakajn, e cila u shqyrtua tre vjet më vonë. Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që ish-drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës Boshtrakajn pas largimit nga detyra në Muzeun e Kosovës ta rikthejë në pozitën ku ka qenë si udhëheqës i Divizionit për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor në MKRS. Si pasojë e kësaj që nga muaji korrik Muzeu i Kosovës është pa drejtor, shkruan sot gazeta "Zëri". Që nga ajo periudhë e deri më tash si ushtrues detyre aty kanë punuar dy persona. Bëhet fjalë për Bislim Bislimin, që udhëhoqi me këtë institucion për rreth tre muaj, kurse aktualisht në krye të Muzeut është Vjollca Aliu, njëkohësisht dhe drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit. Muzeu i Kosovës si institucion me statut vazhdon ushtrimin e veprimtarisë së tij nën autoritetin e MKRS-së dhe zbaton politikat e strategjitë e po kësaj Ministrie.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Skënder Boshtrakaj, që për tre vjet me radhë shërbeu si drejtor i MK-së, thotë se u largua nga detyra, të cilën e ka kryer duke dhënë maksimumin e kjo shihet përmes aktiviteteve që ka zhvilluar Muzeu përgjatë periudhës sa ka qenë drejtor. Boshtrakaj, pa e treguar emrin e personin që është ankuar për të, thotë se ai është ankuar për secilin drejtor tjetër dhe sipas tij nuk e njeh Ligjin për Shërbimin Civil.

Tutje sipas Boshtrakajt, keqkuptimi ka ndodhur edhe nga gjykata, edhe nga të tjerët që Muzeun e Kosovës e konsiderojnë si një institucion të pavarur. Ish-drejtori nuk e përjashton mundësinë se ky problem mund të këtë pasur prapavijë politike ose qëllime të tjera, sepse parregullsitë filluan në një kohë kur Muzeu po kalonte një periudhë të suksesshme me shumë aktivitete dhe me shumë vizitorë. “A filloi për t’i penguar egos së dikujt unë nuk e di dhe nuk do të kisha menduar ashtu, por kur e sheh realitetin kosovar nganjëherë edhe mundesh të mendosh që jemi të rrethuar me shumë njerëz të cilët nuk dëshirojnë të shohin të mira”, cilësoi ish-drejtori Boshtrakaj.

Se a ndikon mungesa e një drejtori ose ndërrimi i ushtruesve të drejtorëve në punën e Muzeut, Boshtrakaj nuk ka dashur të komentojë duke thënë se i ka kolegë. “Unë jam në rregull me veten dhe me opinionin. Kur kam qenë drejtor e kam bërë më të mirën. Në përgjithësi në fushë të kulturës, çdo gjë që bëhet është aq e dukshme për publikun, aq sa është e dukshme edhe kur nuk bën asgjë”, thekson ai duke shtuar se fjala nuk zë vend kur shihen mungesat dhe çdo gjë që komentohet prej punës në fushë të kulturës është e kotë.

Ish-drejtorit nuk i duket i drejtë aplikimi ose konkurrimi për pozitën që ka pasur nëse Muzeu mbetet me statutin që ka. “Nuk aplikoj nëse Muzeu mbetet me këtë statut që ka për të njëjtën pozitë me qindra përgjegjësi e me atë pagë, me më shumë ngarkesa dhe me punë 12-16 orë”, tha ai duke shtuar se Muzeu i Kosovës duhet ta ketë statutin e vet. “Kisha dashur që ky institucion ta ketë një statut të vetin, që të hyjë në listën e institucioneve që drejtori dhe stafi të trajtohen me dinjitet. Ndiej keqardhje për situatat e krijuara pa nevojë dhe njëkohësisht me konsekuenca shumë të mëdha në raport me proceset dhe me ecuritë tona”, përfundoi kështu Boshtrakaj.

Në anën tjetër Bislim Bislimi, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Muzeut që këtë detyrë e ka ushtruar për rreth tre muaj, për gazetën “Zëri” ka thënë se ka disa arsye pse ai nuk është më në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës, por kryesorja është se ka dashur ta vazhdojë profesionin e tij si jurist.   “Në Muzeun e Kosovës jam emëruar u.d. drejtor më datë 10.07.2018, ndërsa pozita ime e përhershme është udhëheqës i Divizionit për Hartim dhe për Harmonizim të Legjislacionit. Pra për faktin se kam qenë në një pozicion të nivelit drejtues jam emëruar në Muze”, ka treguar Bislimi.

Ish-drejtori ka theksuar se arsyet e përfundimit të ushtrimit të detyrës së drejtorit të Muzeut janë disa dhe më e rëndësishmja është e natyrës ligjore për faktin se ndërkohë ka skaduar afati ligjor i emërimit si u.d. drejtor i MK-së. “Arsyet janë edhe të natyrës personale, duke qenë se në kohën e emërimit vendimmarrësit i kam njoftuar se interesimi im për zhvillim të mëtejmë të karrierës nuk ekziston në pozita tjera jashtë pozicioneve që më lejojnë të ushtroj detyrën e juristit. Unë jam jurist me profesion dhe synoj të zhvilloj karrierë profesionale”, ka pohuar Bislimi.

Pas Boshtrakajt e Bislimit aktualisht ushtruese detyre e drejtorit është Vjollca Aliu, e cila njëherësh është edhe drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi të MKRS-së. Gazeta “Zëri” gjatë ditës së mërkurë ka provuar të kontaktojë me Aliun për ta pyetur rreth angazhimit të saj në këto dy pozita, por kontakti me të ka qenë i pamundur. “Zëri” gjithashtu ka provuar të marrë përgjigje nga kabineti i ministrit Gashi lidhur me kohën se kur pritet të hapet një konkurs për pozitën e të parit të Muzeut të Kosovës, por një informatë e tillë nuk është dhënë. Zëri