'Java e Filmit të Kosovës' edhe në Shkup

Kultura December 12, 2018 - 12:44

Pas organizimit të “Javës së Filmit të Kosovës” në Bujanoc, e cila ka nisur nga data 10 e do të zgjasë deri më 15 dhjetor, Qendra Kinematografike e Kosovës do të organizojë edhe “Javën e Filmit të Kosovës” në Shkup të Maqedonisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, duke theksuar se para publikut në Shkup do të shfaqen pesë filma kosovarë. “Java e Filmit të Kosovës” në Shkup do të nisë më 19 dhjetor, ndërsa filmi i fundit do të shfaqet më datën 23 të këtij muaji.

Filmat që do të shfaqen para publikut shkupjan janë: “Babai” i Visar Morinës, “T’padashtun” i Edon Rizvanollit, “Tri dritare e një varje” i Isa Qosjes, “Heroi” i Luan Kryeziut dhe “Eho” i Dren Zherkës. Të pesë këta filma kanë pasur paraqitje të suksesshme nëpër festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Filmi “Babai” tregon rrëfimin e një fëmije të quajtur Nori (Val Maloku), i cili shet cigare bashkë me babanë e tij Gëzimin (Astrit Kabashi) në vitet e nëntëdhjeta, ku babai me çdo mënyrë dëshiron të emigrojë në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të, kurse filmi “Tri dritare e një varje” trajton brengën e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe trazirën që shkaktohet në një fshat kur njëra nga to flet për eksperiencën e vet. Filmi “T’padashtun” është dramë, e cila merret me pasojat dhe me traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në anën tjetër një film që lidhet me luftën e fundit në Kosovë e që do të prezantohet në Shkup është edhe “Heroi” që portretizon jetën e një ushtari të UÇK-së, Shkëmbit, pas përfundimit të luftës. Lavdia e tij mbetet vetëm shpirtërore, sepse anët sociale, ekonomike dhe madje politike janë të ashpra për të.

Publiku shkupjan do ta këtë rastin të përcjellë edhe filmin “Eho”. Ky film 93-minutësh flet për humbjen, për vetminë dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen e vetminë e saj; një njeri i moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjellë në fund të udhëtimit të tij. Zëri